IHK parashikon stabilizim të motit në Kosovë

Prishtinë. 12 janar 2021 – Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) tha se pas ndërprerjes së reshjeve të shiut, që prej pasdites së të hënës, tendencat e niveleve të ujit janë në rënie në të gjithë lumenjtë e Kosovës.

Përmes një njoftimi për media, IHK-ja tha se pas vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe borës, situata “pritet të stabilizohet gradualisht” në ditët në vijim.

“Lumenjtë kryesorë të Kosovës, gjatë orëve dhe ditëve në vijim, parashikohet të kenë rënie dhe gradualisht ata do të kthehen nëpër shtretërit e tyre. Kësaj i paraprin situata e përgjithshme meteorologjike, e cila pritet të stabilizohet gradualisht, duke filluar nga dita e sotme, e cila do të vazhdojë deri më datë 13/01/2021, kur përsëri do të kemi reshje të herëpashershme shiu dhe bore të intensitetit më të ulët dhe me karakter lokal”, tha IHK-ja.

Në ditët e fundit, për shkak të reshjeve të shiut dhe borës, disa pjesë të Kosovës u përballën me vërshime.

IHK-ja tha se rajoni më i goditur ka qenë Rrafshi i Dukagjinit.

Autoritetet qendrore të Kosovës kanë thënë se do t’i evidentojnë të gjitha dëmet materiale, të shkaktuara në pronat private dhe publike.

(REL)

Comment

*