Hillary Clinton mund të kandidojë për kryetare bashkie në New York City

Ndoshta është thjesht thashethemi i fundit politik, mirëpo Hillary Clinton po përmendet në mbarë median amerikane si kandidate e mundshme për postin e kryetares së Bashkisë në New York City.
Pas humbjes në zgjedhjet presidenciale ish-Sekretarja e Shtetit ka rralluar jashtëzakonisht daljet e saj në publik dhe të shumtë janë ata që kanë menduar se e ka lënë përfundimisht politikën.
Mirëpo, shumë miq e donatorë të saj në vite kanë filluar që t’i kërkojnë që të kandidojë për kreun e Bashkisë së Qytetit të të famshmëm të Shteteve të Bashkuara.
Shumë kryetarë bashkish në vite e kanë quajtur postin e tyre, si i “dyti në botë pas atij të Presidentit të Amëerikës”, pra Hillary Clinton do të “zbriste” nga gara për postin më të lartë, në garë për të dytin.
Një arsye pse kjo është e vështirë që të ndodhë është se ajo do të detyrohej të përplasej me aleatin e saj Bill de Blasio, i cili është aktualisht kryetar bashkie në New York dhe i cili po përgatitet për të kandiduar për së dyti.
Hillary Clinton nuk do ta kishte vështirë të fitonte kundër një republikani për kreun e Bashkisë, mirëpo më parë do të duhej të mundte deBlasion brenda Partisë Demokrate. Në New York, ka shumë liberalë të majtë që mbështesnin Bernie Sanders, do të ishte një riinskenim i betejës parapresidenciale që i kushtoi aq shumë ish-senatores amerikane.
Nga ana tjetër përkrahja për de Blasion ka rënë në qytet dhe disa demokratë të njohur po vrasin mendjen nëse duhet të futen në garë. Ata nxiten edhe nga guvernatori Andreë Cuomo, marëdhëniet e të cilit me de Blasion nuk kanë qenë asnjëherë të mira.
Nuk dihet nëse Hillary Clinton është gati të rifutet në politikë pas humbjes traumatike të zgjedhjeve presidenciale në 8 nëntor. Mirëpo, është edhe fakt, që as ajo e as ndonjë ndihmës i afërt i saj nuk ka nxituar të përgënjeshtrojë lajmin se demokratja e njohur mund të kandidojë për kryetare bashkie në New York City. (Ruben Avxhiu)

One Response to “Hillary Clinton mund të kandidojë për kryetare bashkie në New York City”

Read below or add a comment...

  1. ben says:

    Nuk rrijne dot pa poste Clinton-et!

Comment

*