Holanda bashkëpërgjegjëse për Srebrenicën

Më shumë se 20 vjet pas Masakrës së Srebrenicës, në Luftën e Bosnjes, një gjykatë në Hagë e bën Holandën bashkëpërgjegjëse për gjenocidin.

 

Hagë, 27 qershor 2017 – Një gjykatë në Hagë e bëri sërish bashkëpërgjegjës shtetin holandez për vdekjen e 350 viktimave gjatë masakrës ndaj myslimanëve në Srebrenica, në vitin 1995. Megjithatë, gjykata e shfuqizoi pjesërisht një vendim të instancës së parë, duke pranuar përgjegjësi të pjesshme të Holandës dhe të ushtarëve holandezë helmetkaltër për masakrat që ushtruan serbët.

Gjatë luftës së Bosnjes, helmetkaltrit holandezë duhet ta ruanin enklavën boshnjake të Srebrenicës si edhe mijëra refugjatë. Por, në korrik 1995, ata u dorëzuan pa luftë, pas sulmit të stuhishëm të njësive serbe. Forcat serbe, nën komandën e gjeneralit serb, Ratko Mlladiq, vranë më pas 8000 burra dhe djem myslimanë. Masakra e Srebrenicës është gjenocidi më i madh në truallin europian pas Luftës së Dytë Botërore.

Familjarët e viktimave e akuzuan shtetin holandez gjë që u vlerësua pjesëwrisht e drejtë në instancën e parë të gjykatës.

Një gjykatë civile kishte marrë vendimin se Holanda mbante përgjegjësi për vdekjen e 300 burrave, të cilët atëherë ishin nën mbrojtjen e helmetkaltërve holandezë. Ky ishte vendi i parë që e fajësonte një shtet pjesëmarrës në trupat e OKB-së për krimet e të tretëve.

Në instancën e parë, gjykata në Holandë nuk e kishte bërë shprehimisht përgjegjëse Holandën për rastin e enklavës dhe për vdekjen e refugjatëve. Por, ushtarët nuk kishin vepruar në përputhje me ligjin në deportimin e 300 burrave nga territori i tyre ushtarak, ndonëse, sipas gjykatësve, kishte pasur sinjale për vrasje masive.

“Me shumë siguri mund të thuhet se këta burra do të kishin jetuar, nëse Dutchbat do t’i kishte lejuar ata të qëndronin brenda territorit ushtarak”, thuhet në argumentimin e gjykatësve.

Qeveria holandeze e kishte apeluar vendimin. Sipas saj, Dutchbat nuk mund të bënte asgjë kundër supremacisë serbe dhe se trupat holandeze kanë qenë nën komandën e OKB-së. Por, edhe të afërmit e viktimave e kishin apeluar vendimin. Organizata “Nënat e Srebrenicës” është e mendimit, se Holanda është përgjegjëse për më shumë viktima.

(DW)

Comment

*