Heronjtë nuk janë të mjaftueshëm

Gjokë Dabaj

Të gjithë shqiptarëvet në Vitin e Ri 2019, për të parë dhe dalluar të mirën nga e keqja

 

Nga Gjokë Dabaj

Kur të them: Libri i Dr. Simë Dobrecit “Përmbledhje vlerash njerëzore” është një KRYEVLERË, dikush mund të thotë: –Po, autori i këtij libri ka përjetësuar këtu kulturën dhe historinë e një krahine shqiptare…- Jo! Do t’i them unë. –Është më shumë se kaq. Atëherë ai mund të thotë: –Ky libër është një kontribut në historinë dhe në kulturën mbarëkombëtare shqiptare. E unë prapë do t’i them: –Jo! Ky libër i Simë Dobrecit nuk është kryevlerë vetëm në shkallë krahinore, as vetëm në shkallë kombëtare! Ky libër është një KRYEVLERË NË SHKALLË BOTËRORE. Tjetër gjë është, sa dimë ne t’i bëjmë botërore kryevlerat tona. Sa i përkthejmë në gjuhë të huaja, sa shkruajmë për to nëpër gazetat tona dhe sa njoftime bëjmë në gazetat dhe revistat e popujvet të tjerë. Madje, edhe sa i lexojmë ne vetë të këtilla vepra.

Kjo vepër e Dr.Simë Dobrecit është kryevlerë në shkallë botërore, sepse në të zbulohen thesare të një kulture mijëravjeçare, të cilën sot forca të errëta, rajonale dhe gjithnjerëzore, madje edhe brenda vetë Kombit tonë, po mundohen dhe po ia dalin për ta asgjësuar. Me veshjet që përshkruhen këtu, me vallen për të cilën flitet këtu, me ato që autori i quan hadete, me ritet popullorë, me banirin, me thëniet e urta, shpeherë të mundshme për t’u thënë vetëm shqip, me të gjitha këto, ky libër është një thirrje e përmasavet të një bubullime tejet tronditëse drejtuar gjithë njerëzimit: Njerëz! Mos lejoni të asgjësohen të këtillë thesare të papërsëritshëm, qoftë edhe të një krahine të vetme shqiptare njëzetkatundëshe!

Unë po marr këtu, për t’i vështruar pak më gjërë, vetëm dy shembuj: SIMBOLIN E GJARPRIT dhe PLISIN E BARDHË, QELESHEN.

SIMBOLI I GJARPRIT është i trashëguar prej ilirëvet dhe i përjetësuar me gdhendje në gur në harqet e shtëpivet të Shestanit, mbi pllakat e varrevet e deri dhe në muret e kishavet. Aleksandar Stipçeviqi shkroi shumë për këtë dukuri kulturore në krejt hapësirat e trojevet të Ilirisë dhe vërtetoi që kjo është një traditë e mirëfilltë ilire. Dr. Simë Dobreci në f.45 të këtij libri ka vënë fotografinë e një varri shestanas mbuluar me pllakë guri monolite, me diçiturën “Gjarpri n’vorr t’ Kol’ Vuç’s”. Në f.71-72, nën titullin “Gjarpërinjtë ruajnë kishën”, Dr. Sima na jep fotografinë e një guri me dy gjarprinj, vendosur në murin e një kishe. Mbi rëndësinë e simbolit të gjarprit flitet edhe në f.310 dhe po aty, në f.311 jepet një korrespondencë me Prof. Dr. Aleksandar Stipçeviqin pikërisht lidhur me simbolin e gjarprit që ruhet edhe në Shestanin tonë, prej nga e ka prejardhjen edhe vetë ilirologu i madh Aleksandar Stipçeviqi. Në f.358 Dr.Sima flet për Eskulapin, perendi antike ILIRE e mjekësisë, e cila, siç dihet, mban me vete një gjarpër, burim kryesor i ilaçit për shërimin e njerëzvet. E gjithë farmaceutika botërore simbolizohet me figurën e gjarprit të kohës ilire dhe parailire, figurë të cilën ne e ruajmë me kaq përkushtim, të gdhendur në gur, edhe sot e kësaj dite.

Edhe QELESHJA, PLISI I BARDHË, është një simbol i kulturës sonë kombëtare, njëkohësisht simbol dhe pasuri kulturore gjithnjerëzore, sado që autoritetet tanë shtetërorë pak kanë punuar për t’ia bërë të njohur botës këtë të vërtetë. Në librin që kemi sot në dorë të Dr. Simë Dobrecit, flitet për qeleshen, si pjesë e veshjes tradicionale shqiptare të shestanasvet. Në f.165 gjendet fotografia e një shestanasi me veshje kombëtare dhe me qeleshen në krye. Në f.164 kjo temë trajtohet nën titullin “Shestanasit bajshin qeleshen”. Ndërsa në faqet 167 e 169, për të vërtetuar që kjo qeleshe e jona s’është diçka e pavlerë, Dr.Sima ka sjellë dy fotografi: “Bariu ilir me qeleshe” dhe “Zeusi me qeleshe”. Zeusi është perendi e perendivet. Është vlerë botërore e kulturës gjithnjerëzore. Atëherë, si të mos njihet edhe qeleshja jonë si vlerë gjithbotërore?!

