Hoti: Jemi kundër shkëmbimit të territoreve, të dy territoret janë të Kosovës

Uashington, 3 gusht 2018 – Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se LDK-ja është kundër idesë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë.

“Ne në asnjë moment nuk jemi të gatshëm të shkëmbejmë territor shqiptar, territor të Kosovës me territor të Kosovës, sepse shkëmbimi i territorit të veriut të vendit me Preshevën nënkupton shkëmbim i territorit tonë me një territor tonin”, ka thë Hoti, në intervistë dhënë Zërit të Amerikës.

Hoti ka përsëritur se Presidenti Hashim Thaçi dhe Qeveria aktuale e Kosovës nuk kanë legjitimitet për të drejtuar bisedimet me Serbinë dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

“Nuk mund të mandatojmë të zhvillojë dialogun një qeveri që nuk e ka shumicën, nuk mund ta mandatojmë presidentin, sepse nuk është në kompetencat kushtetuese të presidentit që të dialogojë për çështje të tilla. Vetëm parlamenti i Kosovës dhe shumica parlamentare që e nxjerr qeverinë e vendit mund të dialogojë dhe atë me dy të tretat e votave në parlament. Pra fillimisht duhet legjitimitet qytetarë, duhet një shumicë parlamentare e qëndrueshme që merr përsipër procese kaq të mëdha”, ka theksuar Hoti.

 

Intervista e plotë:

 

Zëri i Amerikës: Zoti Hoti, presidenti Thaçi së fundmi hodhi idenë për sic thotë ai, korrigjimin e kufirit me Serbinë. Për ju, çfarë do të thotë një ide e tillë?

Hoti: Unë mendoj që nuk është koha për ide të tilla, Kosova është shpallur shtet i pavarur në vitin 2008 në tërësinë territoriale që e ka gëzuar në vitin 1989 dhe pastaj ajo deklaratë e pavarësisë është shpallur në Parlamentin e Kosovës dhe ka marrë, nëse mund të themi, bekimin e drejtësisë ndërkombëtare përmes opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kanë qenë breza të tërë të shqiptarëve në Kosovë që kanë luftuar, derdhur gjak, djersë dhe mund për këtë projekt që e kemi tash edhe ta kenë të qartë të gjithë se projekti i Kosovës së pavarur edhe ky është kompromis për realizimin e interesave të çështjeve kombëtare. Ne në asnjë moment nuk jemi të gatshëm të shkëmbejmë territor shqiptar, territor të Kosovës me territor të Kosovës, sepse shkëmbimi i territorit të veriut të vendit me Preshevën nënkupton shkëmbim i territorit tonë me një territor tonin. Kemi luftuar për një projekt të Kosovës së pavarur, prej që është themeluar Lidhja Demokratike e Kosovës në dhjetor të vitit 1989 dhe pastaj me referendumin në fillim të viteve të 90-ta edhe me zhvillimet politike që kanë ndodhur, kemi besuar në projektin e Kosovës së pavarur, sovrane e të integruar në Bashkimin Evropian e në NATO me miqësi të përhershme me Shtetet e bashkuara të Amerikës dhe jemi shumë afër të realizimit të këtij misioni. Ka mbi 110 vende që na kanë njohur si shtet i pavarur, kemi problem në integrimin në BE sepse pesë vende ende nuk na kanë njohur, kemi problem normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por i kemi shtetet më të fuqishme të botës perëndimore në krah sepse jemi në anën e së drejtës për të realizuar interesat tona kombëtare.

Zëri i Amerikës: Presidenti po thotë që nuk do të ketë shkëmbim territoresh por Presheva të bashkohet me Kosovë në tërësinë aktuale. Si ju duket kjo?

Hoti: Unë besoj që presidenti i vendit të qëndrojë brenda mandatit të tij kushtetues. Ai është personi që duhet ta mbrojë kushtetutën e vendit dhe territorin e vendit dhe ai është i fundit që duhet të flasë për gjëra të tilla.

Zëri i Amerikës: Si duhet të jetë marrëveshja përfundimtare me Serbinë?

