Hoti: Kemi shtuar aktivitetin për të futur në treg 1.2 miliard euro

Prishtinë, 22 qershor 2020 – Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se programi për rimëkëmbje ekonomike po merr përkrahje nga institucionet ndërkombëtare financiare.

Në një postim në Facebook, Hoti ka shkruar se për jetësimin e këtij programi është e nevojshme edhe mbështetja e donatorëve të jashtëm dhe ka bërë të ditur se qeveria që e drejton ai po planifikon të fusë në treg 1.2 miliard euro.

Hoti ka bërë të ditur se Presidenti i Bankës Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabarti, dhe drejtoresha rajonale e Bankës Botërore, Linda Van Gelder, me të cilët ka pasur takime virtuale, i kanë dhënë mbështetje programit të qeverisë së Kosovës për rimëkëmbje ekonomike.

Postimi i Hotit:

Programi për rimëkëmbje ekonomike po merr përkrahjen e domosdoshme, prandaj edhe e kemi shtuar aktivitetin për futjen e 1.2 miliard eurove në treg!

Për jetësimin e këtij programi sigurisht se është e nevojshme edhe mbështetja nga donatorë të jashtëm, prandaj jam i lumtur të ju njoftoj se sot, në dy video konferenca të ndara, mora mbështetje nga Presidenti i Bankës Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim Suma Chakrabarti dhe Linda Van Gelder, drejtoreshë rajonale e Bankës Botërore.

Rruga përpara ka shumë sfida dhe na pret angazhim e përkushtim i vazhdueshëm, prandaj edhe në mbledhjen e qeverisë sot, kërkova që ministrat nga resorët e ekonomisë të fillojnë sa më parë me hapat e nevojshëm për zbatimin e masave në kuadër të programit për rimëkëmbje ekonomike!

#QeveriaHoti #RKS

(r.m.)

Comment

*