Historia e familjes Kirka, në librin “Shqiptarët e Amerikës”

Ribotohet si një homazh për Niko Kirkën

 

Për t’i dhënë lamtumirën aktivistit dhe atdhetarit të komunitetin tonë, Niko Kirkës (i cili ndërroi jetë në Nju Jork, në moshën 94-vjeçare), por ribotojmë këtë shkrim nga libri “Shqiptarët e Amerikës”, me autor Vehbi Bajrami, botues i gazetës “Illyria”. Asgjë nuk ë bënte më shumë krenar Niko Kirkën sesa kontributi i babait të tij, Kristo Kirkës, në krijimin e Vatrës dhe Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Një bashkëpunëtor i Fan Nolit dhe patriot i devotshëhm, Kristo Kirka la Amerikën për të ndihmuar Shqipërinë dhe u “shpërblye” me vdekje në burgjet politike të diktaturës së Enver Hoxhës.
Edhe Niko Kirka vuajti më shumë se një dekadë në ato burgje, ku përjetoi vdekjen e të atit e pasaj vazhdoi jetën si i presekutuar i regjimit.
Një prej të mbijetuarve të mëdhenj të komunizmit, Niko Kirka, përjetoi rrëzimin e komunizmit, rihapjen e kishave ortodokse në vend, rivlerësimin e figurave patriotike.
Niko u rikthye në SHBA, ku jetoi për gati çerekshekulli, në vendin ku kishte lindur, e ku kishte nisur historia e re e Shqipërisë. Deri në fund të jetës nuk rreshti në luftën e tij për të dëshmuar historinë, për të çliruar Kishën Shqiptare nga ndërhyrjet greke, për vendosjen e demokracisë së vërtetë në Shqipëri.
Niko Kirka ishte bashkëpunëtor i afërt, për shumë vite, i gazetës “Illyria”. Ai bashkëpunoi me kënaqësi me autorin Vehbi Bajrami, që historia e tij dhe e familjes së tij të ishin pjesë e librit “Shqiptarët e Amerikës”.
Për shërbimet mortore:
Ditën e Martë , 4 Dhjetor 2018, 4.00 PM – 9.00 PM
Farenga Brothers, 920 Allerton Ave, Bronx, NY 10469
(718) 654-0500
Telefoni i Familjes: 718- 881-1863.
I ndjeri la pas bashkë shorten Meri Kirka, djalin Krist Kirka me bashkëshorten dhe djalin, vajzën Laura me të bijën e të afërm të tjerë.
I qoftë dheu i lehtë patriotit Niko Kirka!

 

Atdhetar’ i shquar, vdes në burg i vetmuar

Nga Vehbi Bajrami,

Niko Kirka në mes të Julia Kirkës (majtas) dhe nënës Andromaqi.