S’ka dy a tri ditë që, fare rastësisht, takova në Tiranë Artan Kurtin, një studiues shumë seriozë të traditës sonë etno-kulturore, bir i Dilaver Kurtit, njërit prej arkeologëvet dhe etnografëvet më rezultativë shqiptarë. Më përshëndeti, u pyetëm përzemërsisht për shëndetin dhe për familjet, siç e kemi traditë ne shqiptarët, dhe sakaq më dhuroi një libër që sapo e kish botuar. Libri titullohet “Matja në gur e në dru”. Në faqet 131-132 të këtij libri janë paraqitur 10 fotografi gjarpërinjsh të gdhendur në gur nëpër muret e kullavet të famshme matjane. Edhe në faqet 75,79, 126, 128 e 129, përsëri gjithandej gjarpërinj të gdhendur anash portavet të kullavet dy e trekatëshe, me mendimin dhe traditën mijëravjeçare se gjarpri e mbron shtëpinë. Duke shfletuar këtë libër të sapodalë nga shtypi, po përsërisja me vete: Ah, sikur të ish gjallë Aleksandar Stipçeviqi! Por, nëse Stipçeviqi s’është më midis nesh, është gjallë e shëndosh e mirë Simë Dobreci. Dhe vendosa ta njoftoj Doktor Simën për këtë libër, ku, midis shumë vleravet tona etnokulturore, flitet gjërësisht dhe bollshëm edhe për gjarprin, totemin mijëravjeçar, mbrojtës të shtëpevet tona.

Në po këtë ditë, këtë herë jo rastësisht, por me një qëllim të caktuar, kisha lënë një takim me njërin prej veprimtarëvet më aktivë në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës sonë kombëtare, avokatin Agron Gjedia. Agroni është nga Malësia e Gjakovës, ka 15 vjet në krye të shoqatës “Bytyçi” dhe, prej disa vitesh, organizon një festë mbarëkombëtare me emërtimin “Dita e plisit të bardhë”. Është një festë me vlera të mëdha, e cila synon t’u shpjegojë, jo vetëm shqiptarëvet, por krejt botës, se cila është domethënia e këtij elementi shumëshekullor të veshjes kombëtare shqiptare. Më dha gazetën “Bytyçi”, ku shkruhet gjërësisht edhe mbi veprimtaritë folklorike “Dita e plisit të bardhë”, në të cilat marrin pjesë grupe folklorikë nga të gjitha trevat tona, dhe më njoftoi se kish dorëzuar për botim një libër studimor mbi gjenezën dhe rëndësinë historiko-kulturore të këtij elementi të tejlashtë të veshjes sonë kombëtare. Vendosa ta njoftoj Dr.Simë Dobrecin edhe për këtë ngjarje.

Të gjitha këto dhe shumë të tjera si këto, janë kryevlera, por fatkeqësisht nuk janë të mjaftueshme.

Janë kryevlera, sepse mbajnë gjallë jo veç shpirtin e Kombit Shqiptar, por i japin arsye mbarë kulturës gjithnjerëzore për t’u mbështetur mbi themele tejet frymëzues të një qytetërimi nga më të lashtët. (Krahaso muret e një vargu qytetesh antikë që po zbulohen sot anembanë trojevet të Ilirisë. Me ata gurë gjigantë, gdhendur dhe vënë rresht e sipër njri-tjetrit, sikur të ishin gips e jo granit, dhe me ata amfiteatro që rrëfejnë një kulurë nga më të përparuarat e atyre shekujve, duhet të krenohet njerëzimi!)

—————————————————

Mirëpo, tek po meditoj rreth këtyre kryevlerave të Kombit tonë, të cilat nuk na kanë munguar në të gjitha kohët, mua nuk po më le të qetë një mendim tjetër tepër i zymtë: Përkundër të gjitha këtyre KRYEVLERAVE, Kombi Shqiptar sapo vjen e po NGUSHTOHET! Shestani, për të cilin shkruan me aq përkushtim Dr.Simë Dobreci, është shndërruar tashmë në PEIZAZH GËRMADHASH. Kullavet dykatëshe prej guri u janë shembur çatitë. Banorët e Shestanit, që kanë zbritur në Tivar apo që janë përhapur gjithandej nëpër botë, po e braktisin gjuhën shqipe dhe, bashkë me gjuhën, po braktisin edhe përkatësinë e vet etno-kombëtare dhe çdo gjë tjetër që i lidh ata me paraardhësit.

Të ish vetëm Shestani, e keqja jonë do të pëmblidhej vetëm aty dhe tragjedia ndosha nuk do të konsiderohej kaq e madhe. Por RRUDHJA jonë po ndodh NGA TË GJITHA ANËT! Gjysma e Shqipërisë Jugore në krahun tonë jugor, Ohri, Manastiri dhe pjesa më e madhe e Shkupit në krahun lindor, pjesa veriore dhe verilindore e Kosovës (që gjenden jashtë kufijvet të Republikës së Kosovës), Sanxhaku, Bihori e Rozhaja, Plava e Podgorica, të gjitha këto krahina shqiptare, ka më se 100 vjet që i janë nënshtruar një tjetërsimi krejt të papranueshëm! Në çerekshekullin e fundit, në Republikën e Shqipërisë më shumë se gjysma e popullsisë aktive tashmë ka emigruar. Fshatrat kanë mbetur të shkretë! Dhe s’ka as dy javë që në mediat e Tiranës u perhap lajmi i zi, se rreth një milion shqiptarë janë të gatshëm për të kërkuar emigrim në SHBA. Mijëra ndihmësmjekë e infermierë po bëjnë kërkesa për të shkuar në Gjermani. Ç’po ndodh kështu me Kombin Shqiptar, me njërin prej thesarevet më me vlerë të historisë dhe kulturës gjithnjetrëzore?!

