Hija e skandalit në krye të Bashkësisë Myslimane të Kosovës

A e ka plagjarizuar kryemyfti Tërnava dizertacionin e tij në Universitetin Amerikan të Kairos në Egjipt?  Akuza të rënda nga Qendra për Pluralizëm Islamik (CIP) për njeriun që dyshohet se po ndryshon kushtetutën e BIK-ut që të mbetet deri në fund të jetës si kryetar

 

Qendra për Pluralizëm Islamik (CIP) ka akuzuar kryemyftiun e Kosovës se ka plagjarizuar studimin e tij për të cilin ka marrë gradën Master.
Sipas një deklarate të rrjetit ndërkombëtar që ka në radhët e tij një numër myslimanësh të shquar, mes tyre dijetarë, klerikë, autorë librash, gazetarë, sheikë sufi etj, mashtrimi me tezën e studimeve e bën Naim Tërnavën të papërshtatshëm për të udhëhequr Bashkësinë Islamike të Kosovës.
Kjo akuzë e rëndë vjen në një kohë të ndjeshme për BIK-un. Organizata sapo ka ndryshuar kushtetutën e vet, në mënyrë që të lejojë rizgjedhjen për një mandat të tretë të kryetarit. Kritikët dyshojnë se ky akt po hap rrugën që Naim Tërnava të bëhet një lloj udhëheqësi i përjetshëm i BIK-ut.
Burime të gazetës “Illyria” thonë se CIP ka qenë në dijeni prej kohësh të dyshimeve për kredencialet shkollare të kryemyfti Tërnavës, mirëpo, ose nuk ka pasur kohë e mundësi ta verifikojë ose e ka verfikuar por ka preferuar të mos krijojë destabilizim në jetën fetare dhe shoqërore të Kosovës. Mirëpo, përpjekja për ta bërë Tërnavën një lloj kryemyftiu të përjetshëm duket se ka ndryshuar pozicionin e CIP-it.
Shqyrtimin e vlerës së dizertacionit të Tërnavës duket se e kanë kryer një numër dijetarësh të shkolluar në gjuhën arabe. Studimi është shkruar për Universitetin e Hapur Amerikan të Kajros në vitin 2003. Titulli i dizertacionit ka qenë “Akida myslimane dhe efekti i saj mbi individin dhe kombin”. Supervizor i temës së diplomës ka qenë Muhammad Rashad Abd Al-Aziz Dehemesh, nga Shkolla Al-Azhar e Studimeve Arabike dhe Islamike.
Duket se teksti i paraqitur nga Tërnava ka përvetësuar shumë pjesë nga një tjetër studim, ai i dijetarit islamik, Zija Abdullah, me titull “Efekte të Akidës Myslimane që udhëzojnë sjelljen” në Universitetin Zaytuna në Tunizi në vitet 1997-1998.
Kur studjuesit reflektojnë ide dhe studime të mërparshme ato duhet të citohen në mënyrën e duhur e jo të shiten si të autorit të ri. Për mungesa të tilla, shkollat serioze në botë mund të veprojnë duke ta hequr titullin ose gradën shkencore. Zakonisht, kur kjo ndodh me figura të njohura ato japin dorëheqjen nga postet që kanë për të mos i krijuar probleme institucionit që drejtojnë ose përfaqësojnë.
Nëse akuzat kanë themel, ndoshta të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe kryemyftiu i Kosovës, ndonëse dorëheqjet janë të rralla në Ballkan e në trojet shqiptare.
Për ta rënduar më shumë situatën, duket se edhe vetë Dr. Zija Abdullah është ankuar pranë autoriteteve të Kosovës lidhur me këtë vjedhje të pronës intelektuale.
Qendra për Pluraliëm Islamik ka përfunduar se Naim Tërnava ka udhëhequr komunitetin islamik të Kosovës, duke gënjyer e manipuluar vlerat e tij.
Nuk dihet se sa mund të ndikojë kjo në procesin zgjedhor të BIK-ut. I vetmi kundërshtar zyrtar dhe i njohur, Xhabir Hamiti u përjashtua nga Këshilli i organizatës kur kritikoi kryemyftiun në fillim të procesit zgjedhor.
Në këto vite Tërnava është akuzua nga shumë drejtime. Mes myslimanëve më të radikalizuar atij i ka munguar aftësia udhëheqëse në tema si për shamitë e vajzave në shkollë dhe për xhaminë e re të kryeqytetit. Mirëpo, nga ana tjetër, ai është kritikuar se përkundrazi, gjatë kohës së tij, ai ka lejuar që rrymat radikale të ulen këmbëkryq në Kosovë, duke helmuar bashkëjetesën tradicionale ndërfetare shqiptare.
Tërnava është kritikuar se është treguar tmerrësisht tolerant me imamë radikalë që bëjnë fjalime përçarëse e radikalizuese ndërkohë që nuk ka kursyer asnjë mjet kundër imamëve që kanë guxuar ta kur dikush të kritikojnë mënyrën e administrimit të BIK-ut.
Një tjetër akuzë për Tërnavën ka qenë e natyrës politike. Ai është parë shumë i afërt me Haxhim Thaçin dhe partinë e tij.
Vetë kryemyftiu i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat por nuk ka bërë ende ndonjë reagim për akuzën e plagjiarizmit. (Illyria)

Comment

*