Hoti: Rinumërimi i votave të Prishtinës – i domosdoshëm

Prishtinë, 20 nëntor 2017 – Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar rinumërimin e të gjitha kutive të votimit për kryetar të Prishtinës.

Hoti e ka bërë këtë deklaratë pas njoftimit se ka pasur gabime në futjen e rezultateve në pasqyrën e të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për komunën e Prishtinës.

Hoti ka thënë se gabime në raportimin e votave janë bërë në disa vendvotime dhe se në të gjitha rastet gabimet janë bërë në dëm të kandidatit të LDK-së, Arban Abrashi.

“Në të gjitha rastet, gabimet janë në disfavor të LDK dhe Arban Abrashit. Duke qenë se gabimet janë të njëanshme, është e kuptueshme se duhet trajtuar me një qasje përtej gabimeve teknike dhe njerëzore. Prandaj, rinumërimi është i domosdoshëm për të qartësuar situatën. E vërteta e plotë është në kuti të votimit”, ka thënë Hoti.

“E vërteta me devijime është e raportuar nga KQZ. Por, duke qenë rezultati kaq i ngushtë, këto devijime e përcaktojnë se kush qeveris me Prishtinën në katër vitet në vijim. Qytetarët e Prishtinës e meritojnë të dijnë të vërtetën e plotë, jo të vërtetët që duan të tregojnë komisionarët”, ka thënë Hoti. (r.m.)

Comment

*