Haziri: Shkëmbimi i territoreve me Serbinë nuk do ta dëmtonte Kosovën

Prishtinë, 1 shtator 2020 – Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, sërish ka mbrojtur idenë e tij për ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbisë, pavarësisht se ideja e tij nuk gjen mbështetjen e subjektit të tij politik.

Ai ka thënë se mendim i tij për ndryshimin e kufirit mes dy shteteve ndryshon nga ai LDK-së.

“Mendoj se kjo do ndihmonte në pajtimin e Kosovës me Serbinë, kjo është njëra nga rrugët e zgjidhjes se problemit në mes të dy vendeve”, ka thënë Haziri në RTK.

Ai ka shprehur bindjen se me ndërrimin e territorit Kosova nuk do të humbiste asgjë.

“Tri komunat me shumicë shqiptare në Serbi janë peng i politikës. Ndërrimi i territorit nuk do të dëmtonte Kosovën, kjo do të ishte e mundshme me një marrëveshje dypalëshe në mes dy shteteve”, është shprehur Haziri.

“Shqiptarët, si shumicë në Luginën e Preshevës, duhet t’i bashkohen Kosovës dhe të mos jetojnë në shtetin të cilin nuk e duan, ndërsa Leposaviqi dhe 17 fshatra, si shumicë absolute serbe, t’i bashkëngjiten Serbisë“, ka thënë ai.

Lutfi Haziri është zë i vetmuar në LDK përsa i takon idesë për shkëmbim territoresh. Ai ka dale me këtë ide madje para Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Partia e Hazirit është kundër shkëmbimit të territoreve. Ajo e ka formësuar këtë qëndrim edhe në programin qeverisës. (r.m.)

Comment

*