Hoti: Do të reagojmë me dinjitet karshi zhvillimeve që priten

Prishtinë, 29 qershor 2020 – Kosova do të reagojë me dinjitet ndaj zhvillimeve të mundshme në ditët e ardhshme, të cilat ndërlidhen me aktakuzën e paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, në Dhomat e Specializuara, kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Në një konferencë për media, ai ka komentuar se cilat do të jenë rrjedhat politike në rast se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi jep dorëheqje, si dhe pas kësaj, eventualisht, a do të synohet bashkëpunimi i qeverisë aktuale me Partinë Demokratike të Kosovës për të bërë zgjedhjen e presidentit të ri.

”Unë besoj që pas gjithë këtyre viteve kemi ndërtuar një kulturë institucionale dhe një maturi institucionale. Me cilado situata që përballemi do të reagojmë me dinjitet karshi zhvillimeve që do të ndodhin”, ka theksuar kryeministri Hoti.

Duke komentuar kërkesën e vazhdueshme të partisë më të madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje, për zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, Hoti ka theksuar që qeveria aktuale do të vazhdojë punën edhe më tej.

“Sa u përket zgjedhjeve, Kosova ka qeveri plotësisht funksionale dhe kushtetuese dhe për aq kohë sa është një qeveri që është funksionale, që ka mbështetjen e shumicës së deputetëve në Kuvendin e Kosovës, duhet të vazhdojë”, tha Hoti.

Javën e kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaçi, Kadri Veseli (kryetar i PDK-së) dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

(REL)

Comment

*