Para nja dy vjetësh tentuam të krijojmë në Prizren një institucion kulturor për kompaktësimin dhe mbrojtjen e Kombit tonë. Institucionin e quajtëm Përkujdesja Gjithshqiptare. Bëmë dy mbledhje dhe na dështuan që të dyja.

Dy ditë mbasi u pa se dështuan këto dy përpjekje tonat, vjen në Prishtinë një pedagog i nëjrit prej universitetevet tanë dhe rasti e solli që të rrinim bashkë. Në bisedë e sipër, profesori më thotë që, në të dyja ato mbledhje tonat kombëtare, (aspak armiqësore ndaj asnjë populli tjetër), kanë qenë të pranishëm e pakta dy SPIUNË TË SËRBISË. Që të dy ata spiunë nuk i njihte vetëm profesori në fjalë, por i njihte krejt krahina nga vinin ata. (Për arsye të kuptueshme, unë nuk po e përmend me emër atë krahinë.) Njërin prej atyre spiunëve profesori na e tregoi me emër e me shenja dhe ishte lehtësisht i dallueshëm.

…Në gushtin e këtij viti, më fton Agron Gjedia në “Festën e plisit të bardhë”, që e përmenda më sipër dhe që e organizonte shoqata “Bytyçi” në malin e Dajtit. Shkoj atje. Sheshi plot me valltarë e këngëtarë, ardhur nga një shumicë trevash shqiptare. I këndojnë Atdheut të vet. Krenohen që janë shqiptarë dhe që mbajnë në kokë plisin e bardhë shumëshekullor të ilirëvet dhe parailirëvet. Por, ç’të shoh, midis një të tillë atmosfere fesitve, e cila nuk dëmton askënd?! SPIUNI I SËRBISË që kish marrë pjesë në dy mbledhjet tona në Prizren dhe që unë e njihja tashmë, gjendej edhe aty! Mbante në kokë edhe ai një qeleshe të bardhë. Kalonte nga grupi në grup dhe dilte në fotografi herë me njërin e herë me tjetrin pjesëmarrës, duke synuar të dalë sidomos me kryetarët e grupevet artistikë.

Zbrita me teleferik nga mali i Dajtit me një shqetësim të rëndë në mendje e në shpirt. Por nuk kaluan as tri javë dhe më vjen një ftesë për të qenë i pranishëm në një tjetër festival folklorik. Këtë herë në Klos të Matit, ku unë kam shërbyer si mësues pothuaj një çerek shekulli. SPIUNI I SËRBISË, po ai që kish marrë pjesë në dy mbledhjet tona të Prizrenit dhe në “Festën e plisit të bardhë” në Dajt sipër Tiranës, gjendej edhe në Klos. Veshur me rroba kombëtare shqiptare (sepse edhe vetë është shqiptar i mallkuari), dilte në skenë sikur gjoja po i binte çiftelisë, por thjeshtë luante gishtat. Unë që e njihja, po ndiqja me vëmendje çdo lëvizje të tijën dhe po më vinte të thërrisja me zë të lartë në mes të turmës.

S’kaluan shumë, as orë e jo më ditë, dhe në botë u hap lajmi se Sërbia po kërkon që UNESKO-ja ta njohë LAHUTËN si “relike kulturore të kombit sërb”. Sërbia po kërkon kështu thesare që nuk i takojnë, ndërsa UNESKO-ja as që e merr mundimin të pyesë e të hulumtojë: A e kanë prurë lahutën me vete sërbët, kur kanë ardhur në gadishulin tonë, apo e kanë gjetur këtu?

Lakminë e sërbëvet për të zaptuar edhe toka të tjera të Shqipërisë, po e shohim në synimin e tyre këmbëngulës për t’i rimarrë: Mitrovicën Veriore, Zubin Potokun, Zveçanin, Ujmanin, Leposaviqin dhe përfundimisht për ta bërë të paqenë edhe Republikën e Kosovës.

Lakminë e grekëvet për të zaptuar edhe toka të tjera të Shqipërisë, po e shohim përditë në veprimet e tyre drejt Himarës, drejt Gjirokastrës, drejt Përmetit dhe drejt Korçës.

Në të dy rastet kemi të bëjmë me shtresa të tëra sërbe e greke, të paarrira as mendërisht, as kulturalisht dhe as moralisht. Një egoizëm primitiv i ka mbërthyer shpirtrat e këtyre kombeve. Dhe kjo ndodh sepse institucionet e tyre të mbijetesës, krijuar krejt justifikueshëm shumë shekuj më parë, janë shndërruar prej kohësh në institucione mbizotërimi dhe gllabërimi, krejt të pajustifikueshëm, në kurriz të Kombit Shqiptar.

Animet në krahun e sërbëvet apo të grekëvet dhe kundër Shqipërisë e Shqiptarëvet, të qarqevet të ndryshëm, madje edhe të qeverivet, sidomos të Lindjes, por jo pak edhe të Perendimit, janë të pranishëm ditë për ditë në të gjitha sferat e veprimtarisë: politike, ushtarake, ekonomike… Me spiunazh, me diplomaci, me diversion, ekonomik dhe kulturor, dhe me ç’t’u vijë përdoresh! Vetëm Shqipëria dhe Shqiptarët të mos përparojnë! Madje, mundësisht, të mos ekzistojnë!