NEW YORK

Midis fotografive të varura në murin e banesës së Niko Kirkës në Bronx, njëra, më e madhja, është vendosur në pjesën më të dukshme të dhomës, përballë tavolinës së tij të punës. Është ai vetë, Niko shtatë vjeçar, dalë në vendlindjen e tij, në Boston, më 1932, veshur me kostumin kombëtar të Shqipërisë së Veriut.
Niko e kapi shikimin tim pyetës, përqëndruar mbi kostumin verior dhe tha:
– Im at, Kristo Kirka, i cili kishte lënë Korçën dhe kish ardhur në Amerikë më 1905, kur do të nisej nëna për ta vizituar më 1930, i shkroi asaj një letër: “Kur të vish këtej, të lutem, m’i sill birit tim një kostum kombëtar të Veriut. Dua që edhe në këtë mënyrë t’i ngulis tim biri dashurinë ndaj Veriut të Shqipërisë, dashuri kjo, që nuk ka munguar kurrë në familjen tonë…”.
Dhe nëna e solli.
Kristo Kirka, një atdhetar i njohur, bashkëpunëtor i Nolit, Konicës, Pecit e patriotëve tjerë të Rilindjes që vepruan në atdhe, Evropë e Amerikë, u lind në Korçë më 1883. Emigroi në SHBA dhe, pasi jetoi e punoi disa vjet në Boston, më 1933 u kthye përgjithmonë në Shqipëri me bashkëshorten dhe tre fëmijët. Pas Luftës së Dytë Botërore, regjimi i Enver Hoxhës e dënoi me burg. Patrioti i shquar Kirka, vdiq në Burgun e Burrelit më 1955. I biri i tij, Niko, erdhi në Amerikë vetëm pas gjashtë dekadash, kur u hapën edhe dyert e Shqipërisë, pas shembjes së komunizmit.
Kur dielli i demokracisë po shfaqej edhe në horizontin shqiptar, Nikua për herë të parë nxori nga arka fotografitë e babait, të bashkëpunëtorëve të tij dhe një pjesë të dokumentacionit si letërkëmbime, falënderime e mirënjohje për veprimtarinë e tij. Vetëm ata që kanë jetuar në Shqipëri gjatë diktaturës e dinë se ç’ rrezik ishte të ruaje në shtëpi fotografi e dokumente të tilla. Në dosjen e fshehtë të Niko Kirkës ishte e palosur për më shumë se gjysëm shekulli edhe çertifikata e tij e lindjes. I ati e regjistroi në Konsullatën e Mbretërisë Shqiptare në Boston, si “qytetar i Shqipërisë”. Kristo nuk donte që i biri të merrte shtetësi të huaj.
Biseda me Niko Kirkën për të atin rrodhi përmes fotografive, letrave e dokumenteve, që janë ruajtur si thesar i vyer. Mungesat i plotëson kujtesa e Nikos.
Babai i Kristos, Dhimitri, ishte tregtar peliçesh, kryeplak i respektuar i lagjes, ndërsa daja, Ciko Alla, njëri nga nëntë arhondët që drejtoi qytetin e Korçës në vitet 1820-të. Të dy këta ndikuan në formimin atdhetar të Kristos. Vetë ai, që në moshë të re, pati përplasje me shovinistët grekë dhe u detyrua që të linte atdhenë, sapo mbaroi gjimnazin. Disa shovinistë e kishin denoncuar tek autoritetet turke. Emigroi në Amerikë. Menjëherë mori pjesë në veprimtaritë patriotike dhe u bë krah i Fan Nolit, Faik Konicës e Sotir Pecit.

Kristo Kirka, ne moshen e rinise.

