Haziri: Pas 100 ditësh të Qeverisë Haradinaj do të veprojmë

Prishtinë, 3 nëntor 2017 – Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili para pak ditësh ka përmendur ngritjen e mocionit për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, ka thënë se Qeveria aktuale ose duhet të dorëzohet ose të rrëzohet nga opozita, shkruan “Zeri.info”.

Haziri ka thënë se pas 100 ditësh të punës së Qeverisë, LDK-ja do ta bëjë vlerësimin dhe do të veprojë më tutje.

“Unë e kam paraqitur nevojën që pas 100 ditësh qeverisjeje grupi ynë parlamentar të ulet dhe ta bëjë vlerësimin e arritjeve apo rezultateve të kësaj qeverisjeje të PAN-it, e cila, sipas krejt parametrave, t’ua them qartë, është në nivelin e parashikimeve tona, sepse është qeverisje e pakicës politike, e varur shumë prej pakicave etnike. Kjo qeveri, për shkak të vështirësive në të cilat po has, duhet të dorëzohet vetë ose këtë problem duhet ta zgjidhim ne, me mocion”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Haziri ka thënë se nuk ka një kohë të caktuar se kur do të ngrihet ky mocion, por ka bërë të ditur se “do të veprohet” posa të përfundojnë zgjedhjet lokale.

“Sapo t’i përfundojmë zgjedhjet lokale, natyrisht se menjëherë LDK-ja do të veprojë. Ne do të jemi opozitë konstruktive, por jashtëzakonisht aktive”, ka shtuar ai.

(r.m.)

Comment

*