Hoxhaj: Vuçiqi e ka krijuar iluzionin se në Uashington nënshkruhet marrëveshje finale

Prishtinë, 3 shtator 2020 – Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se në takimin e Uashingtonit nuk do të arrihet marrëveshja përfundimtare.

Hoxhaj, tani deputet në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se nuk duhet të krijohet iluzion se në Uashington mund të arrihet marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“Vendndodhja e takimit, në Uashington, tregon që aty mund të bisedohet dhe të ngriten shumë tema, por vetë amerikanët thonë që duan të ndërtojnë paqen përmes ekonomisë dhe fokusi do të jetë bashkëpunimi ekonomik. Por, nuk duhet të krijohet iluzioni se do të arrihet marrëveshje finale”, ka thënë Hoxhaj, për gazetën Express.

Sipas tij, iluzionin se në Uashington mund të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare e ka krijuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

“Iluzionin për një marrëveshje përfundimtare në këtë takim e ka përhapur Vuçiqi duke manipuluar opinionin publik në Serbi se sa të vështirë e ka ai barrën e negocimit. Për marrëveshje finale kërkohet dinamikë e madhe diplomatike, amerikane dhe evropiane, për t’i bërë presion Serbisë për ta njohur Kosovën, gjë që nuk është reale të ndodhë në këtë kohë”, është shprehur ai.

Sipas Hoxhajt, nga takimi në Shtëpinë e Bardhë mund të dalë një marrëveshje dytësore për çështje ekonomike, siç është paralajmëruar nga zyrtarët amerikanë.

Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli, nuk ka çuar përfaqësues të partisë në takimin mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington.  Por, për dallim nga partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosja, PDK-ja i ka dhënë mbështetje procesit të dialogut me Serbinë.

(r.m.)

Comment

*