Hoti e cilëson të pabazë raportin për Parlamentin Evropian mbi rrëzimin e “Qeverisë Kurti“

Prishtinë, 7 dhjetor 2020 – Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka cilësuar të pabazë raportin e hartuar për Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, i cili ka ardhur në përfundimin se Qeveria e kaluar e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ishte rrëzyar nga “një operacion dezinformues amerikan”,

Sipas Hotit, ky studim nuk paraqet opinionin e Parlamentit Evropian, por të autorëve të studimit.

“Raport i ndërtuar plotësisht në teori konspirative, pa asnjë të vërtetë. Unë shpresoj dhe jam i bindur. Jemi duke komunikuar tani me zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe të Parlamentit Evropian lidhur me këtë raport. Ky raport nuk është opinionin e Parlamentit Evropian, por i autorëve dhe duket qartë se në bazë të analizave që i janë bërë raportit dhe të dhënat që janë përdorur në konkludimet e këtij raporti janë të paqëndrueshme, të pavërteta dhe konspirative”, ka thënë Hoti.

I pyetur për raportet e tij me të dërguarin e ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, Hoti ka thënë se ai ka komunikim të rregullt me të dhe se marrëveshja për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator, do të vazhdojë të zbatohet.

“Komunikimin e kemi të rregullt dhe kemi pasur edhe në të kaluarën, me të dy kampet politike të SHBA-së – me republikanët dhe me demokratët. Mirë që është konfirmuar që pavarësisht ndërrimit të administratës atje, marrëveshja e nënshkruar në Uashiongton, më 4 shtator, do vazhdojë të zbatohet dhe jemi duke punuar çdo ditë. Javën që shkoi kemi pasur një takim me DFC-në për të identifikuar çështjet që duhet t’i çojmë përpara, si dy qeveri, zotimet që kemi marrë për realizimin e këtyre”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se Kosova e ka humbur një momentum të përshtatshëm për liberalizimin e vizave, por tani është duke punuar shumë që t’i bindë vendet anëtare të BE-së që të miratojnë vendimin për liberalizim.

“Sa i përket liberalizimit, ju e dini që është humbur një momentum. Tani po punojmë shumë që t’i bindim vendet anëtare, veç e veç. Me Gjermaninë është punuar edhe në qeverinë e kaluar, tash, në këtë qeveri po punojmë me Francën dhe me Holandën. Ministrja e Jashtme ka qenë në Holandë, është takuar me homologun e saj në Holandë. Të shohim. Tani është vendim i brendshëm i vendeve anëtare. Sa na përket neve, si shteti e si qeveri, siç është konfirmuar në raportin për vendin, në tetor, të gjitha kushtet si shtet i kemi plotësuar dhe vazhdojmë t’i mbajmë“, kas thënë Hoti.

(r.m.)

Comment

*