Më 1906 kur filloi botimi i gazetës “Kombi”, ajo kishte nevojë për ndihma materiale. Sotir Peci e Fan Noli vajtën në Natick dhe u bënë thirrje bashkatdhetarëve që të ndihmonin. Kristo Kirka bashkë me Andrea Panin, Kol Tromarën, Ilo Tromarën, Sotir Noken, Ilo Zdrulin e disa të tjerë, mblodhën paratë e nevojshme.
Kristo e ndjen në shpirt gjendjen e shqiptarëve në atdhe e mërgim. Revoltohet shpirtërisht për qëllimet e mbrapshta të Fanarit, i cili i rrinte me kthetra mbi kokë Shqipërisë së Jugut. Intrigat politike të grekëve kishin depërtuar edhe në kontinentin e largët midis shqiptarëve, të cilët banonin kryesisht në shtetin Massachusetts. Ai së bashku me Vangjo Millerin, Sotir Pecin, Spiridon Huan e Gaqo Dushin përbënin komisionin që shkoi në New York për të dëshmuar dorëzimin prift të Fan S. Nolit.
Rilindasi ynë, më 1908 zgjidhet kryetar i Shoqërisë “Besa – Besën”, një vit pas themelimit të saj. Në përvjetorin e parë të botimit të gazetës “Dielli”, më 11 shkurt 1910, redaktori Faik Konica shkruante: “Shoqërisë “Besa – Besën”, kryetarit atdhetar dhe të palodhur të saj Kristo Kirka, pleqësisë së nxhetë kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj, ana kombëtare u ka hua përhirime nga zemra”. Një vit më vonë Kriston e gjejmë në detyrën e arkëtarit të Shoqërisë Teatrale “Lahuta”, me qendër në Cochituate (MA), e cila më 1910 luajti dramën “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos me amatorët e Worcester-it dhe një vit më vonë komedinë e Kristo Floqit “Një gjyq në Rekë” me amatorët e Boston-it.
Gazeta “Dielli” më 9 nëntor 1911, duke përshkruar mbledhjen e Shoqërisë “Besa – Besën” thekson se z. Kirka “goditi me holësi shkaktarët e përçarjes t’onë” dhe fjala e tij “bëri një përshtypje të madhe nër gjithë dëgjonjësit”.
Në detyrën e kryetarit të shoqërisë “Besa – Besën”, Kirka qëndroi deri më 1912, kur të gjitha shoqatat u shkrinë në Federatën Pan – Shqiptare “Vatra”. Po atë vit ai zgjidhet menaxher i gazetës “Dielli”.
Disa ditë para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 1912, në një mbledhje që mbajtën në Boston përfaqësuesit e gati të gjitha kolonive shqiptare të Amerikës, në mesin e të cilëve edhe Faik Konica e at Fan Noli, Kristo Kirka, përfaqësues i kolonisë së Akron-it (Ohio), sipas gazetës “Dielli”, “stigmatizoj siç duhej ndyersit’ e egëra të Serbisë dhe tha që Austria duke çliruar Shqipërinë, do t’fitojë përgjithënjë dashurinë dhe mirënjohjen e kombit shqipëtar”.
Kristo Kirka ishte i ashpër në fjalimet e tij si ndaj serbëve, ashtu edhe ndaj grekëve, dy armiqve tanë që donin t’i shkëputnin sa më shumë pjesë Shqipërisë. Në një miting të madh më 2 shkurt 1913 në “Phoenix Hall” në Boston, ku “qindra shqiptarë protestuan kundër barbarizmave greke në Jug të Shqipërisë”, organizuar nga Shoqëria Korçare “Arsimi” në përkrahjen e “Vatra”-s, Kristo Kirka, drejtues i mitingut ndër të tjera tha:
“Korça e cila ka qenë djepi i Shqipërisë, Korça që themeloj të parën shkollë shqipe, të parat gazeta shqipe, shtypëshkronjën dhe më së fundi protesimi i 20, 000 shqiptarëve kundër alfabetit arabisht, do të jenë një çnderim i math për Shqipërinë të mbetet jashtë kufijve”. Në emër të pjesëmarrësve të mitingut ai i dërgoi telegram ministrit të Punëve të Jashtme të Anglisë, Sir Edward Grey ku, ndër të tjera, thuhet: “Mijëra shqiptarë të krishterë nga Korça protestojnë kundër masakrave që bën ushtëria greke nër burrat dhe gratë në Korçë edhe fshatrave rrotull, si edhe kundër pothua 80 fshatrave të cilat i përmbysnë rrotull Devollit”. Telegrami iu dërgua edhe qeverisë provizore shqiptare.
Delegatët shqiptarë në përgjigjen që i dërgojnë Kristos nga Londra shkruajnë: “Ju përhirojmë për atdhesinë që çfaqni. Korçarët, kurdoherë atdhetarë, u – çfaqnë në këto çaste kritike të zotët të lëftojnë për të drejtat e tyre. Me sa na mundet, u-përpoqmë dhe përpiqemi që Korça, një nga më të bukurat xhevahire të kurorës shqipëtare, t’i mbetet Shqipërisë dhe mundim t’ju shigurojmë që do t’shpëtojë nga thonjët e armiqve” (Dielli, 27 shkurt, 1913).

Kristo Kirka në të majtë të imzot Nolit.

