I LOVE NYPD

Nga Ruben Avxhiu

Në kohën tonë nuk është më në modë që të lavdërosh policinë se menjëherë të fusin në politikë. Akoma më keq është kthyer në çështje e vitytit publik.
Unë nuk do të flas për departamentet e policisë nëpër qytete të ndryshme se ato nuk i njoh pork am kohë që kam dashur të them disa gjëra për policinë e qytetit tim, e njohur shkurt si NYPD.
Një nga gjërat e para që kanë vënë re shqiptarët kur kanë ardhur në vitet 1990 – nuk e di se si është për ata që kanë ikur më vonë nga Ballkani – është mënyra e komunikimit nga policia.
Të bënte përshtypje edukata, përpjekja për të komunikuar, përgatitja e oficerëve të policisë në këtë vend për vendosur një raport pozitiv dhe besueshmërie me qytetarin. Një dallim i jashtëzakonshëm me policin në Ballkan, të korruptuar dhe shpesh të pasjellshëm, që kalon nga arroganca në servilizëm sipas situatës së personit përballë.
Për shumë nga njujorkezët figura e policit bashkë me atë të zjarrfikësit u kthyen në një ikonë pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit.
Qindra punëtorë të ndërhyrjes së shpejtë dhanë jetën për të ndihmuar në Kullat Binjake. Ata shkuan drejt rrezikut ndërkohë që kushdo përpiqej të largohej prej tij.
Të paktën 40 oficerë policie dhanë jetën atë ditë, 23 nga të cilët nga NYPD, jo se u ndodhën por sepse shkuan në vendin e sulmit.
Në vitet që vijuan rreth 241 oficerë e punonjës të NYPD-së kanë humbur jetën për shkak të lëndimeve nga pasojat e 11 Shtatorit.
Unë nuk kam jetuar këtu në vitet kur New York City ishte kryeqyteti i vrasjeve kriminale. Një nga faktorët kryesorë që sot ky është një nga metropolet më të sigurta në botë është padyshim NYPD.
Ky Departament policie ndryshe nga ato në shumë qytete të mëdha amerikane nuk vuan nga komprometime të mëdha nga krimi e korrupsioni. Ndonëse ka korrupsion dhe policë të këqinj si në çdo institucion, NYPD ka kaluar në procese spastrimi, në sajë të oficerëve trima që në vite kanë thyer tabutë e kanë denoncuar “vëllezërit blu” që janë bërë aleatë më krimin. Kjo në fund sjellë një department policie që gëzon masivisht besimin e Qytetit që i shërben. Një komunikim i jashtëzakonshëm me komunitetet ka sjellë suksesin e madh në luftën kundër krimit.
Por ka gjëra të tjera që kam mësuar në vite për NYPD-në edhe për shkak se asnjë institucion tjetër zyrtar në SHBA nuk ka një përqindje kaq të madhe të punësuarish shqiptarë.
Kjo nuk është një rastësi. NYPD mbetet një institucion model për integrimin e emigrantëve dhe të oficerëve dhe punonjësve nga raca, fe e etni të ndryshme. Në ditët tona kur çështja e racizimit ka qenë në qendër të vëmendjes, harmonia e solidariteti mes oficerëve në NYPD ka qenë maksimal.
I kam parë në vite të qajnë në supet e njëri-tjetrit, pavarësisht nga raca e prejardhja, për shokët e vrarë në punë e sipër. Këta janë njerëz që kanë vënë jetën në duart e kolegëve të tyre.
Nuk ka komunitet etnik ku NYPD nuk gëzon një besim e mbështetje të jashtëzakonshme. Ky besim është fituar në vite. Vështirë të gjesh një vend si ky emigranti pa dokumenta nuk frikësohet kur sheh policin. Jo vetëm emigranti që respekton ligjin. Por megjithë presionet nga autoritetet e emigracionit, NYPD regullisht ka refuzuar të zbulojë e dorëzojë emigrantët pa dokumente edhe kur ata kanë kryer krime apo kanë shkelur ligje e rregullore.
Ky Qytet ka një zot dhe e federalët nëse duan ta zgjidhin punën e emigracionit duhet të shkojnë në kufirin e jugor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e jo këtu në rrugët e lagjet tona.
I kam parë në sa e sa protesta të shqiptarëve në vite për Kosovën, për Çamërinë, për të drejtat tona kudo ku jetojmë në Ballkan. Në paradat tona e në festat kombëtare. Në mbrojtjen e bizneseve tona komunitare, në lagjet ku banojmë etj.
Kjo nuk do të thotë se nuk ka drurë të shtrembër, gafa, gabime e deri edhe krime. Ka pasur një numër incidentesh që vetë NYPD i ka dënuar. Ka procese gjykimi që janë lënë pas dore, procedura që duhen ndjekur etj. Pas 11 Shtatorit disa komunitete shqiptarësh u vunë nën përgjim për të gjetur terroristë. Disa shqiptarë madje ishin të krishterë e kur doli ky fakt, krijoi mjaft turpërim nga ana e NYPD-së. Këto pjesë e punës dhe transparenca e Kritika për këto nuk do të mungojë së kërkuari. Po këto luftohen jo duke denconcuar mbarë policinë, por duke krijuar rrugë më të mira bashkëpunimi, prezantimi dypalësh, e komunikimi të hapur.
Përgjithësimi për disa kokrra të kalbura është pikërisht ajo çfarë është bërë rregullisht kundër emigrantëve shqiptarë në të gjitha vendet e Europës.
Çdo akt racist duhet luftuar, autorët duhen ndëshkuar sepse në rradhë të parë dëmtojnë pikërisht vetë policisë. Mirëpo, lëvizjet që synojnë dënimin e mbarë policisë si institucion janë jo vetëm të padrejta, por dëmtojnë në fund pikërisht ata që pretendojnë të ndihmojnë.
Sot, 19 vjet pas 11 Shtatorit, ia vlen të ndalemi një moment për të kujtuar atë ditë tragjike dhe mënyrën sesi New York City u ngrit përsëri në këmbë. Edhe tani si atëhere, turistët pushuan së ardhuri, hotelet e restorantet falimentuan në masë, metrotë dhe kafenetë ishin të zbrazura, njerëzit filluan të largohen nga Qyteti në rrethina.
Pjesë e ringjalljes së madhe ishte edhe NYPD. Sot, duhet të gjejmë të njëjtin besim e bashkëpunim për të kapërcyer krizën e tmerrshme të epidemisë në një Qytet që vazhdimisht ia qëndisin eulogjinë përpara kohe, e që përsëri ngrihet në këmbë.
Në 10-vjetorin e tragjedisë u mbajt një veprimtare ndërfetare në Sinagogën e Parkut Lindor në Manhattan, nga Rabai i shquar Arthur Schneider. Miku më i nderuar në atë përshpirtje ishte një imam, Tahir Kukaj nga Qendra Kulturore Islamike Shqiptare në Staten Island.
Sot, imam Tahir Kukaj është një nga kapelanët myslimanë, të NYPD-së, një figurë e nderuar e këtij institucioni që bashkon njujorkezët si pak institucione të tjera në New York City.

Comment

*