Shuhet Gjoni Athanas, një nga ikonat e operas shqiptare

Fuat Memelli

I jepet lamtumira e fundit, në Boston

 

Nga Fuat Memelli

Më 1 tetor të këtij viti, në moshën 94 vjeçare, ndërroi jetë në Boston, këngëtari i shquar lirik, Gjoni Athanas. Ai bënte pjesë në plejadën e artistëve të shquar të Teatrit të Operas e Baletit, që tok Avni Mulën, Ibrahim Tukiçin, Mentor Xhemalin, Luk Kaçaj, Ndrek Gjergjin, Maliq Herin, etj. bënë histori në këtë teatër.
Gjoni lindi në 4 nëntor 1925 në Brockton të shtetit Massachusetts në Amerikë. Prindërit e tij, Olimbia dhe Thanasi, të dy me origjinë shqiptarë dhe jetuan në Amerikë për më shumë se 15 vjet.U kthyen në Shqipëri në vitin 1927, në fshatin Grapsh të Devollit , qarku i Korçës, ku babai i tij kishte vendlindjen. Atèhere Gjoni ishte vetëm 2 vjeç.
Qysh në moshë të re, ai filloi të këndojë psalme bizantine në kishën ortodokse të Grapshit, ku babai i tij shërbente si prift. I jati vuri re se i biri kishte vesh muzikor dhe e nxiti për të kënduar. Në moshën 14 vjeçare Gjoni shkon në Korçë, ku krhas shkollës, njihet më nga afër me këngët korçare, të cilat shërbyen si frymëzim për vazhdimin e rrugës së këngës. Këtu mer pjesë në korin e Mitropolisë si dhe atë të grupit “Lira” .Qysh në këtë kohë bie në sy talenti i tij si tenor me një zë të bukur e të fuqishëm.

 

RRUGA E ARTISTIT

Në në vitin 1947, Gjoni shkon ushtar në Tiranë dhe meret në korin e Asamblit të Ushtrisë, nën kujdesin e drejtorit Gaqo Avrazi. Kori dha shfaqje në Shqipëri dhe në shumë vende të Evropës Lindore. Në vitin 1952, ai u zgjodh si një nga talentet më të mirë në Shqipëri dhe fitoi bursë për të studiuar në Konservatorin Tchaikovsky në Moskë për tenor, në vitet 1952-1957. Pasi fitoi gradën e tij në Belcanto, në të njëjtin vit u shpërblye me çmimin e dytë në konkursin ndërkombëtar të zërave të rinj operistikë në Moskë, ku mernin pjesë 110 pjesëmarrës nga e gjithë bota.
Pasi mbaroi studimet, u kthye në Tiranë dhe filloi karrierën në Teatrin e Operas. Gjatë viteve të punë interpreton shumë role si atë Turidu nga “Cavalleria Rusticana” e Mascagnit, Canio nga “Pagliacci” i Leoncavallo, Lenskey nga “Eugene Onegin” i Tchaikovsky, Schaunard nga “La Boheme” e Puccini, Don Basilio nga “The Martesa e Figaros” të Mozartit, Dhimitri nga “Lulja e kujtimit” e K.Konos, “Bash Murgjini” nga “Borana” e A.Mulës, “Kuestori” nga “Heroina” e V. Nova, Doda nga “Mrika” e P. Jakovës, etj. Përveç interpretimit si solist në Teatrin e Operës në Tiranë, ai mer pjesë në shumë koncerte e turne nëpër botë si në Rumani, Bashkimin Sovjetik, Kinë, Mongoli, Kore, Vietnam, Bullgari, Ukrainë, Lituani, Jugosllavi, Hungari, etj. Skena e donte atë dhe ai e donte skenën. Kudo që performoi, solli zërin e tij dhe talentin artistik, duke marë si ”shpërblim” nga njerëzit ovacionet e tyre.

Gjoni dha mësim në Akademinë e Arteve në Tiranë për rreth 20 vjet. Ish studentët e tij e kujtojnë me dashuri e respekt të veçantë pedagogun e tyre.. Ka botuar libra për teknikat e të kënduarit si “Të kënduarit, një mënyrë e të shprehurit dhe të komunikimit” , “Teknikat e frymëmarrjes për këngëtarin” si dhe një libër me një koleksion të këngëve të rralla popullore shqiptare. Gjoni e kujtonte me mall këtë udhëtim në shumë fshatra të Shqipërisë, ku gjeti thesare këngësh. Ai e quante këtë si një nga përvojat më të mira të jetës së tij.
Në vitin 1960 martohet me Sekine Sharofi Athanas, një balerinë klasike. Kjo dasmë bëri bujë atëherë, pasi ai ishte djalë prifti, ndërsa Sekineja qe vajza e drejtorit të Medresesë në Tiranë. Rrugëtimi i tyre vazhdoi për 49 vjet. Ai ka dy vajza, Mirelën dhe Edlira si dhe mbesën Julia dhe nipin Easton.

