Haziri: Deklaratat si kjo Nasim Haradinajt e inkurajojnë dhunën politike

Prishtinë, 21 dhjetor 2017 – Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, e ka gjykuar deklaratën e nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së, Nasim Haradinaj, lidhur me  vrasjet e zyrtarëve të LDK-së pas luftës.

Haziri ka deklaruar se deklaratat si ajo e Haradinajt e inkurajojnë dhunën politike në vend.

“Përpjekja për të arsyetuar krimet është përtej përgjegjësisë. Arroganca në emër të luftës çlirimtare nuk e justifikon dhe nuk largon askënd nga përgjegjësia”, ka deklaruar Haziri për Gazetën Express.

Por, Haziri ka theksuar se deklarata e Haradinajt lidhur me vrasjet e veprimtarëve të LDK-së, të cilat nuk janë zbardhur ende, nuk është e para e këtij lloji.

“Ka vite që edhe disa të tjerë kanë mbajtur qëndrim të njëjtë për vrasjet politike, që prej likuidimit të Haki Ymerit e deri te atentatet dhe vrasjet ndaj veprimtarëve kombëtarë që kanë punuar LDK-në dhe për LDK-në”, është shprehur Haziri.

Nënkryetari i LDK-së e ka bërë këtë deklaratë pas një deklarate të nënkryetarit të OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj, lidhur me vrasjet e zyrtarëve të LDK-së.

“Punë e madhe që janë vrarë (veprimtarë) të LDK-së”, ka thënë Haradinaj në një emision televiziv, të mërkurën në mbrëmje.

OVL e UÇK-së ka inicuar nënshkrimin e një peticioni përmes të cilit kërkon ndryshimin e Ligjit për  Gjykatën Speciale, e cila do të gjykojë edhe vrasjet e pasluftës. (r.m.)

Comment

*