Humbja e vendit të punës gjatë pandemisë – Çfarë mund të bëjnë emigrantët?

Kieran Both

Çështje të emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

 

Shumë nga klientët tanë emigrantë na kanë pyetur nëse kualifikohen për përfitime nga sigurimi për papunësinë në rast të pezullimit nga puna, të shkurtimit të vendit të punës apo të heqjes nga puna.

Sigurimi në rast papunësie është pjesë e një programi të përbashkët të shtetit dhe të qeverisë federale, i cili parashikon një të ardhur të përkohshme për ata punonjës që përmbushin kriteret e kualifikimit. Secili shtet ka programin e tij përkatës të sigurimit të papunësisë, me kriteret përkatëse të kualifikimit si dhe shumat përkatëse.  Programi bazë në shumicën e shteteve u garanton një të ardhur javore për 26 javë punonjësve të papunë, e cila është afërsisht sa gjysma e rrogës së mëparshme, dhe që nuk e kalon maksimumin e paracaktuar.

Nënshtetasit e huaj kualifikohen zakonisht për të përfitur sigurim në rast papunësie nëse janë të autorizuar të punojnë (qoftë në kohën kur kryejnë punë të kualifikuar qoftë kur bëjnë kërkesë dhe marrin benefite). Shtetet mund të vendosin rregulla akoma më strikte.

Në përgjithësi, mund të kualifikohen zakonisht për sigurim në rast papunësie ata persona që:

  • Kanë mbëtur papunë jo për faj të tyre. Në shumicën e shteteve kjo nënkupton që personat në fjalë e kanë humbur punën për shkak të pezullimit nga puna, shkurtimit të vendit të punës ose mungesës së punës.
  • Përmbushin kërkesat për punë dhe rrogë. Personi duhet të përmbushë kërkesat e vendosura nga shteti lidhur me rrogat e marra ose kohën që ka qenë në marrëdhënie pune gjatë një periudhe të caktuar kohe që njihet si “periudha bazë.”
  • Përmbushin kërkesat shtesë që ka shteti përkatës. Secili prej shteteve ofron udhëzimet e veta lidhur me përfitimet e sigurimit të papunësisë, kështu që është mirë t’i njihni kërkesat specifike të shtetit tuaj.

Secili shtet ka mënyrën e tij se si e trajton sigurimin e papunësisë dhe se si vendos nëse dikush konsiderohet i papunë dhe kualifikohet për të marrë kompensim për papunësinë. Punonjësit e huaj të punësuar në SHBA, të pajisur me leje pune (EAD), si p.sh. mes shumë të tjerësh, persona të caktuar që kanë  vizë H-4 si bashkëshortë të personave me vizë H-1B, ata që kanë bërë kërkesë për green card, ata që përfitojnë nga DACA, TPS-i, ata që kanë kërkuar azil, refugjatët, zakonisht kanë leje pune të pakufizuar, kështu që në përgjithësi këta persona mund të jenë “të gatshëm të punojnë” për një punëdhënës që nuk është punëdhënësi aktual. Diçka e tillë mund të thuhet dhe për rezidentët e përhershëm, duke qenë se këta persona kanë leje për të punuar për cilindo punëdhënës; pra nëse ata e humbasin vendin e punës, si rregull ata do të jenë “të gatshëm për të punuar” për një punëdhënës tjetër. Disa kategori të caktuara vizash kërkojnë që personi të punojë vetëm për një punëdhënës të caktuar dhe si të tillë nuk mund të kualifikohen.

Punëtorët që nuk janë të pajisur me dokumentat përkatëse nuk mund të përfitojnë sigurim të papunësisë, pasi gjatë periudhës së caktuar të kohës kur merrnin rrogë, nuk ishin të pajisur me leje pune dhe si rrjedhim ata nuk mund të tregojnë që janë “të gatshëm për të punuar”, pasi nuk janë të autorizuar ligjërisht që të punojnë në SHBA.

A kualifikohem për paketë ndihme?

Më 27 mars, 2020, Presidenti Trump firmosi aktin ligjor CARES, për një paketë ekonomike të shpëtimit prej 2 trilion dollarësh. Ky ligj garanton një pagesë njëherëshe të njohur ndryshe si paketë ndihme, (apo çeqe të stimulimit ekonomik) e cila ka për qëllim t’u vijë në ndihmë personave për të lehtësuar pasojat ekonomike të pandemisë së koronavirusit.

Vetëm personat me numër të vlefshëm pune dhe që cilësohen “të huaj rezidentë” sipas përkufizimit të dhënë nga IRS-i, kualifikohen për të marrë këtë ndihmë. Nënshtetasit e huaj që nuk futen në asnjë nga dy kategoritë e mëposhtme që parashikon IRS-i,  konsiderohen të huaj jo-rezidentë. Kategoritë në fjalë janë: green card-a ose prania në SHBA për një periudhë të konsiderueshme kohe e llogaritur nga IRS-i.