 

SKÈNDERBEU-ROLI I JETÈS SÈ TIJ

Në ditarin personal të Gjonit, shkruar midis viteve 1957-1993 numurohen 1100 koncerte dhe 450 shfaqje operash. Por, roli që e ngriti atë në piedestalin e shfaqjes së tij artistike, ishte ai i Skënderbeut, në operan “Skënderbeu” të Prenk Jakovës. Kompozitori, e donte shumë zërin e tij dramatik. Skënderbeu, heroi legjendar shqiptar, i vënë në skenë në vitin 1967 nga Teatri i Operas së Tiranës, ishte për Gjonin roli i jetës së tij. Këtij roli ai i kushtoi aq shumë kohë duke u përgatitur, pasi nuk ishte e rëndësishme vetëm interpretimi në mënyrë vokale, por më e rëndësishme ishte imazhi dhe forca e heroit legjendar që duhej të portretizohej me sa më bukur. Studioi shumë libra të shkruara për Skënderbeun. Në ditët e përgatitjes për rolin e Skënderbeut, punonte duke u përgatitur si vokalist, por edhe si një aktor që përgatitet për një rol të vështirë e në një kohë shumë të shkurtër. Studioi shënimet për çdo lëvizje të vetme, në përputhje me atë që kishte lexuar për heroin. Kur hyri në skenë, figura e tij e gjatë dhe energjike, aktrimi dhe zëri i tij i fuqishëm, u duk sikur Skënderbeu i vërtetë hyri në skenë. Fotografitë e tij që interpretojnë këtë rol, janë përdorur për të ilustruar Skënderbeun në mësimet e historisë.
RIKTHIMI ATY KU LINDI

Një kapitull tjetër i jetës së tij hapet kur të kthehet në Amerikë në vitin 1994, vendin ku edhe kishte lindur Ai banoi në zonën e Bostonit dhe pati rastin të vizitojë edhe një herë shtëpinë ku lindi e jetoi 2 vitet e para të jetës së tij, në Brockton.Ishte një vizitë shumë emocionuese , pasi ai kurrë nuk kishte menduar se kjo do të ndodhte në jetën e tij.Vërtet këtu erdhi në moshën e pensionit, por zëri i tij vazhdoi të jehojë. Këndonte në veprimtaritë e ndryshme të shqiptarëve, si në festen e 28 Nëntorit, për Vitin e Ri si dhe në koncerte të ndryshme kur vinin këngëtarë nga Shqipëria, si me Aurela Gaçen, etj. Ai këndoi në Boston edhe për komunitetin italian dhe atë rus. I mbeti merak që nuk mori dot pjesë në koncertin e Inva Mulës, që do organizohej në Boston më 8 tetor. I la një porosi vajzës së tij Edlirës, e cila është edhe organizatore e këtij koncerti :” I thuaj Invës që krahas të tjerave, të këndojë edhe këngën”Lule borë”. Përcjellja e tij për në banesën e fundit, u bë me një përshpirtje në kishën e Shën Gjergjit, mbajtur nga kancelari i kësaj kishe, At Artur Liolini. Është një koincidencë e veçantë: në vendin ku lindi, Gjoni Athanasi edhe do të prehet.

VLERËSIME PËR GJONI ATHANASIN

Të shumta janë vlerësimet brenda e jashtë Shqipërisë për tenorin e shquar shqiptar.
Gazeta “Kultura” e Moskës në vitin 1959 shkruan: ” Çdo teatër në botë do të nderohej të kishte një tenor si Gjon Athanasi”. Brymorov, profesori i mirënjohur i Konservatorit Bullgar ka vlerësuar zërin e Gjonit si “një zë i rrallë që meriton respekt botëror “. Toti dal Monte, soprano e famshme italiane, pasi e dëgjoi në një nga studiot e Moskës, tha:” Gjoni është një zë i rrallë i një tenori dramatik “.
Në përcjelljen e tij për në banesën e fundit, morëm disa mendime nga shqiptarë që jetojnë në Boston. Stefan Koçi, ish konsull Nderi në Boston:”Shumë shqiptarë që erdhën këtu pas viteve ’90, sollën punën , ndërsa Gjoni solli diçka shpirtërore, solli artin e tij. Ai ishte i pa partuar kudo që ta ftoje”.
Agron Gjerasi: “ Zëri i tij kumbonte dhe nuk kishte nevojë për mikrofon. Shquhej për një humor të veçantë. Unë e mbaja veten si i parë këtu në Boston për barcaleta, por kur erdhi Gjoni, me çoi në vendin e dytë”.
Nga ngushëllimet e shumta për ndarjen nga jeta të Gjoni Athanasit, shkëputa fjalët e artistes së njohur, Suzana Turku:” Brezi im i artistëve ka qënë mëe fat që ka studjuar dhe ka punuar me artistë të brezit të Gjoni Athanasit”.
Në vitin 2006 Gjoni është vlerësuar nga presidenti i Republikës me Medaljen e Mirënjpohjes për karierën e tij si dhe interpretimin e rolit të Skënderbeut. Megjithatè ky vlerèsim na duket i pakèt për artistin e madh, ndërkohë që në këto vite të tranzicionit, ka patur vlerësime pafund.
U shua kështu edhe një zë i shquar i operas shqiptare, por zëri i tij do të mbetet i paharruar për të gjithë ata që e dëgjuan, në Shqipëri e nëpër botë, kudo ku ai këndoi me zjarrin e zemrës. Të mbushësh shpirtin e publikut, do të thotë të japësh pasuri dhe Gjoni dha pasuri me shpirtin e zërin e tij.

Boston 5 tetor, 2019



Comment

*