Në një miting që u mbajt në Boston, për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë kundër vendimeve të Konferencës së Londrës, Kristo, menaxher i “Dielli”-t, foli për kufijtë e veriut “me fakte të pëlqyera”.
“Në vend që të kremtonim lirin’ e plottë”, tha ai, “sot vijmë të protestohemi për grabitjet që na bëjti Konferenca e Londonit, e cila lë në zgjedhë të shërbëtorëve t’anë gjysmën e Shqipërisë”. Pastaj ai foli për “trimërin’ e Isa Boletinit, i cili, këtë trimëri do t’a përdorë pa fjalë tani për së shpejti edhe për të çliruar bashkëvëllezërit e tij”. Fjalimin e tij z. Kirka e përfundoi “duke kënduar vjershën e Oso Kukës”. (“Dielli”, 2 maj, 1913).
Pjesëmarrësit i dërguan telegrame Konferencës së Londrës, ku shfaqnin paknaqësinë me vendimet e saj.
Në një shkrim të botuar në “Dielli” më 23 maj, 1913, Kirka u lë lamtumirën shqiptarëve me dëshirë që “të pasojnë përparimin e çështjes kombëtare”, meqenëse nuk e di nëse do të kthehet sërish në Boston dhe shton se “më duket mirë që me anë të Diellit t’u cfaq atdhetarëve se Vatra dhe Dielli në këtë kohë të fundme muarë një përparim për të vënë re”.
“Vëllezër, bashkimi dhe dashuria janë të vetëmat menyra për përparimin e c’do çështje. Vëni re: kur shoqëria Besa Besën më emëroj manager të gazetës dhe m’a dorëzoj arkën të zbrazur, kuptova se, që të mbahej kjo gazetë, s’arrinte vetëm kurajua dhe energjia ime, po as e përkrahura e miqve që më rrethonin. Duhej bashkimi i të gjith’ atdhetarëve. E solli rasti të formojmë Federatën “Vatra”. Kuvendi i parë i kësaj shoqërie meriton lëvdime…Jam tepër i gëzuar dhe ikënj me mendje të qetë se në një kohë 10 muajsh munda t’a lë gjendjen e Diellit me një gjendje të pëlqyer dhe t’i shiguroj zëvendësit t’im botimin e Diellit për një kohë mjaft të gjatë”, shkruan Kirka. Ai falënderon bashkëpunëtorët për përparimin e Diellit, veçanërisht Konicën “për shkrimet e tija dhe për regullimet që mundmë t’arrijmë në gjendjen e sotme”.
“Po s’duhet harruar që Dielli botohet sot dy herë në javë, dhe kjo energji i detyrohet Efthim Natsit, i cili zotimin që dha po e mban burrërisht, duke e shkruar Diellin me nder dhe regul”, përfundon Kirka.
Më 1913 Kristo Kirka lë Amerikën dhe shkon në Shqipëri. Më vonë kalon në Rumani, prej nga, më 1914, vjen prapë në atdhe si pjesëtar i delegacionit të kolonisë shqiptare të Rumanisë, për të përshëndetur në Durrës ardhjen e mbretit të Shqipërisë, princ Vidit.
Më 1914 komandanti holandez i Qarkut të Korçës e emëron përgjegjës për punët publike. Gjatë kryengritjes që organizuan grekët për të aneksuar Korçën, Kiristo ishte në krah të Themistokli Gërmënjit, me gradën toger dhe u caktua përgjegjës për mbrojtjen e postblloqeve të qytetit nga sulmet e andartëve grekë. Në atë kohë, fuqitë e huaja vendosin që në Korçë e Gjirokastër të hyjë ushtria greke. Kristo bashkë me patriotë të tjerë, detyrohet të emigrojë prapë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e lënë Shqipërinë nën ethe e zjarmi.
…Një ditë i tregoi birit të tij, Nikos, dramën e ikjes nga atdheu.
