Iku ëndërrimtari i madh, Qani Mehmedi

Ramadan Muçolli

Nga Ramadan Muçolli

 

Iku gazetari dhe shkrimtari politik, Qani Mehmedi.

Iku pak pasi i mbushi 64 vjet, në moshën e pjekurisë së plotë intelektuale e profesionale, pa thënë ende gjithë çfarë kishte për të thënë.

Qaniu kishte për të thënë edhe shumë.

Prej fillimit të rrugëtimit të tij jetësor e profesional, ai ishte në shtjellën e ngjarjeve, zhvillimeve dhe proceseve të rëndësishme shoqërore e politike, të cilat e shkruan historinë dyzetvjeçare të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Ishte i afërt me shumë figura të rëndësishme jetës politike, kulturore, arsimore, shkencore e publike në gjithë hapësirën etnike shqiptare.

Qaniu ishte ëndërrimtar i madh, i pakorrigjueshëm. Ai besonte si fëmijë krejtësisht i padjallëzuar në ëndrrat e bukura për zhvillim e progres të shoqërisë shqiptare si tërësi, përtej kufijve politikë, administrativë e kulturorë.

Ai besonte fuqishëm, po sikur fëmijë naiv, në idenë e bashkimit shpirtëror, kulturor, ekonomik e politik të shqiptarëve.

Qaniu kishte një rreth të gjerë miqsh, kudo në hapësirën shqiptare. Ai u besonte njerëzve që i njohte dhe u qëndronte në krah, deri në fund.

E kishte edhe një tipar tepër të rrallë, shumë të veçantë: u qëndronte pranë njerëzve edhe në momente të liga, i inkurajonte në momente krizash e vështirësish, përpiqej t’i kuptonte edhe në momente bobësish e ligësish.

Qani Mehmedi

Qaniu nuk i tumirte kurrë vlerësimet negative dhe komentet denigruese për figurat politike e publike. Komenteve dhe interpretimeve triviale për zhvillimet dhe proceset shoqërore e politike u përgjigjej me një habi të madhe, të cilën e shprehte me një tundje koke dhe me një buzeqeshje të hidhur, njëkohësisht.

Ndonjëherë, rrallë, komenteve e interpretimeve absurde të miqve dhe kolegëve të tinj më të afërt për ngjarje e fenomene të ndryshme shoqërore, politike e kulturore ai u përgjigjej me një qortim krejtësisht të padjallëzuar.

Ndonjëherë, edhe më rrallë, kur miqt e kolegët e tij më të ngushtë bënin analiza triviale për ngjarjet dhe fenomentet shoqërore, për zhvillimet dhe proceset politike apo për figura të rëndësishme të jetës politike e publike në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Mal të Zi apo diasporë, ai u drejtohej me një qortim shumë miqësor: “Rrini bre! Ku i dini ju ata punë!”.

Qaniu jetoi me ëndrrën e tij të përjetshme për bashkimin e shqiptarëve. Ai punoi për zhdukjen e kufijve që e copëtojnë e gjymtojnë hapësirën shqiptare, derisa i mbylli sytë.

Qaniu iku me ëndrrën për një hapësirë të bashkuar shqiptare – së paku shpirtërisht, kulturalisht e politikisht.

I qoftë i lehtë dheu i Atdheut pa kufij!

 

Prishtinë, 18 korrik 2017

 

Comment

*