Haziri: Rrëzimin e Speciales e penguan ambasasdorët Delawie dhe O’Connell

Prishtinë, 27 dhjetor 2017 – Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se rrëzimi i Ligjit për Gjykatën Speciale u pengua për shkak të ndërhyrjes së ambasadorëve Greg Delawie dhe Ruairi O’Connell, kurse gruper parlamentare të LDK-së dhe Vetëvendosjes vetëm u janë bindur kërkesave të këtyre dy diplomatëve.

“Definitivisht mund të them me plot bindjen time se iniciativa atë natë është penguar falë ndërhyrjes së dy partnerëve më të mëdhenj të Kosovës: Amerikës dhe Britanisë së Madhe, ndërsa LDK-ja është sjellë unike konform kësaj kërkese për të mos e mundësuar kuorumin”, ka thënë Haziri për gazetën “Express”.

“Ambasadori Delawie dhe ai britanik vetëm kanë treguar se çka ndodh nëse miratohet shfuqizimi i Ligjit në fuqi për Dhomat e Specializuara”, ka thënë ai.

Sipas Hazirit, natën kur u nënshkrua këkesa e 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale nuk ka pasur asnjë arsye për deklarata triumfaliste, çfarë kanë bërë disa deputetë të LDK-së.

“Nuk ka të bëjë me triumfalizma këtu dhe me sjellje të tilla sepse vetëm e kanë kryer një detyrë të dhënë, kurrgjë më shumë”, është shprehur ai.

Haziri ka folur edhe për rolin e Vetëvendosjes dhe për qëndrimin e kësaj partie ndaj Gjykatës Speciale.

“Vetëvendosja, ata edhe sot janë kundër Gjykatë Speciale, ata janë shfehur prapa shpinës së LDK-së për t’u takuar me dy ambasadorët”, ka thënë Haziri.

“Në anën tjetër, e kanë kushtëzu Republikën me ndryshime kushtetuese, që është shumë e rrezikshme, edhe më e rrezikshme se iniciativa e atyre deputetëve që e morën këtë detyrë me porosi”, ka thënë ai.

Nënkryetari i LDK-së ka thënë se nisma për zhbërjen e Gjykatës Speciale tashmë është komprometuar për shkak të reagimit qytetar, por kjo nuk do të thotë se ajo do të përfundojë me kaq.

Sipas tij, kjo nuk do t’i ndalë iniciuesit nga tentimi për ta zhbërë Specialen.

“Procesi, si i tillë, nuk është i ndalur. Është i hapur. Peticioni i deputetëve është në fuqi”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, tërheqja e nënshkrimeve të disa deputetëve nga kërkesa për shfuqizimin e Gjykatës nuk e ndal procesin tashmë të filluar.

“Tërheqja nuk nënkupton asgjë, përderisa nuk ka ndonjë iniciativë të re, të një numri të deputetëve që e kundërshtojnë ose këta deputetë nuk e paraqesin me shkrim një iniciativë të re”, është shprehur Haziri.

Ai ka folur edhe për gatishmërinë e krerëve të lartë shtetërorë, Presidentin, kryeministrin e kreun e Kuvendit, për ta çuar deri në fund nismën për shfuqizimin e Speciales.

“Edhe Kryeministri edhe Presidenti kanë deklaruar se do t’u nënshtrohen procedurave kushtetuese në Kosovë, që nënkupton se nëse iniciativa merret nga deputetët do të shkojë në Kuvend dhe nëse Kuvendi e miraton, Presidenti do ta dekretojë”, është shprehur ai. (r.m.)

Comment

*