Hoti: Dialogun duhet ta udhëheqë një qeveri e fuqishme

Prishtinë, 23 shtator 2018 – Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se Qeveria e Kosovës që drejtohet nga kryeministri Ramush Haradinaj nuk mund ta udhëheqë dialogun e as ta delegojë këtë autoritet te dikush tjetër, pasi ajo është qeveri e pakicës.

Hoti, në një postim në Facebook, shkruan se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të udhëhiqet nga një qeveri e fuqishme, me bazë të gjerë.

“Kjo mund të arrihet vetëm pas zgjedhjeve të lira, të cilat do të prodhojnë një qeveri stabile.Në qeverinë e ardhshme, të udhëhequr nga LDK-ja. Ne do të punojmë sado që është e nevojshme me të gjitha forcat politike për të arritur konsensus për dialogun, sepse ky proces nuk i takon vetëm një partie apo vetëm qeverisë”, ka shkruar Hoti.

Postimi i plotë i Hotit:

Dialogu mund të udhëhiqet vetëm nga institucione përfaqësuese dhe legjitime, që flasin në emër të shumicës së qytetarëve të Kosovës. Dialogu nuk mund të udhëhiqet nga një qeveri e pakicës, që diktohet në veprime nga vullneti i partnerëve të vegjël të cilët e mbajnë në këmbë.

Kryeministri nuk ka asnjë fuqi politike për të udhëhequr këtë proces, e as fuqi për të deleguar këtë autoritet tek dikush tjetër. Është e qartë se ai mund të flasë vetëm në emrin e partisë së tij, por jo në emër të Qeverisë, e cila është copëtuar në zona të interesit.

Udhëheqjen e dialogut duhet ta marrë përsipër një qeveri e fuqishme me bazë të gjerë, bazuar në mandat të qartë nga Kuvendi i Kosovës. Kjo mund të arrihet vetëm pas zgjedhjeve të lira, të cilat do të prodhojnë një qeveri stabile.

Në qeverinë e ardhshme, të udhëhequr nga LDK-ja, ne do të punojmë sado që është e nevojshme me të gjitha forcat politike për të arritur konsensus për dialogun. Sepse ky proces nuk i takon vetëm një partie apo vetëm qeverisë.

(r.m.)

Comment

*