Historiku i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare

Rexhep Ismajli

Ideja dhe nisma për themelimin e një institucioni për mësimin e gjuhës shqipe për të huajt, që do të arrijë tek ajo që ne sot popullorçe e njohim si Seminari, ka qenë e profesor dr. Idriz Ajetit dhe është mbështetur nga komuniteti shkencor e kulturor ku vepronte ai në Kosovë, e me këtë edhe nga instancat shoqërore të Kosovës. Në mënyrë të heshtur, e në rrethana të caktuara edhe haptazi Seminari, i atillë siç ishte, ndërkaq, është kundërshtuar nga qarqe politike në Beograd, sidomos në situatat e krizave pas vitit 1981 për të arritur pikën e kulmit të kundërshtimit më 1988-89 dhe përfundimisht me nxjerrjen e tij jashtë ligjit bashkë me institucionet e tjera. Si shprehje e nevojave dhe interesave të komunitetit të studiuesve shqiptarë dhe të tjerë Seminari mbijetoi dhe vazhdoi jetën e tij në rrethana të reja pas çlirimit të Kosovës. Kuptohet që këto rrethana reflektohen dhe në përmbajtjen e veprimtarive.

***

Në dimër të vitit 1973/74 në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të (atëherë) Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës me nismën e Shefit shumëvjeçar të Degës dhe albanologut të shquar profesor Idriz Ajetit u diskutua për nevojën e themelimit brenda këtij fakulteti të një qendre për mësimin e gjuhës dhe të kulturës shqiptare për të huajt. Dega e priti me mirëkuptim tërë nismën, ndërsa profesor Ajeti ishte ai që do ta diskutonte mundësinë e themelimit edhe me instancat jashtë Fakultetit. Më vonë profesor Ajeti na kishte treguar se çështjen e kishte biseduar dhe në nivele të tjera brenda Kosovës dhe e kishte marrë edhe pajtimin e tyre (konkretisht të Mahmut Bakallit). Në Degë u morën vendime për organizimin, për kohën kur do të bëhej veprimtaria e parë, për njerëzit që do të merreshin me përgatitjen e tekstit të mësimit dhe të materialeve të tjera të nevojshme, ashtu si dhe të programit. Për hartimin e tekstit u caktuan H. Agani, M. Bardhi dhe R. Ismajli, i cili ishte caktuar dhe sekretar i seminarit, ndërsa profesor Ajeti ishte caktuar Drejtor. Përgatitjet reale nisën vetëm më vonë në maj. Pastaj u nisën ftesat e para (disa madje në qershor). Ndërkohë H. Agani kishte hequr dorë nga puna për tekstin, kështu që ajo mbeti për ne dy të tjerët. Në qershor ndjeheshim jo shumë komodë, sepse ende nuk e dinim a do t’ia dilnim të zgjonim interesimin e një numri të mjaftueshëm të pjesëmarrësve dhe a do të kishim mundësi të ofronim përmbajtje të mjaftueshme të një niveli përkatës. Gjatë kësaj kohe (qershor-korrik) hartuam tekstin Kurs i gjuhës shqipe për të huaj (autorë: M. Bardhi, R. Ismajli; teksti pastaj u përkthye frëngjisht dhe arabisht, ndërsa një version u përshtat gjermanisht nga albanologu A. Hetzer), bëmë programin dhe ia dolëm të siguronim pjesëmarrjen e një numri të mjaftueshëm studiuesish. Të gjitha ftesat ishin bërë duke u mbështetur te njohjet që kishim dhe te përvoja e mëhershme e Degës në komunikimet me studiuesit jashtë Kosovës. Shumë prej tyre u ftuan në momentet e fundit, madje edhe me telefon. Ideja u prit mirë, kështu që askush nuk bëri vërejtjen për vonesat. Të premten e fundit të javës para se të fillonte Seminari u bë dhe një konferencë për gazetarë, ku u dhanë njoftimet e nevojshme për tërë veprimtarinë. Mjetet e atëhershme të informimit në Kosovë shfaqën interesim dhe i ndoqën me shumë korrektesë e dashamirësi punimet e Seminarit.

Programi dhe Revista e Seminarit të parë, 1974

Programi i punës ishte shtypur në një fletëpalosje në 8 faqe, shqip e frëngjisht:

“Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, Qendra e Kulturës Shqiptare për të Huaj, Program i seminarit të parë të gjuhës dhe të kulturës shqiptare për të huaj, Prishtinë 10-30 gusht 1974.