Ç’është gjithë kjo fobi ndaj Kombit Shqiptar?! Ç’i ka zënë kaq shumë frika prej nesh, që jemi katandisur një grusht banorësh shqipfolës dhe, edhe po të duam, s’mund të rrëzikojmë askënd?! Është fare e thjeshtë për t’u kuptuar: Në një oborr me dhi, dhinë më të dobët, të bërë kockë e lëkurë nga ndonjë shkak i brendshëm, e sulmojnë me brirë të gjitha dhitë e tjera. Si i bëhet, që ajo dhi të shpëtojë prej sulmevet të pamend të shoqevet të veta? Asaj dhie i duhet një PËRKUJDESJE, në mënyrë që edhe ajo të mund t’i dalë zot vetes.

Ky paralelizëm, sado i rëndë dhe banal në përfytyrim, na ndihmon shumë për të kuptuar shkaqet e ngushtimit dhe të ringushtimit të territorit shqiptar, filluar prej kohëvet më të lashta pellazge e ilire dhe rifilluar edhe njëherë prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e këndej.

Për të ruajtur, mbrojtur, përparuar dhe përjetësuar gjuhën dhe kulturën tonë mijëravjeçare, HERONJTË E KOMBIT TONË kanë qenë dhe janë dritë, kanë qenë dhe janë udhërrëfyes dhe shumë herë madje kanë qenë dhe do të jenë vendimtarë në udhëkryqet e historisë sonë. Kanë qenë të tillë heronjtë e  Kombit tonë dhe do të jenë edhe në të ardhshmen, por NUK KANË QENË TË MJAFTUESHËM për t’u bërë ballë mynxyravet!

Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, NUK QENË MJAFTUESHËM dhe këtë e dëshmon fakti që, me gjithë heroizmin e tyre, Shqipëria, mbas tyre, erdhi duke u ngushtuar. Krahas tyre dhe në kohën e tyre, në Shestanin tonë të vogël, një Gjokë Preçi i Pervukanjvet të Gurrzës, përkundër terrorit malazias, nuk pranoi ta ndërronte veshjen e vet kombëtare me veshje malaziase dhe vdiq e u varros me qeleshe të bardhë në kokë. Por ai NUK ISHTE I MJAFTUESHËM, sepse, me të gjallë të tij, krejt Shetani u tjetërsua.

Ismail Qemali, Isë Boletini dhe Luigj Gurakuqi NUK QENË TË MJAFTUESHËM, sepse shteti shqiptar që e shpallën ata, në më pak se një vit rezultoi i copëzuar në mënyrën më çnjerëzore prej fqinjëvet dhe prej përtejfqinjëvet.

Çerçiz Topulli, Dedë Gjo Luli, Azem Galica, Shote Galica, Bajram Curri, ishin shprehje, ishin tregues që Kombi ynë ekzitonte dhe duhej të ekzistonte, por NUK QENË TË MJAFTUESHËM, sepse prapë kompaktësimi i Kombit tonë nuk u realizua.

Dhe kjo nuk ndodhi as më vonë, sado që Kombi ynë nxori dhe rriti individë të jashtzakonshëm, si për shembull një Enver Hoxhë, përkrahur e ndihmuar prej shumë heronjsh të tjerë të një epoke që ish e do të mbetet në historinë tonë nga më të ndriturat. Por as këta NUK ISHIN TË MJAFTUESHËM, sepse Shqipëria, jo vetëm që nuk shkoi dot në kufijtë e vet natyralë, por ndodhi që u rrënua për lemeri edhe kjo pjesë që na e kish lënë me adhap të madh  Konferenca shqipëricopëzuese e Londrës.

Drenica, në përfundim të shekullit njëzet, na dha një tjetër Azem Galicë. Na dha Adem Jasharin, familjarisht të sakrifikuar në altarin e ndritur të Kombit e të Atdheut tonë. Por as ai NUK QE I MJAFTUESHËM, sepse disa mijëra shqiptarë joheronj, përkundrazi, shqiptarë qyqarë, ua shitën shtëpitë e veta sërbëvet dhe ikën nga Mitrovica Veriore. E bënë gati kështu Mitrovicën Veriore për t’ia rifalur Sërbisë!

Mbi një million shqiptarë, aspak heroikë, e braktisën Kosovën në më pak se një muaj dhe ua lanë sërbëvet atë pjesë të Atdheut Shqiptar! Të mos ishin të njëzet mijë heronjtë e UÇK-së, a do të mund të ktheheshin në tokën e vet këta mbi një million shqiptarë atdhebraktisës?! Të mos ish edhe interesi i SHBA-së dhe i disa shtetevet të tjerë perendimorë, që kjo pjesë e Shqipërisë të mos i mbetej edhe këndej e tutje Sërbisë, të më se një million shqiptarët atdhebraktisës, sot do të endeshin nëpër Republikën e tejrrudhur të Shqipërisë ose nëpër botë, duke kërkuar mundësi mbijetese ku të mundnin e si të mundnin!

Në krahun tjetër: Sa shqiptarë të Republikës së Shqipërisë morën pjesë aktive në luftën për çlirimin e Kosovës, të kësaj pjese të paçliruar të Shqipërisë?! E gjithë pjesa tjetër që nuk mori pjesë aktive në atë luftë, pra, që nuk mori pjesë me armë në dorë, ishte pjesë JOHEROIKE e kombit Shqiptar.

