Hoti: Thaçi, Haradinaj e Veseli qëndrojnë prapa planit për shfuqizimin e Ligjit për Specialen

Prishtinë, 26 dhjetor 2017 – Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka shprehur bindjen se Presidenti Hashim Thaci, Kyeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli qëndrojnë prapa iniciativës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

“Fakti që kishte kaq shumë nguti për ta kryer nuk të l t besosh që kjo çështje është e shëndoshë. Nganjëherë disa deputetë po bien pre e disa personave. Është agjendë e dy tre personave”, ka thënë Hoti, në emisionin “Rubin” të KTV-së.

“Këta qëndrojnë prapa kësaj iniciative. Asnjëherë nuk u deklaruan qartë se nuk e mbështesin këtë iniciativë. Është e çuditshme sjellja e tyre, është krejtësisht joinstitucionale”, ka shtuar ai.

Hoti ka thënë se tre liderët e shtetit nuk janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë.

“Në krye të vendit janë tre persona të cilët nuk janë të vetëdijshëm për përgjegjësitë që kanë marrë. Po harrojnë që shtetësia e Kosovës nuk është akt i kryer. Janë 5 vende të cilat nuk na kanë njohur. Na duhen njohje për anëtarësim në OKB”, ka thënë ai.

Hoti ka thënë se pozicionimi i LDK-së kundër kësaj iniciative ka për qëllim ruajtjen e interesave të shtetit.

“Nuk mund të lejojmë që persona të caktuar të fusin vendin në një aventurë e cila nuk duhet se ku do të na çojë. Deputetët të cilët do ta mbështesnin një gjë të tillë do të rrezikonin shtetësinë e Kosovës’, ka theksuar ai.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së ka thënë se rreziku për procedimin e kërkesës së 43 deputetëve të Kuvend nuk është shmangur ende.

Ai ka thënë se pas përfundimit të pushimit të deputetëve mund të paraqitet përsëri një iniciativë e tillë. (r.m.)

Comment

*