Hoti për çështjen e presidentit: Të gjejmë zgjidhje sa më parë, në janar bëhemi vonë

Hoti për çështjen e presidentit: Të gjejmë zgjidhje sa më parë, në janar bëhemi vonë

Prishtinë, 21 dhjetor 2020 – Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Klosovës po përpiqet ta organizojë sa më parë takim me partitë tjera politike për të diskutuar lidhur me zgjidhjen e çështjes së Presidentit të vendit.

Ai ka thënë se LDK nuk ka bërë ftesa formale, por ka bërë ftesa publike për të gjetur zgjidhje dhe ka shtuar se konsultimet e partive duhe ttë bëhen sa më parë.

Hoti ka theksuar se edhe janari është vonë për të gjetur një zgjidhje lidhur me çështjen e presidentit.

“Kushtetuta është e qartë, maksimumi që mund të vazhdojë kjo situatë është gjashtë muaj. Por, ne nuk do të presim gjashtë muajit. Unë besoj që edhe janari është vonë për të arritur marrëveshje”, ka thënë ai

Duke folur për dialogun me Serbinë, Hoti ka shprehur besimin se ky proces po shkon drejt përfjundimit. Por, ai ka theksuar përsëri se marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve nuk do të ketë nëse ajo nuk e përfshin njohjen e ndërsjellë.

Hoti ka theksuar se Kosova do të vazhdojë rrugën e saj si shtet i pavarur, me apo pa marrëveshje me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës i është përgjigjur interesimit të gazetarëve edhe lidhur me shkarkimin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Kreshnik Gashi. Ai ka thënë se vendimi për shkarkimin e Gashit ”është vendim shtetëror, i bazuar në Kushtetutë”. (r.m.)

Comment

*