Në pjesën e madhe, në pjesën dërmuese JOHEROIKE të Kombit tonë, si në çdo komb tjetër, ka me shumicë edhe LLUM SOCIAL me cilësi morale vajtimisht të paqëndrueshme. Në Kosovë kësaj kategorie shqiptarësh  i thonë BËRLLOG. Por, në përgjithësi, për të atillë njerëz, mund të përdoret edhe metafora PLEH, në shumës: PLEHËRA.

Te ata popuj që i kanë institucionet e vet të edukumit permanent kombëtar, PLEHËRAT SOCIALË, në pikëpamje sasiore proporcionale, janë më të pakët. Ose, edhe kur janë të shumtë, vihen në shërbim të kombit të vet. (Me shprehjen edukim permanent kuptojmë edukim në të gjitha moshat dhe në mënyrë të pandërprerë.)

Te ata popuj që nuk i kanë institucionet e vet të edukimit permanent, LLUMHANIA punon në përgjithësi kundër kombit të vet, sepse ka më shumë levërdi t’u shërbejë të huajvet. Ka më shumë llaço!

Historia e Kombit tonë është e mbushur plot e përplot me të tillë PLEHËRA që u kanë shërbyer të tjerëvet në të gjithë nivelet.

(Një sqarim përplotësues, për të mos u ngatërruar në koncepsione: Shtresëzimi i LLUMIT SOCIAL, rrjedhimisht edhe KOMBËTAR, fillon te hedhja dosido e këpucëvet, kur fëmija apo i rrituri hyn në shtëpi dhe te mosrregullimi dhe mospaloja e rrobavet të fjetjes kur çohet prej gjumit, qoftë fëmijë, qoftë i rritur, dhe shkon deri te një Vezir i Madh, i cili qëndron dhjetë vjet në krye të shtetit sundues dhe nuk kujtohet të hapë një shkollë në gjuhën e miletit të vet në vatanin e të parëvet të vet.)

——————————————-

E tash, në vijim të këtij pasqyrimi krejt pa lule e lajle, le të shohim pak se ç’po ndodh me GJUHËN TONË, në këto farë vorbullash ajër dhe ujëturbulluese. Tetëdhjetë për qind e shqiptarëvet që merren me shkrime, nuk po dinë të përdorin trajtën e shkurtër U të rasës dhanore të përemrit vetor ATA. Në vend të trajtës U, tetëdhjetë për qind e shqiptarëvet që merren me shkrime, përdorin trajtën I: ”Atyre i dhashë, atyre i thashë”. T’u thafshin goja edhe dora! Njerëzvet që e dinë se ku përdoret U-ja e ku përdoret I-ja, u ngrihen zorrët përpjetë.

Nëntëdhjetë për qind e shqiptarëvet që merren me shkrime, i përdorin gabim emrat e përveçëm të huaj. Nëntëdhjetë për qind e shqiptarëvet që merren me shkrime, i shkruajnë emrat e përveçëm të huaj vetëm në rasën emërore, madje në trajtë të pashquar: “Mori pjesë në pritjen zyrtare të Trump”. “Presidenti Meta mori letër urimi prej Macron”. Janë gati të të thonë edhe: “Mori një letër prej Ramush”. Ec e frenoji zorrët, po munde!

Je në qendër të Tiranës dhe s’guxon të ngresh sytë përpjetë, se ta shpojnë kokërdhokun fjalët e huaja: “ALBANIAN UNIVERSITY”. Të vjen menjëherë ndër mend “Klubi i Selanikut” i A.Z.Çajupit: “T’u thaftë goja, more beu ynë!” T’u thaftë dora, more rektori i këtij “JUNIVERSITI” që ke surrat dhe ma quan “SHQIPTAR (ALBANIAN)”! … “TRAVEL AGENCY”, “PRO CREDIT BANK”, CANDY”, SIGAL UNIQA GRUP AUSTRIA”, “UFO BOOC STORE”, “INFO POINT”, “ALKOS GROUP”, “MUSIC LIVE”, “EXCHANGE”, “CAFFE PASCUCCI”, “ULQINI, BAR, PETROVAC”. Ulqinit ia shkruan emrin shqip shqiptari i Tiranës, Tivarit shqiptari i Tiranës nuk di t’ia shkruajë emrin shqip!! T’u thaftë dora, more shqiptar i Tiranës!

Është krimbur gjuha shqipe! E ka krimbur pjesa E LLUMTË e shqiptarëvet! Që nga Tirana deri në Prishtinë, anembanë Shqipërisë, shqiptarëvet po u gërvishten sytë prej shkonjavet-krimba e prej fjalëvet të krimbura! Dhe dihet që, kur një gjellë ka zënë krimba, atë e pret koshi i plehëravet! Mos ndodhtë kështu me gjuhën tonë! U pastroftë krimbash gjuha jonë, para se të bëhet e papërdorshme!

S‘është aspak fjala për ksenofobi! Ksenofob i thonë atij njeriu që i urren gjuhët e huaja. Unë nuk urrej asnjë gjuhë të huaj. Të zemërohesh dhe të alarmohesh kur dikush e ndot gjuhën tënde dhe të përpiqesh për ta ruajtur të pastër atë gjuhë, është veprimi më i arsyeshëm dhe më i përligjur i cilitdo individ të botës.

