Harrojeni metronë, nga Astoria në Manhattan, tani me traget

Shërbimi i tragetit në New York City shtoi sot linjën e tij të katërt që do të lidhë Astorian me Manhattan.
Trageti i kësaj linje do të bëjë tre ndalesa përpara se të mbërrijë në Wall Street, Pier 11.
Ndalesat e tjera pas nisjes nga Hallets Cove, Astoria janë: Roosevelt Island, Long Island City dhe East 34th Street në Manhattan.
Kryebashkiaku Bill deBlasio shpreson se futja e këtyre linjave do të lehtësojë trafikun e rënduar të makinave që hyjnë në Manhattan dhe do t’u japë një mundësi njerëzve të shmangin metrotë e mbipopulluara, udhëtimi me të cilat gjatë orëve të vrullit është bërë gjithnjë e më problematik.
Astoria, lagjia e njohur në Queens ku banojnë edhe mijëra shqiptarë, përveç përqendrimit të madh të greko-amerikanëve dhe ballkanasve të tjerë, ka pasur metronë dhe urat si të vetmet lidhje deri tani me Manhattan. Mënyra e re e transportit nga uji do të përgjysmojë kohën e udhëtimit.
Trageti i parë nga Astoria do të niset çdo mëngjez, në ditët e punës, në 6:30 AM dhe do të përsëritet çdo 25 minuta gjatë orëve të vrullit kur njerëzit shkojnë dhe kthehen masivisht nga puna.
I gjithë udhëtimi, me katër stacione nuk do të zgjasë më shumë se 45 minuta. (Ruben Avxhiu)

 

Comment

*