Hoti: PAN-i është pakicë, s’mund t’i formojë institucionet

Prishtinë, 9 gusht 2017 – Deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se koalicioni PAN është pakicë dhe, si e tillë, e ka të pamundur t’i themelojë institucionet.

Hoti i ka bërë thirrje PAN-it që të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit dhe të propozojë kandidatin e vet për kryeparlamentar ose të deklarojë se nuk i ka votat për formimin e qeverisë.

“Ju jeni pakicë, e keni të pamundur të themeloni institucionet. Për të qenë të përgjegjshëm, duhet të jeni në seancë ta jepni emrin e kandidatit ose të dilni e të deklaroheni se nuk i kemi numrat”, ka thënë Hoti në takimin konsultativ të përfaqësuesve të partive politike të ftuar nga kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Ai  ka thënë se kjo mungesë e PAN-it në seancat e Kuvendit është zhagitje e institucioneve.

“Janë mbajtur tri seanca deri tash, të tria janë thirrur në mënyrë të rregullt e vetëm në një seancë ka marrë pjesë koalicioni PAN. Keni kërkuar që seanca të mbahet të enjten e ky takim konsultativ sot. Unë mendoj që sjelljet e tilla janë për zhagitje të institucioneve. Ne tash do të duhej të kishim kuvend e qeveri funksionale”, është shprehur Hoti.

Ai ka theksuar se koalicioni LAA e respekton të drejtën kushtetuese të PAN-it.

“Për koalicionin tonë sa herë seancat thirren në mënyrë kushtetuese ne do të marrim pjesë sikurse në takime që do t’i thërrasë kryesuesi. Ne po respektojmë të drejtën tuaj kushtetuese, sado që është i padrejtë. Unë pres që të gjithë të jemi të përgjegjshëm”, ka thënë Hoti.

(r.m.)

Comment

*