A mund ta përfytyrojmë tash, çfarë populli jemi ne shqiptarët?! Po. Mund ta përfytyrojmë. Por nuk mjafton të përfytyrojmë, të trishtohemi apo edhe të alarmohemi. Duhet të konkludojmë pjekurisht dhe me një mençuri rezultative. Pse ka ndodhur kështu me Kombin tonë dhe pse e njëjta pamje indinjuese mund të na shfaqet edhe në të ardhshmen?! A na kanë ndodhur këto dukuri krenarindrydhëse, sepse ne jemi një komb më i keq se të tjerët?! Unë them: Jo! Ne nuk jemi një komb më i keq se të tjerët! Përkundrazi, kemi shumë shembuj për t’u krenuar më shumë se shumë kombe të tjerë! Mirëpo, kjo rrudhje, kjo mungesë mobilizimi edhe të pjesëvet tona joheroike, na ka ndodhur dhe mund të na ndodhë në të ardhshmen edhe më keq, sepse ne nuk kemi pasur dhe nuk kemi ende një INSTITUCION PËRBASHKUES TË ORGANIZUAR.     

—————————————————

Nga e gjithë kjo që e shtjelluam deri këtu, nisur pikërisht prej veprës së njërit prej heronjvet të kohës sonë, Dr.Simë Dobrecit, të gjithë shqiptarët, por në radhë të parë majaja e intelektit të këtij Kombi, duhet ta kuptojnë se, pa e aftësuar pjesën tonë JOHEROIKE për t’u rezistuar sfidavet, Kombi ynë do të rrëzikohet të rrudhet edhe më shumë, deri në situatat e zhdukjes së plotë. Shenjat janë! Të lejosh shkatërrimin tërësor të një ekonomie shumë të konsoliduar dhe t’i tregosh popullit rrugën e gjetjes së “lumturisë” jashtë Atdheut, kjo është dëshmi e qartë që, sidomos pjesa jonë JOHEROIKE s’është në gjendje ta ruajë identitetin, as të vetëvetes, le më të Kombit e të Atdheut të vet. Nëse kthehemi njëqind vjet më mbrapa, do të shohim që pjesa ortodokse JOHEROIKE e gjysmës së Shqipërisë Jugore i është nënshtruar thuajse tërësisht greqizimit. Pse i kanë ndodhur dhe pse po vazhdojnë t’i ndodhin Kombit tonë këto katastrofa etno-kulturore, por edhe ekonomike?!

Të gjitha këto, që nuk janë aspak të lehta për t’u gëlltitur, prapëdeprapë, nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se Kombi ynë është nga kombet më të rezistueshëm në botë. E ka thënë këtë Asdreni dhe e kemi të përditësuar këtë thënie edhe në Himnin Kombëtar: “Se Zoti vetë e tha me gojë/ që kombe shuhen pëmbi dhe,/ po Shqipëria do të rrojë;/ për të, për të luftojmë ne!// Nuk po ndalem tash në komentimin e zgjëruar të këtyre vargjeve, por thelbi është ky: Shumë kombe janë zhdukur dhe vazhdojnë të zhduken, ndërsa ne, çuditërisht, i jemi shmangur zhdukjes. Pyetja që na intereson ne në këtë kontekst, është: Pse janë zhdukur një shumicë kombesh dhe pse do të zhdukemi edhe ne, nëse nuk luftojmë siç thotë Asdreni, pra nëse nuk përpiqemi në mënyrë efikase për t’iu shmangur zhdukjes?! Përgjigjja është: Kombet që janë zhdukur, nuk e kishin krijuar dot MEKANIZMIN E IMUNITETIT, i cili do t’u siguronte atyre jetëgjtësinë. Midis tjerash, ata nuk kishin siguruar, që edhe pjesa e tyre JOHEROIKE të shndërrohej në faktor, madje, në faktor të rendësishëm të ruajtjes së identitetit. Në këtë grup etnitetesh dhe kombesh, të kërcënuar përjetësisht nga shuarja, bëjmë pjesë edhe ne, përndryshe, duke qenë dikur të shtrirë nga Sllovenia e sotme deri në Azi të Vogël, nuk do të ishim katandisur në një grusht popullate, për të cilën Brukselit do t’i duhet një gjysmë shekulli për t’u menduar: T’i pranojë a të mos i pranojë shqiptarët në të quajturin Bashkim Evropian!?

Në anë tjetër, në botë ka mjaft popuj që kanë qenë të rrëzikuar, por që, duke krijuar INSTITUCIONET E TYRE TË IMUNITETIT, jo vetëm nuk janë zhdukur, por ia kanë arritur të asimilojnë edhe popuj të tjerë. Secili prej tyre, filluar që nga Japonia dhe Kina, ka  shpjegimet dhe historitë e veta, por unë po sjell këtu vetëm shembujt e disa popujve, me të cilët kemi kontakte.

Sot nuk do të kishim as komb grek, as Greqi, nëse krishtërimi nuk do të ish predikuar NË GJUHËN GREKE, nëpër kishat ku ata mblidheshin.

Muhameti ka meritën e madhe në krejt ç’ka ndodhur në kombin arab që nga shekulli VII e këndej, pikërisht sepse monoteizmin e predikoi NË GJUHËN ARABE, nëpër xhamitë ku ata mblidheshin.

Bullgarët krijuan kishën e tyre autoqefale dhe e predikuan fenë ndër besimtarët e vet NË GJUHËN BULLGARE, ndryshe nuk do të arrinin kurrë të krijonin as mbretëri, jo më perandori.

