Hetimet mbi Rusinë, dalin aktpaditë e para

Ish-menaxheri i fushatës presidenciale të Donald Trumpit, Paul Manafort dhe një ish-partner i tij biznesi, Rick Gates akuzohen për vepra penale, ndër të cilat komplot kundër Shteteve të Bashkuara, shkelje të ligjit për regjistrimin si përfaqësues të një qeverie të huaj si dhe akte të tjera penale që lidhen me evazion fiskal dhe larje parash. Akuzat u ngritën sot në kuadër të procesit hetimor për të zbuluar si ka vepruar Rusia në përpjekjet e saj për të manipuluar zgjedhjet presidenciale të 2016:

Aktpaditë iu lexuan sot dy të akuzuarve që u dorëzuan vetë tek autoritetet federale për të shmangur ballafaqimin me agjentët e FBI-së para kamerave dhe publikut.

Këto janë aktpaditë e para që ngrihen në kuadër të procesit gjithnjë e më të gjerë hetimor që po zhvillon prokurori special Robert Mueller. Prokurorit Mueller i është besuar detyra për të drejtuar hetimet mbi rolin që ka luajtur Rusia në zgjedhjet e vjetshme presidenciale, kontaktet me shtetas amerikanë, në veçanti me punonjës të fushatës presidenciale Trump dhe nëse në këto kontakte ka pasur shkelje të ligjit federal.

Aktpadia e paraqitur në gjykatën federale në Uashington i akuzon Manafort-in dhe Gates-in se kanë kaluar miliona dollarë në llogari bankare në vendet që shërbejnë si “parajsa fiskale”, jashtë Shteteve të Bashkuara, pa deklaruar pagesat që kanë marrë për punën në interes të qeverisë së Ukrainës. Të dy ata akuzohen se kanë shkelur ligjin që kërkon që kushdo që vepron në emër të një qeverie të huaj të regjistrohet në Departamentin e Drejtësisë si përfaqësues i një shteti tjetër. Akuzat e tjera lidhen me evazion fiskal, fshehje të llogarive bankare, deklarata të rreme para autoriteteve federale e vepra të tjera.

Më parë, të dy të akuzuarit kishin mohuar se kishin kryer akte të paligjshme. Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të komentojë për aktpaditë.

68-vjeçari Manafort u shkarkua nga detyra e menaxherit të fushatës në gusht 2016 pasi dolën fjalë se kishte organizuar një operacion të kamufluar lobizmi në favor të interesave ruse në Ukrainë. Aktpadia e akuzon Paul Manafort-in dhe Rick Gates-in se kanë orkestruar një operacion të fshehtë thuajse për një dekadë për interesat e partisë së Yanukoviçit në Ukrainë dhe për të transferuar fshehtazi miliona dollarë në llogari të huaja bankare.

Ndërkohë aktpadi të tjera priten në ditët në vazhdim në kuadër të hetimeve nën prokurorin special Robert Mueller, i cili e mori detyrën në maj për të drejtuar procesin hetimor të Departamentit të Drejtësisë lidhur me ndërhyrjet e Kremlinit në zgjedhjet presidenciale dhe rolin që mund të kenë luajtur punonjës të fushatës Trump.

Manaforti është përmendur prej muajsh si një ndër të dyshuarit.

Hetimet e prokurorit Mueller përfshijnë edhe rrethanat e shkarkimit të drejtorit të FBI-së, James Comey. Hetuesit kanë kërkuar nga Shtëpia e Bardhë dokumente të shumta lidhur me veprimet e Presidentit Trump dhe kanë intervistuar disa zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm të administratës. (VOA)

Comment

*