Hoxhaj: Zgjedhjet duhet të mbahen së më parë

Prishtinë, 22 dhjetor 2020 – Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të reja dhe se ato duhet të mbahen sa më parë.

Në një konferencë për media në Prishtinë, Hoxhaj tha se PDK-ja e mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i cili u ka hapur rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare.

Hoxhaj e kritikoi edhe Qeverinë e Hotit, edhe qeverinë përpara saj, të udhëhequr nga Albin Kurti, duke i cilësuar si “dy qeveritë më të dobëta që ka pasur Kosova ndonjëherë”.

“Të dyja qeveritë nuk kanë pasur as sjellje shtetërore, as vetëdije shtetërore, as vullnet shtetëror, por e kanë bërë vendin sikur të ishte një protektorat ndërkombëtar. Asnjëherë në histori të Kosovës nuk ka pasur një situatë që brenda një viti të përfundojnë dy qeveri, sikurse e patëm kësaj here”, tha Hoxhaj.

“Qytetarët e Kosovës, pa fajin e tyre, janë ballafaquar me një mashtrim të madh të dalë nga 6 tetori [datë e zgjedhjeve të vitit 2019], i cili më pas prodhoi dy qeveritë më të dobëta që ka pasur vendi ynë. Në këto 14 muajt e fundit, qytetarët e Kosovës janë ballafaquar me zhgënjim, mashtrim, shpresë të vjedhur e premtime të papërmbajtura”, tha Hoxhaj.

Ai tha se Kosovës, si kurrë më parë, i duhet qartësi, vullnet e guxim në vendimmarrje, “për të këndellur ekonominë, ri-vendosur marrëdhëniet me miqtë dhe nxjerrë nga izolimi shtetin më të ri”.

Hoxhaj tha se ende nuk është diskutuar emri i kandidatit të PDK-së për postin e kryeministrit.

(r.m.)

 

Comment

*