Sërbët e krijuan shtetin e tyre në trojet e Ilirisë, mundën të mbahen disi deri në fillim të shekullit XIII, falë zotësisë dhe dinakërisë së zhupanit të tyre Stefan Nemanja, por nuk do të kihin mbijetuar kurrsesi, në qoftë se s’do të kishin krijuar kishën e tyre autoqefale në vitin 1219, kishë e cila do ta predikonte krishtërimin NË GJUHËN SËRBE nëpër kishat e manastiret ku do të mblidheshin sërbët dhe jo vetëm sërbët.

Kjo është metoda, me anën e së cilës elita (e cila mund të jetë edhe e pamoralshme), e mbledh rreth vetes pjesën JOHEROIKE të etnisë apo të kombit dhe ia siguron ashtu mbijetesën cilitdo popull në botë. A do të kishim sot një komb gjerman, pa luterizmin, i cili ka në thelbin e vet pikërisht predikimin e fesë NË GJUHËN GJERMANE?!

Atëherë, cila është rruga historike e ardhshme e shqiptarëvet, me qëllim që të mos vazhdojë më ngushtimi i tyre, as si territor, as si numër popullsie? Që t’i mbështeten njërit nga religjionet tradicionalë, shqiptarët nuk i kanë kushtet objektivë. Nuk i kanë pasur madje as në shekullin XIX dhe prandaj Rilindja Kombëtare Shqiptare nxori maksimën e vet të mbijetesës “Feja e shqyptarit asht shqyptarija”. Në këtë mënyrë, feja, religjioni, mbetej përcaktim individual ose grupor, ndërsa përkatësia kombëtare ishte e përbashkët për të gjithë shqiptarët. Ka qenë ndoshta e para maksimë e kësaj përmbajtjeje në shkallë BOTËRORE. Dhe ka qenë, ndoshta, ÇELËSI I VETËM SHPËTIMTAR I KOMBIT TONË, për të hyrë të gjallë në epokën e re që po vinte. Këtë e dëshmon më së miri përbërja e Qeverisë së Vlorës, e cila, me plot gojën meriton të quhet më i rëndësishmi Sinod i Shenjtë i Kombit Shqiptar, mbas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili u mblodh dhe zhvilloi punimet mbi parimin tashmë qartësisht shpëtimtar “Feja e shqyptarit asht shqyptarija”.

E vetmja MANGËSI e këtij parimi mirëfilli SHPËTIMTAR për Kombin tonë ka qenë MOSTHEMELIMI I PREDIKATOREVET, të cilat sot, me shumë të drejtë dhe me perspektivë pavdekësie, po i quajmë FJALËMIRA TË GJUHËS SHQIPE dhe të cilat do t’i mblidhnin shqiptarët, rregullisht në ambientet e vet, siç ka vepruar dhe siç vepron cilido religjion i cilitdo komb të botës. Por kjo MANGËSI është plotësisht e justifikueshme. Religjionet nuk lindin as brenda ditës, as brenda vitit. Religjionevet u duhen shekuj për t’u formatuar dhe për t’u konsoliduar. Nga kryqëzimi i Jezu Krishtit deri në pranimin e besimit të tij si besim legal, u deshën më shumë se 300 vjet. I njëjti rrugëtim, tepër i vështirë, i pret edhe RELIGJIONET JOMISTIKË, por gjithsesi shenjtërorë, prijatar i të cilëvet ndoshta i ka takuar të jetë pikërisht Kombit Shqiptar, ekzistenca e të cilit është më shumë se kurrë e rrëzikuar pikërisht sot, në epokën kur ai arriti të ketë dy shtete. Me dy shtete, por ende pa INSTITUCIONIN e tij të kompaktësimit, pa RELIGJIONIN e tij kombëtar të ORGANIZUAR! (Për të mos u ngatërruar lexuesi, po e shpjegoj edhe fjalën religjion. Fjala religjion vjen nga latinishtja religio dhe ka domethënien vetëdije dhe besim. Ne BESOJMË te gjuha jonë dhe te vlerat e tjera pozitive të Kombit tonë dhe punojmë me VETËDIJE për t’i ruajtur, mbrojtur e përjetësuar të gjitha këto vlera.)

Një problem shumë i madh, që i del përpara këtij RELIGJIONIT tonë kombëtar (që e kemi quajtur Përkujdesja Gjithshqiptare), janë marrëdhëniet me kombet që na rrethojnë.

Në një artikull që u botua në një gazetë malaziase para shumë vitesh, shprehej “çudi e madhe”, si mundi që një “sllav”, një “malazias”, të „shndërrohej“ papritur në shqiptar. Ish fjala për Dr. Simë Dobrecin, i cili, në dokumente, deri atëherë ish quajtur Sima Gj. Dobrecoviq. (f.135-141) Kjo është dëshmia më autentike se në çfarë mjerimi gjendet vetëdija e popujvet që jetojnë rretherrotull shqiptarëvet!

Ne, si Përkujdesje Gjithshqiptare, do të na duhet një punë shumë e madhe për të ndikuar edhe në emancipimin e fqinjëvet tanë. Do të duhet të njihemi, të afrohemi dhe të bashkëbisedojmë, sidomos me pjesët e kthjellëta, jomiope dhe joskolastike, të këtyre kombeve. Do të jetë punë shumë e vështirë, por jo e pamundur, sepse, sidoqoftë, brezat ndryshojnë njëri nga tjetri. Njohja, afrimi dhe bashkëkomunikimi, do të bëhen me të gjitha sferat e superstrukturavet: me shkrimtarë, me gazetarë, me profesorë dhe sidomos me akademitë.

