Hartë satirike holandeze 1859 tregon rolin e Rusisë mbështetur te pansllavizmi

Harta mban titullin: “Teatri i spikatur i luftës”, me nëntitullin: përpiluar sipas raporteve më të mira telegrafike…
Armand Plaka, studiues, publicist, historian
Hartë satirike holandeze e vitit 1859, ku bie në sy sidomos forcimi i ambicieve të Rusisë Perandorake, ndërsa shtyn me forcë lëvizjet nacionaliste e separatiste në brendësi e në jug të kontinentit, të mbështetura në idenë e pansllavizimit.
Ishte koha kur ish-Perandoria Osmane kishte nisur të lëshonte terren kundrejt Rusisë, ndërsa ishte përplasur disa herë me të, por akoma nuk ishte mbajtur Kongresi famëkeq i Berlinit që do të sanksiononte marrjen e Ulqinit e rrethinave nga Mali i Zi e as marrjen e pjesëve të tjera të territoreve shqiptare më vonë nga Serbia (por edhe nga Greqia).
Në hartë duket dhe roli i Britanisë së Madhe, e cila për kohën (dhe për hartuesin e hartës) shihej si neutrale, ndërsa brendësia e kontinentit duket se zien nga rivalitetet, por edhe nga bashkëpunimi mes Prusisë, Austro-Hungarisë, Rusisë, Francës etj.
Shihet gjithashtu edhe përpjekja e italianëve për të bashkuar edhe pjesët e fundit të territoreve të tyre etnike, ndërsa shihet po aq qartë në veri të kontinentit si një fantazëm me dorë të hekurt, i gjithë Gadishulli Skandinav, i cili për kohën konsiderohej nën pushtetin e plotë të Mbretërise Suedeze.
Po ashtu dallohen edhe pjesa e mbetur e kontinentit, Spanja, Portugalia, Holanda, Belgjika e Danimarka (duke ndenjur në dukje indiferentë, të paangazhuar e të painteresuar) të cilet konturonin kësisoj tërësisht hartën politike të kontinentit, të paraqitur në këtë mënyrë në mënyrë artistike dhe satirike në shtypin holandez e më vonë edhe në atë europian të kohës.
Harta mban titullin: “Teatri i spikatur i luftës”, me nëntitullin: përpiluar sipas raporteve më të mira telegrafike, mbi të cilat mund të gjykohet me një shikim të shpejtë situata politike dhe pozicioni i Fuqive më të mëdha dhe më të vogla në Europë.
Botuar nga J. van Brederode, Lith. Emrik & Binger, Haarlem, Holandë.
*Publikuar me lejen e autorit Armand PLAKA – © Të gjitha të drejtat të rezervuara!

Comment

*