Hoti: Me Vetëvendosjen kemi dallime substanciale

Prishtinë, 9 gusht 2017 – Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar përsëri se partia e tij ka dallime substanciale me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ne kemi dallime substanciale me Vetëvendosjen. Ne nuk e përjashtojmë askënd nga koalicioni që mund të ndërtojmë në të ardhmen, por bazë për arritjen e koalicionit do të jetë programi i LDK-së, që është i qartë si te zhvillimi ekonomik. Ta zëmë ne kemi diferenca tek kjo pikë e programit me Vetëvendosjen”, ka deklaruar Hoti, në një intervistë për KosovaPress.

Hoti ka thënë se LDK dhe Vetëvendosje kanë dallime edhe lidhur me dialogun me Serbinë.

“Një dialog që zhvillohet në Bruksel, për temat më të rëndësishme që ka Kosova, duke e vendosur një kornizë të qartë edhe të temave edhe të afateve kohore edhe disa tema të tjera të cilat me të vërtet kemi dallime me Vetëvendosjen”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, LDK nuk do të bëjë asnjë kompromis për këto çështje, me cilindo subjekt tjetër.

“Këto janë kushtet për të cilat ne nuk jemi të gatshëm të bëjmë as një lloj kompromisi në koalicionet që mund t’i ndërtojmë në të ardhmen. Do t’i ftojmë partitë tjera që të na bashkohen në këtë platformë, si pari e qendrës së djathtë, ashtu si jemi, dhe unë besoj që do të arrijmë të ndërtojmë një koalicion të tillë“, ka thënë Hoti. (r.m.)

Comment

*