Historia e futbollistit nga Kosova që u bë biznesmen i njohur në Manhattan

Gjon Lleshaj – Një histori njerëzore, nga Klina në New York.
Sukseset më të bukura në jetë ashtu si edhe golat në fushën e blertë, shënohen me ndihmën e shokëve

 

Nga Ruben Avxhiu

Gjon Lleshaj është një nga ata biznesmenë të suksesshëm shqiptarë në Amerikë që kanë shkëlqyer në sektorin e ndërtimit, në një nga “parajsat” botërore të pronave të patundshme, në qytetin e New York-ut.

Më shumë se 20 vjet më parë, ai mbërriti në SHBA, pas një udhëtimi gati aventuresk dhe në dy dekada ka përshkuar një rrugë suksesi sa të ngjashme me atë të shumë bashkatdhetarëve të tij me emër këtu në komunitet, po aq edhe unike në veçantinë e saj.

 

Futbolli: Fusha e blertë e ëndrrave

Gjon Lleshaj u lind dhe u rrit në Klinë, ku ende jetojnë tre vëllezër dhe babai i tij. Qysh në moshë të vogël u dashurua pas lojës së futbollit dhe talenti e pasioni për këtë sport bënë që një ditë të vishte fanellën e ekipit të “Malizhganit” të Klinës.

Ishte pjesë e një brezi të rinjsh kosovarë që po gjenin frymëzim në lojën me top më të përhapur të botës, po që ngjarjet politike e ekonomike ua prenë shpejt ëndrrën e bukur sportive.

Gjoni i kujton sot me njëfarë malli ato vite kur në moshë fare të re pati shansin të luante me disa nga lojtarët më të njohur të Kosovës. “Malizhgani” luante në Kategorinë e Parë të Kosovës dhe Lleshaj mbante me krenari fanellën me numër 7. Karriera e tij e shkurtër futbollistike në Kosovë përfshin “Lirinë” e Prizrenit që luante në Kategorine Dytë të Jugosllavisë dhe “Besën” e Pejës.

Rruga e jetës së Gjon Lleshajt do të përcaktohej në mënyrë të jashtëzakonshme nga futbolli, por jo në mënyrën që e kishte imagjinuar ai.

 

 

 

 

Loja e vjetër në “Botën e Re”

Kur i erdhi fletëthirrja për ushtar, Gjoni e kuptoi se kishte mbërritur në një udhëkryq në jetën e tij dhe duhej të merrte një vendim. Millosheviçi sapo kishte ardhur në fuqi në Beograd dhe situata në Jugosllavi po rëndohej dita ditës. Historitë e keqtrajtimeve të shqiptarëve në ushtri ishin shtuar dhe e ardhmja nuk dukej në horizont. Familja Lleshaj mund të mbijetonte vetëm nëse do të ndiqte shembullin e shumë bashkatdhetarëve të tyre, emigrimin. Kështu, Gjoni vendoi të ndiqte rrugën e vëllait të tij që sapo ishte vendosur në SHBA.

Bashkë me një mikun e tij, sapo përfunduan ndeshjen e radhës së ditës së dielë, nuk u nisën për në shtëpi, por morën trenin dhe u larguan nga Kosova. Kur mbërritën në stacionin e Beogradit, shoku i tij e humbi guximin: “Nuk mund ta lë vetëm nanën”, i tha Gjonit dhe u kthye. Ishte dëshmi e sfidës së vështirë të ndarjes me familjen me të cilën u përballën shumë të rinj në ato vite e më vonë.

Gjoni vazhdoi aventurën e tij të emigrimit deri sa mbërriti në SHBA ku u vendos në New York dhe filloi të punonte menjëherë në një piceri italianësh. Nëse ka një gjë që i lidh emigrantët nga Europa është padyshim futbolli. Në çastin që Gjoni u tregoi shokëve të punës se kishte qenë futbollist në Europë, gjërat menjëherë ndryshuan. Pak javë pasi kishte vënë këmbë në “botën e re”, Gjoni iu rikthye lojës së vjetër. Talenti ishte i dukshëm dhe shpejt u pranua në ekipin e futbollit Italianët e Bruklinit (Brooklyn Italians).

Në vitet ’80 kishte shumë shqiptarë në New York, por as që mund të krahasohet situata e atëhershme me këtë të sotmen. Atëhere nuk kishte ende fjala vjen gazeta Illyria, organizata të shumta si sot, dhjetëra aktivitete me artistë të njohur që vijnë nga atdheu etj. Ndërsa Gjon Lleshaj njihej me një numër shqiptarësh, kontaktin e parë të vërtetë me praninë e shqiptarëve në New York e pati pikërisht në fushën e blertë të futbollit. Ai zbriti aty me uniformën e Brooklyn Italians dhe pa se përballë kishte ekipin kuqezi të New York Albanians. Shqiptarët e New York-ut kishin ekipin e tyre me një numër talentesh. U deshën vetëm pak minuta që Gjoni të kuptonte se po luante me ekipin e gabuar. Qysh nga ajo ditë karriera e tij e futbollit në SHBA përfshin vetëm ndeshje me unifromat shqiptare.

Aty njohu edhe disa nga njerëzit me të cilët do të bëhej punëtor, koleg e mik i ngushtë, në fushën e ndërtimit, një nga të cilët është Martin Shkreli, personazh i njohur për lexuesin e gazetës Illyria si biznesmen, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan e aktivist i njohur në komunitet.

