HISTORIA NUK DUHET NDRYSHUAR

-Me rastin e 170 vjetorit të kishës së Sinicës në rrethin e Devollit-

 

Nga Fuat Memelli-Boston

NJË HOMAZH DHE…

Si shumë vite të tjerë,  edhe sivjet desha të jem në Shqipëri në muajin maj. E preferoj këtë muaj , jo vetëm se është më i freskët e plot gjelbërim, por edhe sepse më 20 maj në vendlindjen time, Sinicën e Devollit, festohet Dita e Shën Kollit. Festojnë aty si një familje e madhe të krishterë e myslimanë, shprehje e harmonisë fetare që karakterizon këtë fshat. Mblidhen atë ditë jo vetëm sinicarë që jetojnë në Shqipëri, por edhe në emigracion. Shkoj me kënaqësi në ketë ditë, pavarësisht se nuk i përkas fesë orthodokse. Kufijtë e fesë ndër vite janë shkërmoqur në fshatin tonë. Sigurisht unë respektoj edhe fenë myslimane të cilës i përkas, shkoj edhe në xhami kur më jepet rasti, por nuk harroj se ne vijmë nga krishtërimi. Në fund të fundit të gjithë kemi një Zot. Ashtu si pesë vjet më parë, edhe sivjet pa ndërhyrë aspak në punët e kishës, desha të kontribuoj sado pak në pjesën e festës që zhvillohet pas meshës në oborin e shkollës. Desha të përgatis një fletëpalosje për 170 vjetorin e saj, por më pengoi virusi i famshëm. Me ndihmën e piktorit Robert Guci që jeton në Tiranë përgatita këtë konkardë ( stemë) të cilën desha ta bëj në 200-300 kopje, për t’ja dhënë gjithë pjesëmarrësve si dhe miqve të sinicarëve. Edhe kjo dëshirë nuk u realizua, prandaj po e postoj këtu, për t’i uruar gjithë sinicarëve: gëzuar 170 vjetorin e kishës së fshatit! Në këtë kohë virusi, dita e Shën Kollit dhe 170 vjetori i kishës, nuk do festohen ashtu si do dëshironin sinicarët. Nuk do festohet si 5 vjet më parë në 165 vjetorin e saj, ku mernin pjesë rreth 250 veta; ku e ndezi atmosferën orkestra e Bilishtit; ku kërcyen si shqiponja fëmijët e Ansamblt të Devollit; ku me mbështetjen e Jovan Themelit u përgatit një fletëpalosje për Sinicën; ku së bashku me Marijon Panon përgatitëm e dhamë 27 dëshmi Mirënjohje për priftërinj që kishin shërbyer aty si dhe besimtarë që kanë kontribuar për kishën; ku përgatitëm 300 stema me mbështetjen e biznesmenit Jorgo Braholli. Por, ato tashmë i përkasin të kaluarës. Ndoshta një herë tjetër do organizohet edhe më bukur. Sidoqoftë, ky përvjetor le të jetë si një homzh për sinicarët që kontribuan për ndërtimin e asaj kishe nga më të bukurat në Devoll; për të gjitha ata që e mbajtën gjallë kishën; për priftërinjtë që kanë shërbyer aty si At Nikolla Pine e At Simon Tytymçe të ndarë nga jeta si dhe një mirënjohje për At Viktor Konomin, që shërben sot aty.

 

…NJË REAGIM

Në këtë përvjetor, desha të sjell edhe ndonjë mendim se kush e ka ndërtuar kishën e Sinicës. Në rubrikën “Fshatrat e Shqipërisë” të Televizionit Top Channel, para disa javësh u përgatit një emision edhe për Sinicën. Jo vetëm ai grusht  fshatarësh që jeton aty, por edhe të tjerët e vlerësuan, pasi iu shtua edhe një filmim tjetër fshatit , krahas dokumentarit të përgatitur një vit më parë ”Sinica- e bukura e Devollit”. Pyetjes së gazetares se kush e ka ndërtuar kishën e Sinicës, sinicari që shërben aty, iu përgjigj :” Kishën e Sinicës e kanë ndërtuar grekërit”. Të them të drejtën dyshova për këtë fakt, pasi nuk e kisha dëgjuar më parë. Ndoshta sinicari që e tha atë mendim, mund të jetë nisur nga ndonjë mbishkrim që është aty në greqisht, por siç dihet Turqia atëherë nuk e lejonte përdorimin e shkrimit shqip. Për të vërtetuar dyshimin tim, bisedova me disa sinicarë në Shqipëri dhe emigracion. Asnjëri prej tyre nuk e mbështeste idenë se kishën e kanë ndërtuar grekërit. Një prej tyre ishte Thoma Ketri, me profesion doktor, inleketual sinicar me emër, i cili prej disa vjetësh jeton në Detroit të Amerikës. Ja ç’më tha ai: “Gjyshi im, Ilua, ka qënë epitrop në kishën e fshatit ndërsa babaj Petraqi, ka psallur aty tok me Andon Dimashin, ndërsa Petraq Prifti psallte me Kristaq Agon. Epitrop kanë qënë edhe Kole Caknaqi, Ilo Karamelo dhe Jovan Joxhe. Gjyshi dhe babaj më kanë treguar se me shpenzimet e sinicarëve, kishën  e kanë ndërtuar ustallarë nga Kolonja, të cilët e punonin mirë gurin si dhe plloçën. Ata janë ndihmuar edhe nga muratorë të fshatit, pasi kishte të tillë. Me që muret ishin të trashë mbi një metër, nuk i ngopnin dot me ujë. Për këtë fshatarët e morën ujin me korita nga Kollovozi dhe e çuan deri ku ndërtohej kisha. Në muret e saj është hedhur edhe vezë e kozinë ( lesh dhije) për t’i forcuar. Një bllok te hyrja e kishës si dhe pllaka e pagëzimit, janë marë nga Nikolica. I kanë sjellë burrat e fshatit me branë të tërhequr me qe. Për këtë u zgjerua rruga në disa vënde, për të cilën ndihmuan edhe fshatarë nga Arza. Unë nuk kam dëgjuar nga gjyshi dhe babaj që kishën e Sinicës ta kenë ndërtuar grekërit”, përfundon Thoma Ketri.

