Hoti: Askush nuk ka drejte të flasë për ndryshim të kufijve

Prishtinë, 2 gusht 2018 – Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ndaj deklaratës së Presidentit Hashim Thaçit për atë që ai e ka quajtur “korrigjim” të vijës së kufirit mes Kosovës e Serbisë.

Hoti i ka quajtur të kota deklaratat e Thaçit dhe ka theksuar se askush nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin e Kosovës.

“Lojërat me fjalë si ‘shkëmbim territoresh’ dhe ‘korrigjim të kufijve’ janë të kota, por po na kushtojnë me stopim të plotë të njohjeve të reja. Askush nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin e Kosovës, sepse do të binte ndesh me vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur, të shpallur me Deklaratën e Pavarësisë me 17 shkurt 2008, dhe me Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Sipas Hotit, deklaratat për “korrigjim” të kufijve po e dëmtojnë pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Vetë ideja që kjo çështje mund të diskutohet në dialogun me Serbinë e ka nxjerrë jashtë funksionit të saj gjithë diplomacinë e Kosovës. Sot, në asnjë takim a forum ndërkombëtar, nuk diskutohet për njohje të reja që duhet t’i vijnë Kosovës, sepse liderët institucionalë të Kosovës kanë dhënë sinjale se do të rishikojnë tërësinë territoriale të Kosovës. Kjo është e pafalshme dhe do të ndëshkohet nga qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Reagimi i Hotit vjen pas deklaratës së sotme të Thaçit se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, por mund të ketë “korrigjim” të kufijve mes Kosovës e Serbisë. (r.m.)

Comment

*