Hasani: Mund të vendosim barriera për importet nga Shqipëria

Prishtinë, 22 prill 2018 – Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se disa produkte kosovare hasin në pengesa të panevojshme gjatë eksportit në Shqipëri.

Hasani ka thënë se autoritetet kosovare i kanë ngritur shqetësimet lidhur me këtë çështja tek autoritet shqiptare, por ende nuk kanë marrë kurrfarë përgjigje.

Ai ka paralajmëruar se Kosova mund të ndërmarrë masa mbrojtëse, në qoftë se tregu i Shqipërisë nuk hapet për prodhimet kosovare.

“Nëse tregu i Shqipërisë nuk hapet për prodhimet kosovare, atëherë jemi të detyruar të vendosim barriera, pasi që duhet t’i mbrojmë prodhuesit vendorë”, ka thënë ai, në një intervistë për gazetën “Zëri”.

“Autoritetet në Tiranë duhet të reflektojnë, në të kundërtën do të detyrohemi ta zbatojmë ligjin ndaj produkteve të tyre. Kemi disa produkte nga Shqipëria që hyjnë me çmim më të lirë sesa mund të prodhohen në tregun tonë dhe kjo po i dëmton prodhuesit kosovarë”, ka shtuar Hasani.

Gjatë intervistës, Hasani ka folur edhe për numrin e madh të pikave të shitjes së karburanteve të palicencuara, për importin e madh të vajit të palmës për të cilin ka pretendime se është kancerogjen dhe për mishin me afat të skaduar që shitet në tregun e Kosovës. (r.m.)

Comment

*