Hoti: Udhëheqësin e dialogut do ta përcaktojnë zgjedhjet, jo Thaçi

Prishtinë, 8 gusht 2018 – Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar përmes një postimi në Facebool, në lidhje me deklaratën e sotme të Presidentit Hashim Thaçi për udhëheqjen e dialogut me Serbinë. Ai e ka quajtur antikushtetuese deklaraten e Thaçit.

“E ftoj z.Thaçi të qëndrojë brenda kompetencave që ja jep Kushtetuta e Kosovës. Deklarimet e tij janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në vend që të jetë garant i rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, ai është duke e cenuar çdo ditë atë dhe për këtë duhet të flasë Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar Hoti.

“Qytetarët e Kosovës, përmes zgjedhjeve të lira, do të vendosin se kush do ta udhëheqë dialogun me Serbinë. Një gjë është e qartë që tani se ai person nuk do të jetë z.Thaçi, pasi ai në bazë të Kushtetutës së Kosovës nuk ka mandat të vendosë për këto çështje”, ka shkruar Hoti.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së e akuzon Thaçin se me deklaratat e tij të pamatura e antikushtetuese po e dëmton imazhin e Kosovës në nivel ndërkombëtar.

Ky është postimi i plotë i Avdullah Hotit:

Qytetarët e Kosovës, përmes zgjedhjeve të lira, do të vendosin se kush do ta udhëheq dialogun me Serbinë. Një gjë është e qartë që tani se ai person nuk do të jetë z.Thaçi, pasi ai në bazë të Kushtetutës së Kosovës nuk ka mandat të vendos për këto çështje.

E ftoj z.Thaçi të qëndrojë brenda kompetencave që ja jep Kushtetuta e Kosovës. Deklarimet e tij janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në vend që të jetë garant i rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, ai është duke e cenuar çdo ditë atë dhe për këtë duhet të flasë Gjykata Kushtetuese.

Dëmet që z.Thaçi me deklarimet e tij antikushtetuese është duke ia bërë shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare janë të mëdha. Ai e ka nxjerrë jashtë funksionit krejt diplomacinë e Kosovës, si dhe diplomacinë e vendeve mike, duke stopuar plotësisht njohjet e reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

Qytetarët e Kosovës e kanë vendosur fatin e Kosovës si shtet i pavarur, i integruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA. Këtë nuk mund ta zhbëjë askush.

(r.m.)

Comment

*