Niko Dimashi, ish pedagog në Universitetin e Elbasanit, sinicar me emër edhe ky, thotë :”As unë nuk kam dëgjuar nga babaj  që kishën e Sinicës ta kenë ndërtuar grekërit. Babai im Andoni, ishte shumë I lidhur me kishës dhe psallte aty. Sinicarët kanë paguar për ta ndërtuar atë kishë. Ndoshta mund të ketë patur ndonjë usta nga Greqia, por nuk mund të themi se e kanë ndërtuar grekërit”.

Për të njëjtin problem pyeta edhe Perikli Panon, me profesion ekonomist, i cili është një sinicar tjetër  i nderuar. Ai më tha:”Për ndërtimin e kishës  është punuar disa vjet. Në fillim pa u marë uji nga Kollovozi, gratë e fshatit viheshin në rradhë nga lumi deri te kisha për të çuar ujin. Te kisha jonë spikat gjërësia e madhe e mureve si dhe akustika e veçantë. Unë nuk kam dëgjuar që kishën e Sincës ta kenë ndërtuar grekërit. Di që të parët tanë kanë paguar për ndërtimin e saj”, theksoi Peroja. Në biseda me fshatarë, unë kam dëgjuar se për për ndërtimin e kishës kanë ndihmuar edhe bashkëfshatërt myslimanë.

Për ta aktualizuar problemin e kishës, po ndalem te mendimi i dhënë qysh vitin e kaluar nga sinicari Albert Hysolli, me profesion ndërtues që punon e jeton në Greqi, por që nuk e harron Sinicën. Pas kontrollit që i ka bërë kishës, ai thotë se në disa pjesë të saj ka probleme dhe duhet ndërhyrë. Me kontributin e sinicarëve në Shqipëri dhe emigracion, por edhe të Mitropolisë Korçë apo edhe të bashkisë se Devollit, le të ndërhyet për mos e lënë këtë problem pas dore.

 

NË VEND TË MBYLLJES

Tek shkruaj këto rradhë për ndërtimin e kishës së Sinicës, i vetmi qëllim është që mos shtrembërohet e vërteta. Grekërit janë fqinjët tanë dhe populli shqiptar e ai grek gjatë historisë, kanë dhënë e marë me njëri-tjetrin. Politika dhe feja kanë ndërhyrë. Me Greqinë na lidhin shumë fije të përbashkëta. Veçanërisht pas viteve ’90, bashkëpunimi me të është shtuar shumë. Mijra emigrantë shqiptarë punojnë e jetojnë aty. Midis tyre ka edhe plot sinicarë si Albert Hysolli, Koço Tahiri, Stavri Pano, Koço Karamelo, Jorgjie Ago, Stefan Themeli, Ladi e Petrit Muçi, etj. Pra, fijet që na lidhin me atë popull janë të shumta, por historia është histori dhe nuk duhet ndryshuar.

 

One Response to “HISTORIA NUK DUHET NDRYSHUAR”

Read below or add a comment...

  1. Gege Kosova says:

    Historia nuk ndryshon,por historia shqiptare duhet te plotesohet e korigjohet,sepse me historine tone eshte bere flasifikime dhe anime.Sidomos, duhet plotesuar ato materie, te cilat qellimisht fqinjet tane dhe te tjeret, qellimisht i kane keqiterpretuar, qe te perfitojne hapesira dhe te demtojne substancen tone kombetare per llogari te tyre dhe shteteve te tyre.Kjo ane historie duhet plotesuar me faktografi te reje dhe te qendrueshme, si dhe fryma ideologjike,cilado qofte, qe ka shkakturar deme esenciale te kohes dhe ngjarjeve ne traditen tone hsitorike.

Comment

*