Hoti: Ne besojmë që marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të jetë e tillë që mundëson normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve të pavarura dhe një normalizim i tillë arrihet vetëm me njohje reciproke. Nuk mund të ketë normalizim nëse nuk ka njohje reciproke. Ne në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë nuk jemi të interesuar të arrijmë një marrëveshje afat-shkurtë ose afat-gjatë ose për një gjeneratë. Ne jemi të interesuar që të arrijmë një marrëveshje jetësore për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e cila arrihet vetëm me njohje reciproke, duke pas parasysh tri parime, të cilat ne si Lidhje Demokratike i kemi bërë publike. Në këtë marrëveshje përfundimtare duhet të kihet parasysh që të ruhet tërësia territoriale e Kosovës; e dyta, duhet të ruhet gjithsesi karakteri unitar i shtetit të Kosovës që të mos lejojmë bosnjëzim të Kosovës sepse ajo do ta bënte shtetin e Kosovës jo funksional dhe çfarëdo ndryshimi në të ardhmen në kushtetutën e vendit duhet të jetë në parimet e kushtetutës që e ruan Kosovën si shtet unitar, që mbron të drejtat e minoriteteve dhe i avancon ato në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Tashmë ka filluar procesi përfundimtar për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë. Deri tani si e shihni ju, a ka ndonjë rrezik që të shkohet përtej këtyre parimeve?

Hoti: Për neve dialogu për marrëveshjen përfundimtare nuk ka filluar. Unë besoj që nuk ka filluar. Takimet që janë mbajtur në mes të dy presidentëve, ne nuk mund t’i konsiderojmë si pjesë të dialogut këto takime që askush nuk e di se çfarë po bisedohet. Na parlamentin e Kosovës nuk ka një rezolutë për dialog përfundimtar me Serbinë e cila rezolutë do t’i vendoste si të themi, vijat e kuqe ose ne po i quajmë parime të marrëveshjes përfundimtare që janë këto tria që i përmenda më herët, tërësia territoriale e vendit, karakteri unitar i shtetit dhe ruajtja e frymës së kushtetutës së vendit.

Zëri i Amerikës: Javëve të fundit ka pasur shumë deklarata lidhur me ndarjen e Kosovës apo shkëmbim territoresh. Sa janë shqetësuese deklarata të tilla?

Hoti: Këto janë balona në ajër, që po lëshohen nga disa persona që fatkeqësisht disa tjerë po kapen pas atyre balonave. Ne kemi 30 vjet që angazhohemi si parti politike dhe jemi anëtar të partive popullore evropiane angazhohemi për Kosovën shtet të pavarur dhe të integruar në Bashkimin Evropian e në NATO dhe nuk heqim dorë nga kjo, ne nuk mund të shkëmbejmë territore të Kosovës me territore të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zyrtarë të lartë nga partia juaj kanë hedhur idenë për shkëmbim të territoreve me Serbinë. Cili është qëndrimi i partisë suaj?

Hoti: Qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës është ky që sapo e thashë, zyrtarë të lartë të LDK-së që e kanë hedhur këtë ide e kanë thënë edhe vetë publikisht se respektojnë plotësisht qëndrimin e partisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Hoti, sipas jush si duhet të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe?

Hoti: Duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen dhe në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe me opinionin e gjykatës kushtetuese të Kosovës. Statuti i asociacionit duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës përpara se të miratohet në qeveri, kështu edhe kërkohet me marrëveshjen që është arritur në Bruksel në vitin 2015. Çdo devijim nga kjo formë e themelimit të asociacionit është në kundërshtim me kushtetutën e vendit dhe unë besoj që askush nuk mund të marr guximin brenda institucioneve të vendit që të miratojë një statut që bie ndesh me parimet kushtetuese tona.

Zëri i Amerikës: Vëzhguesit kanë ngritur shqetësim se Kosova po humb përkrahjen nga vendet mike, dhe se të njëjtit nuk kanë kundërshtuar idetë e ndryshme që po qarkullojnë, lidhur me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Sa është e rëndësishme përkrahja e vendeve kryesore perëndimore?

