Haziri: Dialogu me Serbinë pa pjesëmarrjen e opozitës, do të dështojë

Prishtinë, 28 qershor 2018 – Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se Dialogu me Serbinë nuk mund të jetë i suksesshëm pa pjesëmarrjen e LDK-së dhe të forcave tjera politike në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se LDK-ja është e gatshme të marrë pjesë në dialog, në qoftë se plotësohen kushtet që ka shtruar kryesia e partisë.

“Natyrisht që pa LDK-në dhe pa forcat politike në Kuvendin e Republikës, ky proces nuk mund të jetë i suksesshëm. Kështu që, edhe më tutje janë në fuqi këto kriteret që Kryesia e LDK-së i ka konfirmuar në mbledhjen e 24 majit dhe i ka bërë të qarta edhe për institucioneve vendore, edhe për partitë që qeverisin, dhe për presidentin edhe për shtetet e Quint-it dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, por që këto kritere në këtë fazë nuk janë përmbyllur dhe LDK-ja rri në kampin politik, duke e përcjellë dhe duke e monitoruar këtë proces si parti politike opozitare vetëm”, ka thënë Haziri, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Haziri ka thënë se ekipi negociator dhe udhëheqësi i tij duhet të legjitimohet në Kuvendin e Kosovës, i cili ka përgjegjësi kushtetuese të marrë vendime për marrëveshjet ndërkombëtare.

“Ne presim një debat parlamentar që e përcakton formatin, pra kush është përfaqësuesi apo kush janë përfaqësuesit që i përcaktojnë kriteret e bisedimeve apo që i konfirmojnë kriteret… (…)  Kuvendi dhe roli i tij kushtetues do t’i jepte fuqi absolute edhe delegacionit, edhe bisedimeve, dhe një marrëveshjeje eventuale, e cila pritet të ndodhë nga palët”, ka thënë ai.

Haziri e relativizon çështjen e udhëheqësit të ekipit negociator të Kosovës. Ai i konsideron më të rëndësishme kriteret e caktuara nga pese vendet më të zhvilluara.

“Shumë më të rëndësishme janë kriteret që janë vendosur nga grupi i Quint-it drejt partnerëve ndërkombëtarë, lidhur me këtë proces të ri të bisedimeve që pritet të çojë në një normalizim të marrëdhënieve”, është shprehur ai.

Sipas Hazirit, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, “po e shfrytëzon mekanizmin kushtetues dhe ky mekanizëm kushtetues i jep legalitet”.

“Por, ne po flasim për një legjitimitet, i cili do të ndërtonte konsensus politik brenda partive. Faktikisht, ky mekanizëm është aktivizuar në raundin e parë apo në takimin e parë të bisedimeve, por që edhe më tutje ,edhe si nevojë e oksigjenit politik, domosdo do të ishte që të ndërtohet një konsensus sa më i gjerë politik dhe një Kuvend i Republikës, i cili mund, dhe duhet të ketë rol kushtetues, rol mbikëqyrës në këtë proces dhe në fund e merr edhe ratifikimin edhe vulosjen e këtij procesi.

Por, Haziri ka adresuar kritika të ashprsa për punën e Kuvendit të Kosovës.

“Unë besoj se Kuvendi i Republikës tashmë i ka plotësuar kushtet që të hyjë në Librin e Ginisit (Guinness). Katërmbëdhjetë seanca i ka të ndërprera, fillon e rifillon seanca pa e përfunduar, pa votuar, pa kuorum, në një menaxhment dhe menaxhim jashtëzakonisht shqetësues dhe për ne, në fakt i bie edhe ofendues. Një kryetar i Kuvendit dhe një Kryesi e Kuvendit, e cila nuk e harmonizon rendin e punës, e cila nuk e çon deri në fund rendin e punës dhe nuk sjell vendimmarrje dhe e ka sjellë krejt Kuvendin e Republikës në pikëpyetje, jo vetëm për imazh të Republikës sonë, por edhe kredibiliteti ndërkombëtar i saj është zbehur dhe kredibiliteti i saj vendimmarrës po zbehet”, është shprehur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri. (r.m.)

Comment

*