Në faqen e dytë jepej ky shënim: “Qendra e Kulturës Shqiptare për të Huaj, e themeluar sivjet, ka marrë për obligim të organizojë për çdo vit një seminar ndërkombëtar, programi i të cilit përbëhet nga dy pjesë themelore: kurset e gjuhës shqipe dhe ligjëratat mbi probleme të ndryshme të gjuhës, të kulturës, të historisë dhe të letërsisë shqiptare. Sivjet organizohet Seminari i parë“.

“Qendra e ka selinë në Fakultetin Filozofik, që është themelues i saj dhe drejtohet nga Komiteti organizues: dr. Idriz Ajeti, drejtor, mr. Mehdi Bardhi, anëtar, dr. Rexhep Qosja, anëtar, dr. Skender Rizaj, anëtar dhe Rexhep Ismajli, sekretar.“

Në faqet 3 dhe 4 jepeshin shpjegimet vijuese:

“Për pjesëmarrësit e seminarit do të organizohen dy kurse mësimi të gjuhës: për fillestarët do të mbahen mësime në bazë të tekstit të përgatitur nga një komision i Qendrës, ndërsa për pjesëmarrësit e tjerë do të mbahen ushtrime lektorike. Të dy grupet do të punojnë çdo ditë prej orës 8 deri në orën 9,30 në lokalet e Fakultetit Filozofik. Mësimet dhe ushtrimet do të mbahen nga një grup mësimdhënësish të Degës së Gjuhës Shqipe të këtij fakulteti nën drejtimin e mr. Mehdi Bardhit, ligjërues i lartë.

“Përveç kësaj, në program janë paraparë ligjërata mbi probleme të ndryshme të gjuhësisë, të letërsisë, të historisë dhe të kulturës shqiptare. Janë paraparë dhe disa shëti dhe dy ekskursione të vogla nëpër Kosovë.“

Në tri javë pune ishin parashikuar këto veprimtari dhe ligjërata: I. Ajeti: Marrëdhëniet gjuhësore shqiptare-sllave; E. Stavileci: Pozita e Kosovës në kuadër të Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë; G. Luboteni: Dramaturgjia shqiptare; B. Bokshi: Zhvillimi i strukturës së temave emërore të shqipes; R. Qosja: Periodizimi i letërsisë së re shqiptare; H. Mekuli: Romani shqiptar; A. Aliu: Proza shqiptare në Jugosllavi; H. Kaleshi: Letërsia shqiptare me alfabet arab; R. Ismajli: Probleme të sistemit fonologjik të shqipes; R. Qosja: Letërsia shqiptare e Rilindjes dhe romantizmi evropian; L. Mulaku: Të folmet shqipe në Jugosllavi; Sh. Pllana: Ritet e motmotit në letërsinë gojore të shqiptarëve; Sh. Pllana: Letërsia gojore e shqiptarëve të Jugosllavisë mbas Luftës; Sh. Rahimi: Lufta e popullit shqiptar për autonomi në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të shekullit tonë; A. Çetta: Anegdotat në letërsinë gojore shqiptare; Z. Mirdita: Ilirët dhe etnogjeneza e popullit shqiptar; M. Krasniqi: Familja shqiptare në Jugosllavi; Z. Mirdita: Dardanët në historiografi; M. Bardhi: Zhvillimi i gjuhës letrare shqipe në Jugosllavi; E. Gjerqeku: Poezia shqiptare në Jugosllavi. U organizuan dhe diskutime. Programi u realizua në tërësi dhe u organizuan dy ekskursione nëpër Kosovë.

Në Seminarin e parë morën pjesë 28 studiues (jo 27, siç ka dalë në botimin e Seminarit 1, ku  mungonte emri i Dalibor Brozović) dhe të interesuar për mësimin e shqipes, që ishin vendosur në konviktin e studentëve. Ndër pjesëmarrësit kishte studiues tashmë gjerësisht të njohur në fushat për-katëse. Shumica syresh kishin ardhur me tërë gëzimin që po niste një veprimtari që më parë nuk kishte ekzistuar për studimet e gjuhës shqipe. Kishte ndër ta dhe autoritete që kishin ardhur edhe për kërshërinë shkencore, po edhe për një mbështetje morale për përpjekjet e organizuesve. Programi i punës përfshinte mësime të gjuhës shqipe në dy nivele për çdo ditë, ligjërata për fusha të ndryshme albanologjike, veprimtari kulturore. Shumë shpejt, falë edhe vullnetit të mirë të mjeteve të informimit, puna e Seminarit u bë e njohur si veprimtari e rëndësishme për tërë Kosovën. Ligjëratat e çdoditshme përktheheshin të shkurtuara për grupe studiuesish që nuk merrnin vesh shqip, kryesisht frëngjisht, ndërsa për të tjerat jepeshin njoftime të përmbledhura në këtë gjuhë. Ishte përvoja jonë e parë në atë gjerësi dhe shpesh kishim dilema se si ishte më mirë të vepronim. Ishte vlerësim i përgjithshëm i pjesëmarrësve se po niste një veprimtari shumë e dobishme, e mirëseardhur dhe që duhej të zhvillohej më tej.

