Hoxhaj: PDK nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Vetëvendosjen

Prishtinë, 14 shkurt 2021 – Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherit kandidati i kësaj partie për kryeministër, e ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren dhe ka bërë të ditur se partia e tij nuk do të jetë pjesë e qeverisë.

“PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që kemi dallime të mëdha në orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe në të cilat qëndron PDK-ja“, ka thënë Hoxhaj, në një konferencë për media.

Ai ka thënë se PDK-ja do të jetë opozitë konstruktive.

”Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që do të jemi faktor i stabilitetit si parti në opozitë”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka thënë se PDK-ja ka qenë shumë e hendikepuar në këto zgjedhje, duke lënë të kuptohet se themeluesi i partisë, Hashim Thaçi, dhe kryetari i saj, Kadri Veseli, janë arrestuar nga Gjykata Speciale në Hagë.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, PDK ka dalë partia e dytë, me rreth 18 për qind të votave.

(r.m.)

Comment

*