Mbi Akademinë e Shkencavet Greke në Athinë do të duhet të ndikojmë fort, që ajo të mos e quajë “çlirim” pushtimin e gjysmës jugore të Shqipërisë Jugore. Lidhur me këtë, Greqisë do t’i duhet të kryejë një revolucion të vërtetë në të gjithë tekstet e saj filologjikë. Asaj do t’i duhet të mos i quajë pjesë të Greqisë, as Notio Epirin, as Vorio Epirin, sepse Epiri s’ka qenë kurrë Greqi. Por këta ndryshime në mentalitetin e grekëvet do të jenë të domosdoshëm për t’u kryer. Përndryshe, mund të mos ketë më shqiptarë, por edhe grekë mund të mos ketë më.

Me Bullgarinë besoj se do ta kemi diç më lehtë, por edhe atje ka koka të thartuara, të cilat nuk i quajnë Shqipëri viset deri në brigjet e Vardarit, por ua ka ënda t’i thonë Bullgari edhe Ohrit e madje edhe Gollobordës e Librazhdit.Gjithsesi atje ka më shumë dijetarë realistë dhe të arsyeshëm.

Akademisë Sërbe të Shencavet dhe Artevet do t’i duhet të shkëputet prej ndikimit të Kishës Pravosllave Sërbe, sepse ajo Kishë është tepër konservatore. Shovinizmi sërb buron te Kisha Pravosllave Sërbe, fuqizohet te Akademia Sërbe e Shkencavet dhe Artevet dhe përhapet në formë HELMI në krejt kombin sërb. Njerëzit e ditur të Sërbisë do të duhet ta kuptojnë se një i tillë helm vërtet i vret aq sa mund fqinjët e Sërbisë, por ai e vret edhe kombin sërb. Të gjithë helmet e vrasin trupin ku janë injektuar. Të gjithë tekstet e filologjisë sërbe do të duhet të spastrohen prej pasaktësivet tepër të neveritshme. Pra, prej helmevet që në radhë të parë e vrasin kombin sërb, pastaj, në mundshin, vrasin edhe të tjerë. Për shembull, slogani “Kosova është djepi i Sërbisë”, nuk ka qenë kurrë pasqyrim i së vërtetës dhe ai nuk duhet të vazhdojë ta helmojë edhe këndej e tutje kombin të cilit i është injektuar.

Akademia e Shencavet e Malit të Zi ka nisur një punë serioze, që tekstet e historisë të pasqyrojnë të vërtetat. Megjithkëtë edhe kjo Akademi është ende shumë larg asaj që duhet të arrijë. Për shembull: Sado që dinastia e Vojisllavleviqëvet, që ish një dinasti sllave, ndodhej në pushtet në principatën e më vonë mbretërinë e Dioklesë, në shekujt XI-XII, popullsia e Dioklesë, as më parë, as në ata dy shekuj, nuk ka qenë sllave. Shembulli i dytë: Dinastia e Balshajvet, sado që pushteti i saj shtrihej edhe mbi Zentën, ishte një dinasti arbërore. Balshajt vërtet martoheshin me gra sllave, por vetë nuk ishin sllavë. Vetë kombi malazias është një komb i gatuar me miell kryesisht arbëror dhe vllah, ndërsa magjetorja e atij kombi ka qenë Kisha Pravosllave Sërbe dhe ajo Kishë i ka hedhur asaj buke edhe tharmin sllav.

Përkujdesja Gjithshqiptare, në arrifshim ta vëmë në këmbë me të gjithë strukturën e saj, do t’i bëjë mirë krejt Gadishullit të Ilirisë, por edhe më gjërë.

Libri i Dr.Simë Gjon Dobrecit “Përmbledhje vlerash njerëzore” e shtie lexuesin në shumë mendime. Veçanërisht lexuesi që i njeh historinë e shqiptarëvet dhe gjendjen e sotme të shqiptarëvet, do të ndjehet tepër i shqetësuar: A fatin e Shestanit do të pësojnë Shqipëria dhe shqiptarët?! A fatin e gjysmës së Shqipërisë Jugore do të pësojmë?! Të vetmit njerëz që nuk do të shqetësohen, do të jenë ata shqiptarë që NUK LEXOJNË libra që lidhen me Shqipërinë dhe me Shqiptarët. E them këtë, sepse, tek po kaloja, dje apo pardje, mes për mes Sheshit “Skënderbej”, i hodha sytë mbi një stendë librash dhe vura re që aty NUK KISH ASNJË LIBËR ME AUTOR SHQIPTAR. “Ç’është kjo pikë e zezë?!” thashë me vete. A thua, edhe ata pak shqiptarë që lexojnë libra, nuk po duan t’ia dinë çfarë shkruhet për Vendin e tyre dhe për Kombin e tyre?! Dhe, natyrisht, tepër i trishtuar, i bëra këtë pyetje vetes: “Këtë libër që e ka shkruar me aq përkushtim Dr.Simë Gjon Dobreci, shumë pak shqiptarë kanë për ta lexuar dhe, rrjedhimisht, në mos ndërrofshin shqiptarët qëndrim ndaj vetes, ç’e ka gjetur Shestanin, shumë shpejt ka për ta gjetur krejt Shqipërinë.” Mos qoftë e thënë, por shenjat janë më se alarmues! Vetëm nëse do të arrijmë ta vëmë në punë sa më shpejt PËRKUJDESJEN GJITHSHQIPTARE, mund të shpresojmë që gjendja të ndryshojë.

21-28 dhjetor 2018.

Comment

*