Hebib Shehut iu dorëzua Çmimi “Ora e Presidentit Rugova”

Prishtinë, 10 gusht 2018 – Veprimtarit politik veteran nga Kaçaniku, Hebib Shehu, sot iu dorëzua çmimi tradicional “Ora e Presidentit Rugova” për vitin 2018, të cilin e ndan i Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjermani.

Zoti Shehu, profesor shembullor dhe autoritet shumë i respektuar në Kaçanik, ka qenë aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës që prej themelimit të saj. Disa mandate, ai ka qenë kryetar i degës së kësaj partie në Kaçanik.

Në ceremoninë e dorëzimit të kësaj mirënjohjeje, e cila u zhvillua në selinë e LDK-së, në Prishtinë, morën pjesë drejtues të partisë e të degës së saj në Gjermani, si edhe bashkëpunëtorë e bashkëveprimtarë shumëvjeçar të z. Shehu.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, tha se ky çmim u dedikohet veprimtarëve të brezit më të vjetër që kanë dhënë kontribut të madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Ne, si Lidhje Demokratike, i çmojmë dhe respektojmë gjeneratat e vjetra”, tha Veliu.

Zoti Shehu tha se këtë çmim ua dedikon bashkëvendësve të tij të Kaçanikut dhe gjithë popullit të Kosovës dhe veproi e luftoi për liri e pavarësi.

“Ndjej kënaqësi që ky çmim po u adresohet edhe qytetarëve të komunës se Kaçanikut”, theksoi Shehu.

Çmimi “Ora e presidentit Rugova” u nda për herë të nëntë. (r.m.)

Comment

*