Prova e Green Card-ës: Rezidentët e përhershëm të Shteteve të Bashkuara quhen “të huaj rezidentë” nëse kanë qenë rezidentë të përhershëm të ligjshëm gjatë gjithë periudhës së caktuar të kohës të vitit kalendarik. Kjo njihet ndryshë si prova e green card-ës.  Rezidentët e ligjshëm të përhershëm sipas kësaj prove e ruajnë statusin e rezidentit të SHBA-së sa kohë që me dëshirën e tyre nuk i kanë njoftuar me shkrim USCIS-in që kanë hequr dorë nga statusi në fjalë, që statusi i tyre nuk është hequr administrativisht nga USCIS-i, ose statusi në fjalë nuk është hequr juridikisht nga një gjykatë federale e SHBA-së.

Prova e pranisë për një periudhë të konsiderueshme kohe: Një nënshtetas i huaj konsiderohet “i huaj rezident” nëse ai ose ajo e kalon provën e pranisë për një periudhë të konsiderueshme kohe gjatë vitit kalendarik. Për ta kaluar këtë provë, personi duhet të ketë qenë i pranishëm fizikisht në Shtetet e Bashkuara për një periudhë të caktuar minimale siç e përshkruan IRS-i. Vini re se IRS-i përjashton statuse të caktuara jo-emigruese nga llogaritja e kohës së pranisë fizike. Këtu futen persona përkohësisht të pranishëm në SHBA me viza F, J, M ose Q. Shumica e statuseve emigruese që shoqërohen me leje pune, si H-1B, L-1, O-1 dhe TN nuk përjashtohen dhe mund të jenë në gjendje që ta kalojnë provën e pranisë për një periudhë të konsiderueshme.

Ata që i paguajnë taksat duke përdorur numrin personal të identifikimit si taksapagues (ITIN) nuk kualifikohen për të marrë paketën e ndihmës financiare.   Sipas aktit ligjor CARES nuk përfitojnë paketë ndihme as ata individë që kanë numër të sigurisë shoqërore (SSN) dhe që kualifikohen për ta marrë ndihmën, në rast se kanë paraqitur formular të përbashkët taksash me bashkëshortin/en që ka ITIN, ose me fëmijën që ka ITIN. Bëjnë përjashtim fëmijët e adoptuar dhe familjet e ushtarakëve. Shumë jo-emigrantë me viza H-1B ose që kanë leje për të punuar nuk kualifikohen për paketën e ndihmës në rast se kanë paraqitur formularë të përbashkët taksash me bashkëshortët përkatës që nuk kualifikohen, dhe që nuk kanë një numër sigurimesh shoqërore (SSN). P.sh. një punonjës/e me vizë H-1B, bashkëshortja/i i të cilit/cilës nuk kualifikohet për numër sigurimi shoqëror, dhe që ka paraqitur dokument të përbashkët taksash me bashkëshorten/in e tij/e saj që ka vizë H-4, nuk do të kualifikohet për të marrë paketë ndihme.

Sipas rregullit të barrës publike, a mund të ketë pasoja në çështjen time të emigracionit, marrja e paketës së ndihmës? 

Paketa e ndihmës është e strukturuar si një kredi e avancuar tatimore që do të paguhet nga Departamenti i Thesarit. Sipas formës përfundimtare të vendimit të DHS-së lidhur me kriteret e “papranueshmërisë” që kanë për bazë “barrën publike”, është e qartë që kredia tatimore nuk do të merret parasysh për qëllimin e  “barrës publike”. Sipas DHS-së, vetëm përfitimet publike do të merren parasysh gjatë marrjes së vendimit mbi pranueshmërinë ose jo të një personi në kuadrin e rregullit të barrës publike.

Departamenti i Shtetit (DOS) nuk e ka konfirmuar ende publikisht nëse përfitimet nga sigurimi i papunësisë do të merren ose jo parasysh gjatë shqyrtimit të aspektit financiar në rastet e aplikimeve për green card.

Sa u tha më lart është një pasqyrë e përgjithshme dhe nuk duhet marrë si këshillë ligjore. është mirë të flisni me avokatin apo llogaritarin tuaj për kërkesat specifike që ka shteti juaj lidhur me sigurimin e papunësisë.

Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nёmёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmё pёr komentet dhe pyetjet qё na dёrgoni vazhdimisht. Do të përpiqemi që në të ardhmen t’i pёrgjigjemi sa më shumë pyetjeve që të jetë e mundur. Ju ftojmё tё na dёrgoni pyetjet tuaja nё adresёn tonё elektronike

[email protected]

Comment

*