Hoti: Të enjten nuk do të diskutohet për Asociacionin e komunave serbe

Prishtinë, 16 shtator 2020 – Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë të mërkurën, se në Kosovë nuk do të ketë asnjëherë Asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.

“Nuk diskutohet dhe nuk hapet marrëveshja e arritur me herët për Asociacionin”, tha Hoti, gjatë një debati për dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Hoti tha se në bisedimet mes Kosovws e Serbisw në nivel ekspertësh që do të zhvillohen të enjten në Bruksel nuk do të diskutohet për Asociacionin. Ai tha se dita e neswrme nuk do tw jetw “ditw e rrezikshme”, siç e ka quajtur Presidenti i Kosovws, Hashim Thaçi.

“Nesër nuk diskutohet për Asociacionin dhe nesër nuk është ditë e rrezikshme për Kosovën. Nesër është një ditë e zakonshme ku kryeministri i vendit raporton para deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, tha Hoti.

Sipas tij, të enjten diskutohet për çështjen e obligimeve financiare mes dy vendeve që kanë të bëjnë me çështjen e pensioneve të viteve të 90-ta, suksesioni i pasurisë së ish-Jugosllavisë, borxhi publik, dëmet e luftës, reparacionit etj.

Më herët, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës”.

Presidenti kërkoi nga Kuvendi i Kosovës që urgjentisht ta trajtojë, siç ka thënë, këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit, t’ia ndalojë kryeministrit ”të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”.

(r.m.)

Comment

*