Ibrahim Kadriu, laureat i Çmimit për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”

Prishtinë, 15 shkurt 2019 – Fitues i Çmimit për Vepër Jetësore“Azem Shkreli” sot është shpallur Ibrahim Kadriu, shkrimtar poet, dramaturg, i pranishëm në letrat shqipe në Kosovë e në viset shqiptare qe më shumë se gjysmë shekulli.

Juria profesionale për dhënien e Çmimit, në përbërje: Nevrije Ismaili- Bislimi, kryetare, dhe Binak Kelmendi, Asllan Qyqalla, Nexhat Çoçaj dhe Miftar Kurti, anëtarë, ka ndarë edhe çmimet për të arriturat njëvjeçare në fushën e letërsisë.

Çmimi”Anton Pashku”, për veprën më të mirë në prozë për vitin 2018, iu nda autorëve Sali Bytyçi për veprën “Gjunjët” dhe  Florin Kelmendi  për veprën “Vrasje në kornizë”.

Çmimi  ”Ali Podrimja”, për veprën më të mirë në poezi për vitin 2018, iu nda autorëve Merxhan Avdyli, për veprën “As engjëll as djall” dhe Çun Lajçi, për veprën “Çakorr, ti vdekje e mirë”.

Çmimi ”Vehbi Kikaj”, për veprën letrare më të mirë për fëmijë dhe të rinj për vitin 2018, iu dha Avdush Canajt, për veprën “Planeti i buzëqeshjes”.

Çmimi  “Ibrahim Rugova” për studime letrare, kritikë letrare dhe eseistikë për vitin 2018  iu nda autorëve Sali Bashota, për veprën “Enigma e shkrimit”, dhe Haqif Mulliq,i për veprën “Teatri, drama dhe identiteti kulturor në Kosovë”.

Çmimi “Pjetër Bogdani”, për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe ose anasjelltas për vitin 2018, iu dha autorit Alfred Bekës, për veprën e përkthyer ”Peizazh me rënien e Ikarit’.

Ceremonia e dorëzimit të çmimeve u zhvillua të premten në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Ministri Kujtim Gashi i përgëzoi laureatët dhe premtoi vazhdim të mbështetjes për krijuesit letrarë. (r.m.)

Comment

*