Hoti: Zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme

Prishtinë, 7 shkurt 2018 – Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se koalicioni qeverisës duhet t’i ushtrojë përgjegjësitë që i ka marrë dhe të marrë vendimet që i ka premtuar.

Duke folur për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, ratifikimi i shpejtë e së cilës ka qenë një prej premtimeve elektorale të partive kryesore të koalicionit aktual, Hoti ka thënë se zhvillimet aktuale dëshmojnë se kjo marrëveshje ishte përdorur për kauza politike.

“Kur është themeluar kjo qeveri është themeluar mbi bazën e kritikave mbi qeverinë e kaluar për Demarkacionin. Kurse tash, prapë deputetëve ua ka sjellë të njëjtën marrëveshje. Pra, po vijmë te ajo që ne, si LDK, e kemi thënë vazhdimisht se kauza e Demarkacionit ka qenë e rrejshme dhe për këtë kanë pësuar qytetarët, pasi nuk është bërë liberalizimi, e që është një proces që po zvarritet prej vitit 2015”, ka theksuar Hoti në një intervistë për televizionin publik të Kosovës.

Hoti ka thënë se përgjegjësinë për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit e bartë koalicioni qeverisës.

“Ne e dimë se koalicioni qeverisës nuk i ka të sigurta as 61 vota, por ata duhet të jenë bashkë në këtë marrëveshje dhe nëse ata janë bashkë ne normalisht do të ulemi dhe për interesa të shtetit për të bërë 2/3 në Kuvendin e Kosovës. Me aq sa kam dëgjuar, përveç PDK-së që mbetet në mbështetje të kësaj marrëveshje, partitë tjera nuk kanë lëvizur nga qëndrimet”, ka thënë ai.

“Tani nuk është koha e manovrave politike për përfitime afatshkurte. Është koha për vendime të prera dhe për ta parë njëri – tjetrin në sy dhe për të pranuar një gabim që është bërë nga opozita e atëhershme, për dy vite rresht, duke i bërë të gjitha ato skandale në institucione të vendit e në rrugë dhe të pranojnë se është bërë një gabim shumë i madh dhe tani ta mbështesin këtë marrëveshje dhe të shohim se si do të lëvizin gjërat”, është shprehur Hoti.

Hoti ka thënë se menjëherë pasi Marrëveshja e Demarkacionit e Malin e Zi të marrë një epilog në kuvend, partitë politike duhet të ulen së bashku dhe të caktojnë zgjedhje të parakohshme.

Ai ka theksuar se zgjedhjet janë të pashmangshme, sepse ‘vendit i duhet një qeveri stabile, që kryen punë të mëdha”.

Hoti ka thënë se LDK-ja po punon në një platformë qeverisëse, pasi beson se zgjedhjet e reja do të ndodhin shumë shpejt.

“Formati i Qeverisë së ardhshme do të përcaktohet para zgjedhjeve. Qysh tani jemi duke punuar në një platformë qeverisëse. Unë shpresoj që zgjedhjet të vijnë shumë shpejt. Ne do të vendosim korniza të qarta, qysh para zgjedhjeve, për një qeveri proevropiane, ku do t’i kemi të qarta gjërat dhe temat e mëdha”, ka theksuar Hoti. (r.m.)

Comment

*