“Ishte mbrëmje. Qyteti dukej si t’i kishte rënë hija e vdekjes. Nuk dëgjohej lehje qeni, cicërrimë zogu, fjalë njeriu. Dëgjohej vetëm trokëllima e hapave të mi. Atë natë arrita në fshatin Porodinë, afër Korçës. Të nesërmen në mëngjes pashë që ushtria greke po zbriste nga mali i Moravës dhe po hynte në Korçë. Shikimi m’u err, gjunjët m’u këputën, nuk më mbajtën këmbët. Më rrodhën lot të nxehtë faqeve. Me dhimbje në zemër, me bashkudhëtarët e tjerë, mora rrugën për në Vlorë. Tek ecja, ndjeja një lëmsh të helmët që më zinte fytin. Më digjej gjoksi nga zjarmia…”.
Kristo Kirka, me të arritur në Amerikë, riaktivizohet në Federatën “Vatra” dhe bëhet një nga përkrahësit e flaktë të Nolit. Niko ruan një fotografi ku i ati ka dalë në krahun e djathtë të peshkopit.
Emrin e Kristo Kirkës e ndeshim dendur në faqet e gazetës “Dielli” si pjesëmarrës në mbledhjet e Federatës “Vatra” e të Kishës Ortodokse Shqiptare si dhe në organizmin e trupave vullnetare shqiptare që do të shkonin në Shqipëri për t’i dalë zot atdheut të nëpërkëmbur nga fuqitë e huaja. Më 21 mars 1914, merr pjesë në një mbledhje në Boston, ku u formua trupa e parë e vullnetarëve prej 41 vetash. Pas shumë folësve e mori fjalën edhe Kristo Kirka, i cili ndër të tjera tha: “Çfaqi gëzimin tim kur shoh kta dielmosha, shpresat e gjalla t’ atdheut, të rendin për ta shpëtuar atë. Pamë me sytë t’ona ato që ngjanë në Shqipërie dhe përfundimi i tyre ësht që vetëm shqipëtarët e vertetë munt t’a shpëtojnë atdheun e tyre”.
Në Boston, Kristo vazhdon letërkëmbimin me Themistokli Gërmenjin e Kristo A. Dakon, të cilët kishin shkuar në Sofje të Bullgarisë dhe botonin gazetën “Zëri i Sqipërisë”. Në një letër që i dërgojnë Kirkës nga Sofja, Gërmenji e Dako kërkojnë nga ai t’i shpërndajë disa numra të kësaj gazete në mes shqiptarëve të Amerikës: “U lutemi shumë t’i përndani dhe të mblithni ndonjë ndihmë të mirë dhe na i dërgoni më shpejt që të munt të paguajmë shtypjen për numrat që vijnë”.
Në janar të vitit 1921, Këshilli Kombëtar i “Vatra”-s ngarkoi Kriston si përfaqësues të posaçëm të Federatës në Shqipëri. Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga të dy palët, Kirka do të bashkohej për çështjen e misionit me imzot Nolin, Mehmet Konicën, Mit’hat Frashërin, Faik Konicën, Ahmet Zogun, Peshkop Kolecin, Sotir Pecin, dr. Turtullin, At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Aqif Pashë Elbasanin, Qazim Koculin, Qazim Kokoshin, Dhimitri Kacimbran e Hysni Currin, si dhe me zyrtarët e shoqërive kombëtare në Shqipëri “që të bashkëmejtohet me ta për formimin e një Partie Kombëtare”. Porse atij i dolën mjaft vështirësi gjatë udhëtimit. Me të arritur në Paris, ku u pajis me pasaportë diplomatike shqiptare nga Mit’hat Frashëri, policia mezi i dha lejen e qëndrimit për ca ditë në Francë. Nga Parisi, Kristo shkoi në Shqipëri.
