Hollësi të reja mbi operacionin në të cilin u vra Al-Baghdadi

Uashington, 29 tetor 2019 – Zyrtarët amerikanë po publikojnë hollësi të tjera nga operacioni i rrezikshëm ushtarak i së shtunës që eliminoi udhëheqësin e organizatës Shteti Islamik Abu Bakr al-Bagdadi. Dikur njeri i fuqishëm, i vetëshpallur kalif, Al-Baghdadi u gjet i fshehur në një tunel. Duke parë se nuk kishte rrugëdalje, ai hodhi në erë veten dhe tre fëmijët e tij. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carla Babb, na jep më shumë informacion për materialet që komandot amerikane gjetën pas operacionit.

Kjo është gjithçka që ka mbetur nga vendi ku rrinte i fshehur udhëheqësi i Shtetit Islamik. Gjithçka është shndërruar në rrënojë nga fuqia e goditjes ajrore amerikane.

Forcat amerikane i morën mbetjet trupore të Al-Bagdadit nga një tunel diku nën këtë rrënojë, duke konfirmuar identitetin e tij me anë të ADN-së, para se ta varrosnin në det.

Zyrtarët e lartë të Pentagonit thanë se Al-Bagdadi nuk ishte i vetmi që u eliminua.

“Ishin edhe dy meshkuj të rritur që u kapën të gjallë dhe që i kemi nën arrest,” tha gjeneral Mark Milley.

Zyrtarët shpresojnë se të dy këta persona si dhe një thesar të dhënash të mbledhura nga kompleksi, do të ndihmojnë forcat amerikane dhe Forcat Demokratike Siriane me të cilat ato po bashkëpunojnë.

Ndërkohë, Presidenti Trump e ka kthyer vemendjen e tij në një tjetër pasuri: fushat e naftës në veri-lindje të Sirisë.

“Ne po mbajmë naftën – mos harroni. Unë gjithmonë kam thënë: “Mbani naftën. Janë 45 milion dollarë në muaj.”

Sigurimi i fushave të naftës tani është pjesë e misionit të Amerikës. Sekretari i mbrojtjes Mark Esper thotë se trupat amerikane do t’i mbrojnë ato nga forcat ruse dhe siriane, nëse është e nevojshme.

“Ne duam të garantojmë që Forcat Demokratike Siriane do të kenë qasje te këto burime, për të ruajtur burgjet, për të armatosur trupat e tyre, në mënyrë që të na ndihmojnë në misionin për mposhtjen e ISIS-it”, tha Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper.

Një kolonë trupash amerikane u largua nga Siria pak ditë më parë në mes të brohoritjeve dhe thirrjeve provokuese, por një zyrtar amerikan i mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës se një autokolonë tjetër e forcave amerikane u fut përsëri në Siri të dielën për furnizimin e trupave dhe për të përgatitur tërheqjen që synon të arrijë Presidenti Trump.

“Duke dërguar më shumë njerëz për të mbrojtur fushat e naftës, a do të ketë tani më shumë trupa në Siri sesa kishte më parë? Apo më pak?”

“Pritshmëria ime është se do të ketë më pak dhe se ata do të kthehen në shtëpi”, tha Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper.

Por në kushtet kur në Siri hyjnë e dalin trupa, është e paqartë se sa kohë do të zgjasë tërheqja amerikane.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*