Hoxhaj në PE: Dialogu nuk ka kuptim nëse Kosova nuk e merr liberalizimin

Strasburg, 8 shkurt 2018 – Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili po qëndron për vizitë në Strasbourg të Francës, ku ka zhvilluar takime me deputetë të Parlamentit Evropian, ka deklaruar se dialogu me Serbinë varet nga liberalizimi i vizave për Kosovën, raporton Aktivpress.

Hoxhaj ka takuar kryetarin e Komitetit për Politikë të Jashtme (AFET), David McAllister, mbështetësen e madhe të Kosovës në Parlamentin Evropian Tanja Fajon edhe eurodeputetin sllovak Eduard Kukan.

“Kam takuar mbështetësin e madh të Kosovës në Parlamentin Evropian, kryetarin e Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, eurodeputeten Tania Fajon dhe eurodeputetin sllovak Eduard Kukan. U kam kërkuar mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, pasi që një gjë e tillë nënkupton integrimin individual të cdo qytetari të Kosovës në Bashkimin Evropian, dhe është e drejtë fundamentale e qytetarëve të lëvizin lirshëm në Evropë”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka thënë se nëse nuk bëhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, vazhdimi i dialogut me Serbinë nuk do të ketë më kuptim.

“Nëse Serbia është shpërblyer shumëfish për shkak të dialogut me Kosovën, edhe Kosova duhet të shpërblehet në mënyrë të balancuar në këtë drejtim. Prandaj, nëse Kosova nuk merr liberalizimin pasi që t’i kryejë detyrat e saj brenda vitit 2018, këtij dialogu do t’i humbasë kuptimi, edhe atë jo vetëm në planin politik, por edhe atë të mbështetjes së qytetarëve”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka zhvilluar takim edhe me Presidentin e Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio dhe sekretarin e përgjithshëm të këtij Komisioni, me të cilët kanë diskutuar për bashkëpunimin e Kosovës me këtë komision. (r.m.)

Comment

*