Vendi ynë në atë kohë kërkonte njerëz të shkolluar, të sprovuar e me përvojë për t’i dalë zot atdheut. Kështu, Kristo zgjidhet për katër vjet deputet i Korçës në parlamentin e atëhershëm shqiptar. Ja ç’i shkruan Kirkës më 1922 shoqata e quajtur “Vëllezëria e Dardhës – Mbleta” e qytetit Natick të Amerikës: “Anëtarët e Vëllezërisë Mbleta dhe përgjithësisht gjithë Dardharët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës çfaqin me anën t’onë falenderimet e tyre për përkrahjen që i dhatë Dardhës në kohën e demonstratit për çestjen e kufirit me Dvoranin. Si deputet, i cili me të vërtetë mpron të drejtat e popullit, kemi shpresë se edhe pas këtaj nukë do të kurseni fjalën e mirën për padrejtësinë që na bëhet neve nga ana e Dvoranit, të cilit sot po na rrëmbejnë edhe ca tepër seç na kishin rembyer në kohën e Turqisë. Kjo padrejtësi që i bëhet Dardhës ka dëshpëruar shumë Dardharët e Amerikës. Me lutje që kur të bëhet gjyqi të investigoni dhe të shikoni që mos na bëhet nonjë padrejtësi, pranoni nderimet t’ona të sinqerta”.
Faik Konica, kryetar i Federatës “Vatra”, po atë vit, duke iu drejtuar me një letër deputetit Kirka, kërkonte nga ai ndihmë për botimin në Korçë të gazetës “Shqiptari i Amerikës”: “Vatra”, siç e dini, vendosi të botojë një gazetë në Korçë, “Shqipëtari i Amerikës”, dhe për manager që t’a qeverisë gjithë punën emëroj Zotin Hasan H. Bitincken. Jemi të bindur se do t’i jipni gjithë përkrahjen e duhur. Përveç kësaj, do t’ju lutemi të veproni si zëvendës i Imzot Nolit, kur ky të mos ketë nge, për të kqyrur hesapet një herë në katër muaj, duke qenë se ne s’munt t’i auditojmë për së largu. Besojmë se do t’a mirni përsipër këtë mundim patriotik”. Më 1922 Shoqëria Mirëbërëse e Dardharëve “Bashkimi” në Bukuresht, i shkruan këtë letër Kristos: “Shoqëria Dardhare “Bashkimi” në Bukuresht, vjen me anën e kësaj t’u çfaqë mirënjojtjen dhe falënderimet e saja të gjalla për përkrahjen q’u dhatë bashkëfshatarëve tanë, të cilët u vështruanë të nevoitur të rendën dhe të qahen në autoritetet e Korçës për padrejtësitë që pe vitesh vazhdojnë të pësojnë prej fqinjve tyre të përkëdhelur dhe kuximtarë… Vepra e z-juaj, është me të vërtetë vepra prej përfaqësonjësi të Popullit dhe këjo gjë na mbush zemrat plot gëzim se jemi të shigurtë që me të këtillë Deputetë padrejtësia nuk do mundë të zërë rënjë dhe kështu, do mbretëronjë drejtësia në shtetin tonë të ri, dhe aternaj Populli do mundë të shijonjë me të vërtet pemët e lirisë dhe Atdheu i shtrenjtë do arinjë në kullmin e fatbardhësisë. Na pëlqen të mbesojmë zoti deputet që do vazhdoni dhe më tutje të mproni një çështje aq të drejtë dhe do përpiqi që një or’ e më parë, të marë një përfundim të mirë dhe për nga herë”.
Një dorëshkrim flet për përpilimin e programit të Partisë Popullore nga Kristo Kirka në prill 1921, disa ditë pasi ai arriti në Shqipëri, i përbërë nga 11 pika. Kirka ishte për një program reformash moderne nga shpirti, “por të urta e të shkallësuara që të mos tronditet asnjë ndjenjë ose zakon i vendit”. Sipas tij, partia do të përpiqet ta rritë, ta edukojë e ta pasurojë popullin “e ta verë në radhën e popujve evropianë të Perëndimit”.

