HYJNORJA DHE TOKËSORJA TEK JETA DHE VEPRA E NËNËS TEREZE

Emin AZEMI

(Përkitazi me doracakun GONXHE BOJAXHIU –NËNA TEREZ: “E DESHA TJETRIN ME DASHURINË EHYJIT”, të autorit Prof.dr. Anton Nikë Berisha, botuar nga ITSHKSH në Shkup)

 

Studiuesi dhe shkrimtari Anton Nikë Berisha, me këtë botim të vaçantë (doracakun GONXHE BOJAXHIU –NËNA TEREZ: “E DESHA TJETRIN ME DASHURINË EHYJIT”) , vazhdon të jep kontribut të rëndësishëm në studimet mbi jetën dhe veprën e Nënës Terezë, duke  hedhur me këtë rast edhe një gurë të çmueshëm në themelet e ngrehinës  së ITSHKSH, që muaj më parë u oficializua si Departament i hulumtimit të trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiu – Nënës Tereze.

Jo vetëm për faktin se ky botim po vjen në katër vjetorin e shenjtërimit të Nënës Tereze, por edhe për këndvështrimin specifik që  studiuesi Anton Nikë Berisha ofron me këtë rast, mund të themi lirisht se kjo mbase është qasja më e duhur që mund t’i bëhet figurave që kanë ushtruar ndikim të pakrahasueshëm në rrjedhat e kulturës dhe civilizimit botëror.

Të shkruash për figura të mëdha, siç është Nënë Tereza, është sfidë në vetvete, sepse duhesh të zgjedhësh rrugët më pak të rrahura nga autorë e studiues të tjerë. Por Anton Nikë Berisha, me përvojën e studuesit dhe lëvruesit të shkathët të problemeve letrare e kulturologjike ndër ne, ka arritur të na ofrojë një model interpretimi që mund të konsiderohet mjaft i avancuar, si për nga koncepti i materies, ashtu edhe për nga metodologjia e trajtimit të përmbajtjes së pasur të jetës dhe veprës së Nënës Tereze.

I konceptuar si doracak, ky botim megjithatë tejkalon emërtimin fillestar sepse plotëson shumë boshllëqe në njohuritë e munguara të njerëzve mbi jetën dhe veprën e Shën Nënë Terezës. Kjo falë një metodologjie mjaft sintetizuese të vetë autorit, i cili madje dorëshkrimit të tij i jep atributet e një palimsesti, ku kronologjia dhe biografia bëhen bashkë në një hulli që autori me mjaft gjeturi arrin ta sublimojë dhe të nxjerrë në pah , në një dioptri krejt të re, nektarin e mendimit botëror mbi Shën Nënë Terezën. Prandaj ky libër ka shijen e ëmbël të ndjesisë autoriale për temat dhe problemet që ngre, si në pikëpamje të përzgjedhjes së dimensioneve më pak të njohura nga jeta e Nënës Tereze, ashtu edhe për nga pasuria dhe larushia e qasjeve të autorëve të ndryshëm mbi këtë figurë madhore.

Që nga titulli i këtij botimi GONXHE BOJAXHIU –NËNA TEREZ: “E DESHA TJETRIN ME DASHURINË EHYJIT” autori ka dashur të na përgatit për një lexim kreativ të tekstit, duke i dhënë profilit jetësor e shpirtëror të Nënës Tereze trajtat e një mendimi të gjallë që në vetvete ka sensin për të zbuluar hyjnoren në veprimet e kësaj gruaje të madhe të njerëzimit.

Këtu mbase mbështetet edhe, siç thotë autori, vetë qenësia e veprimit dhe e flijimit të Nënës Tereze për të varfrit e më të varfërve, ndërkohë që përmasa hyjnore e saj tejkalon sjelljen e një bamirëse, sepse gjatë rrugëtimit të saj nëpër skutat e harruara të pakujdesisë njerëzore ajo del si një sintetizuese e misionit human dhe përkushtimin ndaj Hyjit. Ajo i bëri bashkë këto dy dimensione të qenësishme të mirësisë tokësore dhe asaj hyjnore, sepse ishte e vetëdijshme se të duash, domethënë të vuash: “Pa vuajtjen tonë, puna jonë do të ishte vetëm një shërbim social ”, thotë ajo.

Nëna Tereze, sipas autorit, e përmendte shpesh parimin, që e mbante si bazë të jetës e të veprimit të vet, se duhet “ta japësh jetën” për tjetrin, për njeriun kudo qoftë ai…

“Unë s’jam tjetër pos një lapës në duart e Zotit […] Zoti shkruan duke na përdorur neve edhe pse jemi vegla të papërsosura. Zoti shkruan në mënyrë të mrekullueshme ”, thoshte Shën Nëna Tereze.

Kjo thënie e Nënë Terezës që vjen në këtë botim, nuk është përzgjedhur rastësisht nga autori, dhe kjo është një prej meritave më të mëdha të tij që ta portretizoj figurën e Nënës Tereze jo thjeshtë si një bamirëse, por më tepër si një frymë njerëzore që e mbush përditshmërinë tonë me ngrohtësinë që mund ta dhurojnë vetëm ata që posedojnë energji për t’u flijuar për tjetrin, që në thelb nënkupton të bëhesh shpirtërisht më i pasur dhe më i mirë.