Hoti: Unë besoj që përkrahjen e miqve ndërkombëtarë ne e humbim në rast se e bëjmë shtetin tonë jo funksional, në rast se institucionet e vendit nuk e kryejnë detyrën për të ruajtur interesat vitale shtetërore të Kosovës, në rast se nuk e zhvillojmë ekonominë, në rast se nuk e luftojmë krimin dhe korrupsionin, në rast se nuk tregojmë që jemi një demokraci e qëndrueshme e ndjenjë për t’u integruar në Bashkim Evropian. Vetëm këtë rast ne mund të humbim përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës: Zoti Hoti, a po ushtrohet trysni ndaj partisë suaj për t’u përfshirë në bisedimet që tashmë po zhvillohen në Bruksel?

Hoti: Asnjë trysni nuk ka. Është një qëndrim publik zyrtarë i mbajtur nga Lidhja Demokratike. Ka tre muaj që qeveria dhe institucionet e vendit kanë humbur legjitimitetin sepse nuk e kanë shumicën në parlament. Ka gjithashtu tre muaj që parlamenti i Kosovës nuk funksionon normalisht sepse koalicioni qeverisës nuk ka mjaft vota për të çuar përpara ligjet më të thjeshta. Ne kemi hapur mundësi të dialogut përmes tryezave të partive politike për të ardhur tek një dakordim për këtë çështje dhe nuk ka pasur realisht ndonjë gatishmëri dhe tash pozicioni jonë është shumë i qartë dhe duhet të shkojmë sa më parë në zgjedhje. Dialogu me Serbinë, marrëveshja përfundimtare me Serbinë nuk mund të arrihet nga institucionet jolegjitime, duhet legjitimitet qytetarë i partive politike dhe partia fituese do të ndërtojë një koalicion për të udhëhequr këtë proces. Ne jemi të gatshëm të marrim përsipër këtë proces, por fillimisht duhet të ketë legjitimitet me votë të qytetarëve.

Zëri i Amerikës: Por, presidenti ka paralajmëruar që marrëveshja e ardhshme mund të hidhet edhe në referendum?

Hoti: Ai nuk është personi që merr vendime të tilla, ai duhet të qëndrojë brenda kushtetutës së Kosovës, brenda kompetencave kushtetuese që ka. Parlamenti i Kosovës është institucioni më i lartë në vend që vendos për të gjitha këto çështje.

Zëri i Amerikës: Zoti Hoti, si janë mundësitë që ta arrihet një konsensus me partitë opozitare për të miratuar rezolutë për bisedimet me Serbinë?

Hoti: Tash ne jemi grupi më i madh parlamentar dhe jemi partia më e madhe në vend dhe dukshëm me partitë tjera dhe na takon barra që të ndërtojmë konsensusin e nevojshëm brenda shoqërisë së Kosovës për këto çështje. Ne jemi duke shtyrë përpara që duhet legjitimitet qytetarë për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë dhe si rezultat, ne nuk jemi të gatshëm të mbështesim asnjë lloj rezolute, sepse rezolutat që nxirren tash në parlament nuk kanë asnjë kuptim, nuk mund të mandatosh një qeveri që nuk e ka shumicën për të zhvilluar dialogun, nuk mund ta mandatojmë presidentin sepse nuk është në kompetencat kushtetuese të presidentit të dialogojë për çështje të tilla. Vetëm parlamenti i Kosovës dhe shumica parlamentare që nxjerrë qeverinë e vendit mund të dialogoj dhe atë me dy të tretat e votave në parlament. Pra fillimisht duhet legjitimitet qytetarë, duhet një shumicë parlamentare e qëndrueshme që merr përsipër procese kaq të mëdha.

Zëri i Amerikës: Do të thotë përveç zgjedhjeve, Lidhja Demokratike në asnjë mënyrë nuk do të përfshihet në këto bisedime?

Hoti: Jo sepse jemi në një situatë kur, e para bisedimet nuk mund të zhvillohen nga ekipet e unitetit jo institucional, sepse ne e kemi kaluar atë fazë, ne jemi shtet i pavarur dhe kemi institucione që flasin në emër të Kosovës. Nëse ato institucione nuk mund të flasin në emër të Kosovës, siç është rasti tash, sepse koalicioni qeverisës nuk mund të flasë në emër të Kosovës sepse nuk e ka shumicën në parlament, atëherë duhet një proces i ri zgjedhor. Prandaj ne nuk mund të bëhemi pjesë e kurrfarë rezolute as kurrfarë ekipi pa legjitimitet qytetarë.

(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)

Comment

*