Haziri: Thaçi e quante të rrezikshme idenë për bashkimin e Luginës me Kosovën

Prishtinë, 6 gusht 2018 – Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili e quan të tijën idenë për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, ka thënë se Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi,  e kishte cilësuar të rrezikshme këtë ide.

“Po ju rikujtoj se Presidenti Thaçi, në vitin 2011, idenë time e ka quajtur qëndrim të rrezikshëm. E kam parë që presidenti e ka përcjellë dhe kuotuar deklaratën time, por është çështje e tij se si e vlerëson”, ka thënë Haziri për Kallxo.com.

Ai ka thënë se propozimi i tij për bashkimin e Luginës me Kosovën nuk përman shkëmbim territoresh apo ndarje të Kosovës.

“Tashmë po bëhen shtatë vite kur unë e kam dhënë propozimin tim, por i cili nuk ka të bëjë me shkëmbim dhe me copëtim të Kosovës. Ka të bëjë me realizimin e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës Lindore”, ka thënë Haziri.

Haziri ka thënë se institucionet shtetërore të Kosovës janë obliguar të mbështesin realizimin e vullnetit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me Rezolutën që ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës, në vitin 2013.

“Bazuar në Rezolutën e Kuvendit të Republikës për Kosovën Lindore, të cilën e kam sponsorizuar më 2013 dhe është miratuar me konsensus, ne duhet të punojmë shumë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve atje, duke respektuar të drejtën për referendum dhe duke u harmonizuar me bashkësinë ndërkombëtare. Por, Kosova duhet të ruhet në tërësinë e saj”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se qëndrimi i LDK-së për dialogun me Serbinë nuk ka ndryshuar dhe ka theksuar se kjo parti insiston se koalicioni qeverisës aktual nuk ka legjitimitet për përfaqësim të qytetarëve të Kosovës në bisedimet me Serbinë.

“LDK nuk është pjesë e dialogut me Serbinë dhe, në këtë rast, as unë nuk jam. Qëndrimi ynë opozitar është i qartë. Ne vazhdojmë ta ushtrojmë detyrën tonë në Kuvend dhe, sa i përket dialogut, ne e kemi formulën: legjitimiteti para dialogut”, ka thënë Haziri.(r.m.)

Comment

*