Suksesi i Seminarit të parë u vlerësua lart brenda Fakultetit, në Universitet dhe në opinionin publik të Kosovës, por pati dhe një jehonë pozitive jashtë vendit.

Rexhep Ismajli,Leonard Newmark, Oda Buchholz (në plan të parë), Abdyllatif Arnauti (në plan të dytë), te Burimi i Drinit të Bardhë, 1976 .jpg

 

Pjesëmarrësit ishin vendosur në Konviktin nr. 1 të studentëve, ndërsa për çdo gjë përreth kujdeseshin shërbimet që nuk vareshin nga Universiteti. Megjithatë, në disa instanca kishte pasur vërejtje, ndër to dhe një krejt formale: sipas detyrimit ligjor, organizuesi kishte pasur për detyrë të njoftonte me shkrim organet e administratës shtetërore për të ftuarit dhe kohën e vendin e qëndrimin e tyre (për secilin). Sado që veprues të atyre institucioneve ishin të pranishëm gjithandej dhe e ndiqnin punën me kujdes, vërejtja formale në një prej hallkave të njoftimit kishte mjaftuar që Drejtoria e Seminarit të dënohej me një shumë të hollash. Kishte dhe pëshpërima, por suksesi i Seminarit i mbuloi të gjitha. Vetë në vjeshtë mora urdhrin të shkoja ushtar dhe ndërkohë më kishin larguar nga Drejtoria, por kur u bë Seminari i dytë, Drejtori (Rektor) I. Ajeti bashkë me shefin e protokollit të UP-së erdhi në kazermën ku po kryeja shërbimin ushtarak të kërkonte leje që të mbaja mësimet.

Në ndërkohë kishte ndodhur dhe një ndryshim: instanca organizuese e veprimtarisë nuk quhej më Qendra e Kulturës Shqiptare për të Huaj, po thjesht Seminari i Kulturës Shqiptare për të Huaj, më vonë Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare për të Huaj dhe më në fund Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Në vitet ‘70 të sh. 20 Seminari përjetoi një zhvillim të mëtejmë dhe u afirmua në tërë botën. Pas vitit 1981 nisën vështirësitë për punën e Seminarit, ashtu si për shumë çështje të tjera në fushën e arsimit e të kulturës. Megjithatë, falë dhe vetëdijes së mjedisit që këtë veprimtari e vlerësonte si të rëndësishme, Seminari e vazhdoi veprimtarinë e vet deri nga fundi i viteve ‘80, kur u bë objekt sulmesh të shfrenuara nga qarqet shoviniste serbe, ashtu si çdo gjë që kishte të bënte me kulturën shqiptare.

Vlera e tërë kësaj ideje të organizimit të një institucioni të atillë nuk u venit as në vitet e vështira ‘90, kur Fakulteti i Filologjisë me dekan dhe drejtor të Seminarit profesor Z. Rrahmanin, në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë organizuan dy sesione të Seminarit më 1995 dhe 1996 në Tiranë, çka po ashtu u prit mirë. Pas Lufte, në vitin 2000, me drejtor R. Ismajlin Seminari e rimori veprimtarinë e vet sërish në Prishtinë dhe e vijoi përvojën e bashkëpunimit me qendrat në Tiranë, fillimisht me Institutin e Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave, më vonë me Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës dhe vijoi rritën e tij si institucion shumë i rëndësishëm i kulturës dhe i shkencës.