Njohja me miqtë e rinj bëri që Gjoni jo vetëm të linte Brooklyn Italians për ekipin kuqezi por edhe të kalonte në fushën e ndërtimtarisë, një profesion të cilit nuk do t’i ndahej më në jetë.

 

Suksesi në biznesin e ndërtimtarisë

Për pesë vjet me radhë, ai punoi për Martin Shkrelin derisa vendosi të kalojë më vete duke krijuar biznesin e tij në fushën e ndërtimit. Ashtu si edhe të tjerë në këtë fushë, Gjoni gjeti mbështetje frymëzim dhe ndihmë te bashkatdhetarët që kishin paraprirë në këtë drejtim me sukses të madh, vëllezërit Rusi, Martin Shkreli etj. Sukseset më të bukura në jetë ashtu si edhe golat në fushën e blertë, shënohen me ndihmën e shokëve. Disa nga shokët e fushës, iu bënë shokë në profesion e miq në jetë. Shumë njohje që krijoi më vonë në sajë të futbollit gjithashtu krijuan fryte në biznesin e ndërtimtarisë.

Shpejt Gjoni do të krijonte emrin e tij në këtë profesion duke përfituar edhe nga një avantazh që shumë kolegë të tij bashkatdhetarë në këtë zanat nuk e kishin. Pikërisht këtu ia vlen të përmendet një detaj i rëndësishëm i rinisë së tij. Ndërkohë që luante me pasion futboll në Kosovë, ai ndiqte me seriozitet studimet në fushën e arkitekturës. Kur u nis drejt emigrimit me ëndrrat e prera nga koha, ai kishte menduar se duhej t’i mbyllte në sirtar aspiratat e tij për sportin dhe arkitekturën. Por, njëra ëndër rizgjoi tjetrën. Në New York ai pati mundësinë të luante për shumë vite futboll dhe të përdorte me sukses njohuritë e tij shkollore në një punë të ndërlikuar ku praktika mbetet gjithësesi “universiteti” më i mirë.

Ndërsa, vitet sportive fillojnë edhe zbehen me kalimin e moshës, përvoja e fituar në fushën e ndërtimtarisë vjen duke u forcuar e frytet e saj bëhen gjithnjë e më të mira. Sot, 20 vjet pas mbërritjes në SHBA dhe 17 vjet pas hapjes së biznesit të tij, Gjon Lleshaj sheh me krenari rrugën që ka bërë.

Ndër sukseset e tij më të mëdha numërohet ndërtimi i mjediseve të brendshme të zyrave dhe sallave të 12 bankave brenda një viti.

Në një rast tjetër, brenda tre muajsh ka ndërtuar e rregulluar një hapësirë 27 mijë këmbë katrorë (27,000 square feet) të Qendrës “Broadway Dance” që sot shërben për të përgatitur qindra fëmijë e të rinj që duan të ecin në botën e spektaklit. Disa prej tyre janë yjet e nesërm të shfaqjeve të famshme të Broadway-t.

“Tre muaj ishin pak për natyrën dhe volumin e projektit që kërkohej”, kujton Gjoni për këtë rast, “por kur të vjen një mundësi e tillë duhet të japësh përtej maksimumit që të dalësh faqebardhë.”

 

Përgjithmonë Kosova

Gjon Lleshaj ka mbetur shumë i lidhur me Kosovën. Babai, Preka dhe tre vëllezër të tij jetojnë atje. Tre vëllezër të tjerë jetojnë këtu dhe kanë bizneset e tyre. Ai përmend me mall dhe krenari babain 82 vjeçar të cilin e sheh disa herë në vit.

“Shkoj shumë shpesh në Kosovë”, thotë ai, duke treguar se ka gjithmonë mall për vendlindjen dhe kurrë nuk e përjashton mundësinë e kthimit një ditë për të jetuar përsëri atje.

Ka bërë nja dy investime modeste afër Pejës dhe uron e shpreson që Kosova të përparojë shpejt që të gjejë begatinë dhe qetësinë që meriton.

Gjon Lleshaj ka kontribuar në komunitet, ka ndihmuar njerëzit në nevojë në vendlindje, por nuk i pëlqen të flasë për to e nuk pranon të japë detaje. Në mesin e ndihmave për bashkatdhetarët në Amerikë e në vendlindje është edhe sponsorizimi i përmendores së Nënë Terezës në Klinë vepër e skulptorit Vasiliev Nini.

Ai është i martuar dhe bashkë me bashkëshorten, Maria, kanë një djalë që e kanë quajtur Leonardo (emër domethënës për dikë që adhuron futbollin).

Ndonëse nuk luan më, Gjoni ka mbetur i lidhur me futbollin, me New York Albanians dhe këshillon të rinjtë që të angazhohen në ekipet sportive shqiptare këtu në diasporë.

“Sporti i mban të rinjtë sot larg aktiviteteve që u dëmtojnë shëndetin dhe moralin. Te sporti ata do të gjejnë shokë e miq, do të kalojnë momente të bukura e do të përfitojnë aq shumë në jetë”, thotë Gjon Lleshaj.

Ai ka gjithë jetën e tij si dëshmitare për këtë.

One Response to “Historia e futbollistit nga Kosova që u bë biznesmen i njohur në Manhattan”

Read below or add a comment...

  1. Ilir Lleshi says:

    Suksesi varet nga perpjekjet.
    SOFOKLIU.

Comment

*