Nënë Tereza na mëson se pasuria më e madhe e njeriut, nuk është vlera monetare dhe materiale që posedon, por është shpirti i sakrificës, për tjetrin, apo siç do të shprehet  kardinali, Angelo Comastri, teksa mundohet të formulojë një mendim për Nënën Tereze, megjithatë e pranon: “Me dëshirë i vë në formën e shkrimit disa kujtime personale për Nënën Tereze të Kalkutës, po në të njëjtën kohë ndihem pak ngushtë të flas për të. Në të vërtetë, e kam parasysh se Nëna Tereze nuk mund të definohet, nuk mund të përshkruhet, nuk mund të rrëfehet për arsye se burimi i jetës së saj kridhet në misterin e vetë Zotit ”…..

Ky mendim përputhet tërisht me urdhrin e Ungjillit: “Duajeni njëri – tjetrin sikurse unë ju desha juve” (Gjn 13, 34) dhe “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!” (Mt 22, 39).

Autori Anton Nikë Berisha këtë postulat hyjnor e mbështet me konstatimin se në çdo veprim të vet, Nëna Tereze përligji mendimin se jeta e njeriut nuk është gjë tjetër pos bashkim i dashurisë së tij me dashurinë e Hyjit, kurse gjakimi i saj kryesor ishte: “Nuk mund t’u japim asgjë të tjerëve nëse jeta jonë nuk është plot e përplot me dashuri të Hyjit, nëse zemrat tona nuk janë të pastra…. Për këtë arsye dashuria hyjnore duhet të ngadhënjejë (“Më i madhi dhe më i vështiri është: revolucioni i dashurisë ”);

Dashuria e Nënës Tereze për njeriun kishte një dimension krejt të veçantë. Kjo dashuri nuk mund ta kishte fuqinë e ndikimit, nëse nuk kombinohej me një dashuri tjetër. Për rrjedhojë Dashuria për Hyjin dhe dashuria për njeriun janë të pandara: “Nëse dashuria ime për motrat e mia është e mirë, atëherë dashuria ime për Krishtin do të jetë e mirë. Nuk janë dy dashuri…..”

“Qe dashuria të jetë e vërtetë, para së gjithash, duhet të jetësohet për të afërmin tim […] kjo dashuri më shpie tek dashuria e Zotit ”.

Njerëzit, sipas Nënë Terezës kanë nevojë për një terapi shpirtërore që nuk mund ta gjejnë në asnjë ordinancë. Njerëzit kanë nevojë të luten, thoshte ajo.

Teksa zbërthen këtë parim, autori sjell një detaj nga një ngjarje e vërtetë në rrugëtimin e Nënës Tereze. Ajo pasi kishte vizituar Jemenin, takon një të pasur dhe rrëfen pastaj përshtypjet n ga ai takim:

“Në Jemen, vend krejtësisht islamik, i kërkova një të pasuri të ndërtonte një xhami. I thashë: ‘Njerëzit kanë nevojë për një vend ku të luten. Të gjitha janë vëllezër e motra myslimane. Kanë nevojë për një vend ku mund ta takojnë Zotin’ ”….

Besimi i Nënës Tereze në Hyjin si dhe jeta, veprimi dhe flijimi i saj, thotë autori, nuk mund të kuptohen në thellësinë dhe dritën e vërtetë pa e kuptuar mirëfilli qenësinë e lutjes dhe rëndësinë që ajo i dha asaj.

Për ta kuptuar më mirë thellësinë e shpirtit të Nënës Tereze, autori i referohet pikërisht konceptit që kishte ndaj lutjeve, sepse “lutja nuk është të kërkosh. Lutja është të vihesh në duart e Hyjit, të vihesh në shërbim të tij dhe të dëgjosh zërin  e tij në thellësinë e zemrës sate”, thoshte Nëna Tereze. Këto janë edhe arsyet, sipas autorit, që Nëna Tereze i deshi njerëzit me dashurinë e Hyjit, pa marrë parasysh ngjyrën, racën, besimin dhe vendin.

Tani kur po përkujtojmë katërvjetorin e shenjtërimit të Nënës Tereze, por edhe për të përmbyllur këtë fjalë timen mbi doracakun që po promovojmë sot, po sjell, me ndihmën e autorit, një mendim mjaft domethënës të Nënë Terezës, që tingëllon paksa edhe profetik në vetvete:“Nëse ndonjëherë do të bëhem shenjtëreshë, do të jem padyshim një shenjtëreshë e ‘fshehur’: do të mungoj vijimisht në parajsë që të shkoj mbi tokë për t’ua ndezur dritën atyre që janë në errësirë ”.

Uroj që veprat si kjo të bëhen pjesë e pandarë e studimeve tona në kuadër të ITSHKSH, kurse studiuesi dhe mikun tonë e përgëzoj për gatishmërinë dhe dashamirësinë që t’i përgjigjet kërkesës sonë për ta përgatitur këtë doracak brenda një kohe relativisht të shkurtër.

Shkup, 5 shtator 2020

Comment

*