Veprimtaria e Seminarit, si shprehje e natyrshme e zhvillimeve të atyre studimeve dhe e gjendjes së vetëdijes për pozitën dhe rolin që i takonte këtij mjedisi, po edhe si shprehje e nevojave për një veprimtari të tillë gjithandej në botën që po interesohej gjithnjë e më shumë për botën shqiptare, me kohë u zhvillua dhe u bë institucion i rëndësishëm i përhapjes së gjuhës, të letërsisë dhe të kulturës shqiptare në botë, institucion që përçonte dhe mesazhe të tjera për qenien, shkallën e zhvillimit, përpjekjet dhe aspiratat e këtij mjedisi kulturor-shkencor e shoqëror, gjithë duke i zgjeruar lidhjet, pra edhe mundësitë që ne të mësonim nga të tjerët dhe përvojat e tyre në fushat e studimeve shqiptare apo të ngjashme. Ishte një hap më tej i daljes dhe integrimit në botë. Seminari u bë një dritare e rëndësishme për njohjen e realitetit të Kosovës në botë, por edhe për përçimin e përvojave të botës në Kosovë. Posaçërisht i rëndësishëm qe dimensioni i komunikimit midis tyre i albanologëve nga anë të ndryshme të perdes së hekurt në botën e ndarë atëherë dhe me perdet ideologjike. Studiuesit nga Shqipëria ishin të izoluar nga bota tjetër, studiuesit nga Kosova po kërkonin daljen në suaza të rritjes së tyre dhe brenda kornizave ideologjike-politike jugosllave, studiuesit nga bota lindore po kërkonin komunikime me kolegët dhe me dijen që zhvillohej në Perëndim dhe e kundërta. Ishte mjeshtri e organizuesve që t’ia dilnin që në ato rrethana t’u përgjigjeshin sfidave që buronin nga një situatë e tillë. Botimet e tekstit, të materialeve ndihmëse për punën e Seminarit dhe sidomos të Akteve të Seminarit të çdo viti tashmë janë bërë pjesë e traditës albanistike.

Image result for seminari i gjuhes, letersise e kultures shqiptare

Studiuesit e gjuhës shqipe nga Shtetet e bashkuara të Amerikës qysh herët kishin shfaqur interesim për bashkëpunim me studiuesit nga Kosova. është tashmë e njohur se duajeni i studimeve shqiptare Eric P. Hamp qysh në 1956 kishte shfaqur interesim për kontakte të tilla dhe ai kishte vi-zituar herëpasherë vise të ndryshme shqiptare për qëllime studimi. Më 1967, kur klima politike dhe liritë intelektuale kishin nisur të merrnin tjetër gjerësi edhe në Kosovë, në Prishtinë qëndroi për më shumë se një vit studiuesja tashmë e njohur Janet Byron, e cila pastaj boti studimin e njohur për shqipen standarde. Këto kontakte vijuan dhe me themelimin e Seminarit ato u intensifikuan. Përveç Hampit, aty erdhi dhe Leonard Newmark, por edhe të tjerë që aty nisnin mësimet e para e më pastaj u bënë albanologë të njohur, si Victor Friedman, apo edhe Gary L. Bevington, Pilip Hubburd, Met Curtis, e të tjerë.  Më shumë se për listën e pjesëmarrësve, Seminari pati rëndësi që e hapi rrugën e bashkëpunimit me kolegët amerikanë. Kështu më 1980 bashkë me profesor Hamp-in bëmë dhe një marrëveshje për një projekt afatgjatë studimi kontrastiv midis gjuhëve shqipe e angleze, marrëveshje që u firmos nga Rektori i UP-së G. Zajmi dhe përgjegjësi i Universitetit të Chicagos. Për fat të keq, kjo nismë u hesht pas vitit 1981, kur për studiuesit në Prishtinë u shtuan vështirësitë e komunikimit.

(Ky është version i zgjeruar dhe i plotësuar i shkrimit të publikuar në gazetën Koha Ditore, më 18 gusht 2018) 

 

* Autori i këtij shkrimi, Akademik Rexhep Ismajli, ka qenë njëri ndër ideatorët e themelimit të Seminarit të gjuhës dhe kulturës shqiptare për të huaj (tash: Seminari Nërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare), bashkautor i Programit të Seminarit, bashkautor i Tekstit të Seminarit për mësimin e gjuhës shqipe  për të huaj (me prof. Mehdi Bardhin) dhe Sekretar i Seminarit të parë. Ai ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në ndryshimet dhe plotësimet e Programit të Seminarit ndër vite, si edhe në afirmimin e Seminarit në qarqet e albanologëve dhe të studiuesve të fushave tjera që kishin interesime për gjuhën, letërsinë, historinë dhe kulturën shqiptare.  Ka marrë pjesë në sesionet shkencore të pothuaj të gjitha seminareve të deritashme, me ligjërata, kumtesa e trajtesa shkencore. Disa vjet ka qenë edhe Drejtor i Seminarit. Ai ka merita të veçanta që Seminari është bërë një nga qendrat më të rëndësishme e albanologjisë në botë.

(R.Muçolli)

Comment

*