Kristo Kirka , në të djathtë të imzot Nolit, në Boston më 1920.

Bashkëpunimi i Kirkës me Nolin vazhdoi edhe në Shqipëri. Ata u zgjodhën në të njejtin vit (1921) deputetë të Korçës në parlamentin shqiptar dhe banonin bashkërisht në Tiranë. Agu i mëngjesit i zinte shpesh me libra në dorë, përkundër lodhjes që u shkaktonin angazhimet e ditës. Kristos i kujtohej Noli tek përkthente vargjet e poetit të madh Edgar Allan Poe. Kur përktheu nga anglishtja poezinë “Korbi” dhe i dha një tingëllimë aq të fuqishme vargut “Kurrë më” (anglisht: Never more), Noli u gëzua tepër. Gëzimi duhej të ndahej me shokët e tij, Kirkën e të tjerët. Peshkopi shtroi drekë për ta, për vargun e përkthyer, që tingëllonte aq bukur në gjuhën e Nolit, ndofta edhe më mirë se në gjuhën e Poe-s.
Kur u shpall Autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare në Kongresin e Beratit, (shtator, 1922) Kristo bashkë me Nolin, që ishte “fuqia kryesore e Kongresit”, bënë përpjekje për njohjen e kësaj kishe në Stamboll. Një vit më vonë, Këshilli i Lartë Kishtar i Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare të Shqipërisë, e zgjodhi Kriston pjesëtar të komisionit kishtar që vajti në Stamboll për të kërkuar njohjen e kishës sonë kombëtare. Në janar, 1924, Kisha Ortodokse Autoqefale Kombëtare e Shqipërisë e dekoron Kirkën “në kujtim dhe honor të veprave tija si pjesëtar i Komisionit Kishëtar në Stamboll dhe në kujtim të ditës së prokllamimit Kishës Orthodokse Autoqefale Kombëtare të Shqipërisë në Kongresin historik Kishëtar të Beratit, më 12 shtator 1922”.
Kristo Kirka vjen sërish në Amerikë më 1924 me detyrë të konsullit në fillim në Boston e më vonë në New York. Rrëzimi i qeverisë së Fan Nolit u reflektua edhe në mesin e vatranëve, një pjesë e të cilëve vazhdonte të kundërshtonte regjimin mbretëror.
Në kohën kur “Vatra” deklaroi se nuk do të merrej më me politikë, siç kishte vepruar gjatë viteve 1921 – 1925 duke përkrahur me të holla e me anë të shtypit opozitën në Shqipëri, Kristo Kirka nuk u pajtua me këtë qëndrim. Organizata “Bijt’ e Shqipërisë” ku bënte pjesë ai, botoi për disa vite të përjavshmen “Idealisti”.
Kristo Kirka gjatë viteve 1929 – 1930 ishte në krye të Këshillit të Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës.
Në vitet 30-të, ndodhi një “riatdhesim” i shumë shqiptarëve të Amerikës, nisur nga thënia “atdheu mbi të gjitha”. Në mes tyre ishte edhe Kristo. Më 1933 ai kthehet në Shqipëri me bashkëshorten Androniqi dhe fëmijët: Nikon 7 vjeçar, Meryn, 3 dhe Katerinën, njëvjeçare. Dy vjet më vonë emërohet nënprefekt në Himarë për të prishur planet e shovinistëve grekë për hapjen e shkollave greke në këtë krahinë shqiptare. Në Himarë qëndroi deri më 1937. Prej këtu emërohet nënprefekt i Bilishtit. Një ditë e thirri nënprefekti grek i Follorinës që të takohej me të në Kapshticë. Në atë kohë ndjehej se Shqipëria rrezikohej nga pushtimi italian. Nisur nga kjo, nënprefekti i Follorinës e ftoi Kirkën për bashkëpunim. Mirëpo, Kirka nuk pranoi aleancë me grekun. “Unë jam për bashkëpunim me ju”, – i tha atij, – “por me një kusht: ti në Follorinë e unë në Bilisht”.
Në mars të vitit 1938, Kristo Kirka e Aqif Përmeti, të dërguar nga mbreti Zog, erdhën në Shtetet e Bashkuara për të bërë pajtimin e vatranëve që ishin ndarë në dy grupe: “Vatra” e Detroit-it dhe ajo e Boston-it. Ata u përpoqën të bashkonin vatranët, siç e thekson gazeta “Dielli” dhe patën përkrahjen e atyre të Detroit-it, po jo edhe të vatranëve të Boston-it.
“Të dërguarit e guvernës sonë, nënprefekti z. Kristo Krika dhe kolonel Aqif Përmeti u përpoqën me tërë fuqinë e tyre dhe përdorën urtësinë më të madhe për të sjellë bashkimin e vatranëve dhe shqiptarëve të Amerikës. Këshillat e tyre të urta qenë: të bëhet bashkimi, të harrohen armiqësitë ose kundërshtimet e shkuara, të hidhen pas krahëve mëritë personale, të mos kujtohen fajet ose gabimet e njerit dhe tjetrit në të shkuarën dhe të mblidhen vatranët, të vjetër e të rinj, edhe gjithë shqiptarët atdhetarë të Amerikës rreth Shoqërisë Vatra. Sikundër dihet, dëshira e Mbretit është që shqiptarët e kurbetit të jenë të bashkuar, të kenë dashurinë në mes të tyre, të bashkëpunojnë për interesat e tyre shoqërore, të mbajnë gjuhën shqipe dhe zakonet dhe ndjenjat kombëtare të gjalla”, shkruan “Dielli”. Misioni i të dërguarve të mbretit nuk pati sukses. Vatranët u bashkuan vetëm më 1939, pak kohë pasi Italia pushtoi Shqipërinë. Qendra e saj kaloi nga Detroit-i në Boston.
