Hyseni: Digjitalizimi i fondit bibliotekar në Kosovë – nevojë urgjente

Prishtinë, 24 janar 2018 – Drejtori i Bibliotekës Komunale “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, Munish Hyseni, ka deklaruar se digjitalizimi i biliotekave është nevojë urgjente e kohës, sikur edhe aftësimi profesional i kuadrit për aplikimin e programeve të bibliotekarisë.

“Ajo që është e domosdoshme të bëhet është digjitalizimi i bibliotekave të Kosovës dhe kjo nënkupton katalogizimin dhe përpunimin e fondit bibliotekar, në mënyrë që lexuesit të mund të hyjnë në faqen e bibliotekës dhe të shohin nëse është libri në bibliotekë apo jo”, ka deklaruar Hyseni nër Radio Kosovën.

“Kjo është e domosdoshme për krejt Kosovën, por unë mund të flas për bibliotekën tonë. Ne kemi nevojë edhe për trajnime profesionale të stafit”, ka shtuar ai.

Hyseni ka thënë se digjitalizimi i të dhënave për fondin bibliotekar do të shpejtonte shërbimet për lexuesit e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani , numri i të cilëve është shtuar shumë, veçanërisht dy vitet e fundit.

Hyseni ka shtruar edhe nevojën e zgjerimit të hapësirës për lexim, në mënyrë që të përmbushen kërkesat e lexuesve, të cilat po rriten nga dita në ditë. Por, ai e ka vlerësuar të  domosdoshme edhe hapjen e një biblioteke universitare në Prishtinë.

“Nuk ka hapësira të mjaftueshme për lexues në bibliotekat e fakulteteve dhe në bibliotekat e shkollave. Qe sa vjet ne jemi dëshmitarë të një historie të një biblioteke universitare. Është e habitshme se si një universitet me traditë, në kryeqytet, nuk e ka ende një bibliotekë universitare, e cila do të ofronte shërbime për studentë e lexues të tjerë”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se biblioteka është e hapur çdo ditë prej orës 8 të mëngjesit deri në orën 22 të mbrëmjes dhe e ka lavdëruar punën e stafit të bibliotekës.

“Ky është një prej institucioneve shumë të rralla, ndoshta në rajon, që e ka orarin më të gjatë të punës. Ne e fillojmë punën në orën 8 të mëngjesit dhe përfundojmë në orën 22 të darkës. Unë i falenderoj njerëzit që e bëjnë punën aty, të cilët i mbajnë edhe nga dy-tri pozicione brenda ditës”, ka thënë ai.

Hyseni ka thënë se, vitet e fundit, fondi i Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” është pasuruar shumë edhe me literaturë profesionale të fushave të ndryshme, si në shkëncat natyrore ashtu edhe shkencat shoqërore. Ai ka treguar se Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës ka ndarë prej 35 deri në 50 mijë euro në vit për pasurimin e fondit bibliotekar, ndërsa fondi i litetarurës në gjuhën angleze është rritur  dukshëm, falë mbështetjes së Ambasadës Amerikane në Prishtinë, fondacioneve të ndryshme dhe dashamirëve të bibliotekës. (r.m.)

Image result for biblioteka hivzi sulejmani prishtine

Image result for biblioteka hivzi sulejmani prishtineImage result for biblioteka hivzi sulejmani prishtine

Comment

*