Gjatë luftës italo – greke, Kirka internohet nga grekët në kampin “Kosinja” afër Athinës. Majori grek, Çatallos, kur e arrestoi i tha: “Greqia e vogël do t’i mundë armiqtë e saj”. Kirka iu përgjegj: “Shqipëria, ndonëse më e vogël, gjithmonë i ka mundur e do t’i mund armiqtë e saj”. Majori grek u nxeh nga fjalët e të internuarit shqiptar dhe i inatosur, ia mori Kirkës stilografin nga xhepi dhe e bëri copë – copë. Pasi vuajti dënimin, u kthye në Shqipëri. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kristo ishte anëtar i Komitetit Qarkor të Ballit Kombëtar. Për prestigjin që gëzonte, komunistët e ftuan të merrte pjesë në Kongresin e Përmetit, por ai refuzoi. Komunistët nuk e harruan këtë dhe morën hak. Ditën që hynë në Korçë, njësiti guerril i qytetit e arrestoi. Pas 12 ditësh, Beqir Balluku, komandant i operacionit, shkoi në burg dhe në mes tjerash i thotë: “Gjithë jetën dhe pasurinë e keni shkrirë për Shqipërinë, por faji yt ishte se nuk erdhe me komunistët”. Kirka i përgjigjet: “Detyrën ndaj atdheut e kam kryer me nder e zemër. Nuk jam i penduar”.
Balluku e liroi Kirkën, i cili u vetëngujua në shtëpinë e vet dhe nuk e pa kush të dilte jashtë. Në qershor të vitit 1946, e arrestuan përsëri. E dënuan me 20 vjet burg “në emër të popullit”. “Shpifjet janë argumentet e atyre që s’kanë arsye”, thoshte Rousseau, ndërsa Sami Frashëri pohonte se “kalben njerëzit, atje ku lartësohen kriminelët”.
Kristo Kirka vdiq në Burgun e Burrelit më 1955. Varri i tij është zhdukur. Tek vendi i quajtur “Qershia”, brenda murit të hekurt që rrethonte burgun, ishte një vend i posaçëm ku i varrosnin “armiqtë e popullit”. Aty u varros edhe Kirka. Më vonë, po në atë vend, filluan punimet për ndërtimin e një stadiumi sportiv. Drejtori i burgut, i cili dallohej për qëndrimin tejet të egër ndaj të burgosurve dhe familjeve të tyre, u tregua “i mëshirshëm” një ditë para se të vdiste Kristo: lejoi vajzën e tij Katerinën, ta shihte babanë në gjendje kome. Por, babai i saj po mbyllte sytë përgjithmonë. Katerina u kthye në shtëpi me lot në sy. Kristo ndërroi jetë të nesërmen.
“Vdekja e xha Kristos, na pikëlloi të gjithë ne të burgosurve”, tregonte Osman Kazazi, njëri nga kampionët për gjatësi vuajtjeje në ferrin e burgjeve komuniste.
Dhembjen e bashkëvuajtësve e ka përjetësuar në poezi poeti Arshi Pipa, që vuajti në burg bashkë me Kirkën.
Diktatura komuniste përdori të gjitha mjetet për t’i përulur e poshtëruar fëmijët dhe gruan e tij. Dy javë pas arrestimit të të atit u arrestua edhe i biri, Niko, që ishte student në Korçë. Atij i kujtohet edhe çasti i përjashtimit nga shkolla, qarkorja e nënshkruar nga prof. Stefan Prifti, zëvendësdrejtor i liceut “Thoma Turtulli” të Korçës, në të cilën thuhej: “Bëhet e njojtur se, si pas shkresës me nr. 284/II, Rez. da. 17. 4. 1946 të Ministrisë s’Arësimit, nxënësit Petro Zisi dhe Niko Kirka të klasës VI klasike të këtij Liceu, përjashtohen për gjithmonë nga të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë. Kjo masë u muar për arësyen se qëndrimi i tyre në shkollë është kundër frymës së re dhe kundër interesave kombëtare”.
Tri vjet më vonë, Sigurimi konfiskoi tërë pasurinë e familjes Kirka. Nëpunësi i konfiskimeve, Koli Selenica, në bazë të një dëshmie që e ka ruajtur deri më sot Niko, raportonte në atë kohë te eprorët për kryerjen e misionit, jo aq me sukses sepse “nuk kishte aq krevatë që i kishin thënë”, madje “nuk ishin 52 kupa shampanjë, por 13” etj.
Nga pesë anëtarët e familjes Kirka, katër u dënuan nga gjyqet komuniste: Kristo Kirka, i cili vdiq në burg, gruaja e tij, Androniqi, vajza Mary, i biri Niko, i cili vuajti 8 vjet në burgje e kampe.
Niko Kirka, baba i dy fëmijëve, vazhdon sot traditat e babait, duke u përpjekur të japë ndihmesën e tij për thellimin e demokracisë në Shqipëri, për pavarësinë e plotë të Kishës Autoqefale Shqiptare dhe për një Shqipëri të bashkuar me trojet e saj etnike.

 

 

Niko Kirka, i dyti nga e majta.

Baba dhe gjysh: Niko Kirka, me djalin Kris dhe nipin, në Nju Jork.

Comment

*