Ilda Mara: Konkurrimi për projektet në M.e Kulturës, pa kritere, transparencë, strategji

Jo gjithnjë praktika e ndjekur nga Ministria e Kulturës shkon në shpërndarjen e drejtë të fondit për projektet. Për artistë të ndryshëm apo dhe drejtues të organizatave deri më tani Ministria e Kulturës nuk ka mundur dot që të bëjë një shpërndarje sipas meritave me buxhetet që ndan. Ilda Mara, drejtoreshë e shoqatës franko-shqiptare “Argjiro” dhe festivalit ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve” pohon se problemin e shikon tek strategjitë që duhet të ketë për projektet, që kanë krijuar traditë përsa i përket organizimit në promovimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë së Shqipërisë. Në intervistën e saj, Mara nënvizon se Ministria e Kulturës duhej të krijonte një axhendë vjetore të aktiviteteve periodike, që organizohen në vend dhe t’i mbështesë ato në mënyrë të qëndrueshme. Jo vetëm financiarisht, po me mënyra të ndryshme për të bërë të mundur vazhdimësinë e aktorëve të qëndrueshëm kulturorë. Duke u ndalur te fondi i Ministrisë së Kulturës për projekte, drejtoresha e organizatës “Argjiro” pohon se ai duhet të ishte për mbështetjen e iniciativave artistike dhe turizmin kulturor, dhe një mundësi për organizatat dhe shoqatat kulturore dhe artistët që të realizojnë projektet. Por sipas saj, një konkurrim pa kritere, pa transparencë, dhe mbi të gjitha pa strategji, nuk mund të kontribuojë në mbështetjen e aktorëve kulturorë.

-Edicioni i dhjetë i festivalit ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve” edhe këtë vit u përcoll me interes. Si drejtoreshë e tij, mund të na thoni ku ishin të veçantat e këtij edicioni?

Këtë vit menduam që edicionin jubile t’ia kushtojmë kulturave, diversitetit kulturor dhe pikëtakimeve të tyre! Edicioni i dhjetë i festivalit, u ideua ndryshe nga vitet e tjera. Risia ishte se, për herë të parë organizuam në Shqipëri një koncert ndërfetar “Muzikë nga Tradita të Ndryshme Fetare” me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë të suksesshëm brenda dhe jashtë vendit. Në një kohë kur në botë bëhen luftëra në emër të feve, të bësh bashkë njerëz me përkatësi të ndryshme fetare dhe të promovosh bashkëjetesën mes tyre në një tempull paqeje si salla e Koncerteve e Katedrales ortodokse në Tiranë, mendoj se ishte një ide që ia vleu. Në koncert u ndërthurën lavdet dhe himnet fetare me muzikën klasike, një ndërthurje zhanresh, kulturash dhe mbi të gjitha një rrugëtim nga traditat orientale tek ato perëndimore. Kjo është pasuria më e madhe që bart Shqipëria me zërat e veçantë të muezinëve të komunitetit mysliman, të tre koraleve të Kishave ortodokse dhe katolike, të artistit sufi Enris Qinami, dhe me pjesëmarrjen e veçantë të sopranos Mirjam Tola. Më pas patëm artistë nga Mali i zi, Vox 2 Feel Duo soprano dhe kitarë. Sigurisht nuk u la pas dore as polifonia; për herë të parë në kalanë e Gjirokastrës u ndërthurën dy polifonitë ajo shqiptare dhe ajo korsikane, ku koralja “Cantemu Inseme” nga Korsika interpretoi së bashku me grupin “Argjiro”. Surpriza e fundit e festivalit ishte koncerti Saz’Iso: tingujt më të bukur të muzikës së Jugut në Tiranë. Ky koncert, i cili pati një jehonë të madhe dhe përmbylli me sukses edicionin tonë të dhjetë, ishte një bashkëprodhim i “Argjiros” me ekipin e Edit Pulës, Andrea Goertler dhe Joe Boyd, ish-producentit të Pink Floyd, një gjeneral gramafoni dy, i cili prej një viti punonte në Tiranë për të mbledhur më të mirën e sazeve të Shqipërisë së Jugut.

-Dhjetë vjet festival, kur e nisët a menduat se do të arrinte kaq vite duke pasur parasysh dhe vështirësitë në Shqipëri?

Rrugëtimi ynë në këto dhjetë vite ka qenë i mundimshëm, por dhe i bukur! Në 2007-ën kur themeluam festivalin dhe bashkë me të dhe “Argjiron”, kishim një synim t’i jepnim jetë monumenteve. Ndërthurja e trashëgimisë kulturore fizike me atë shpirtërore ka qenë shtysa jonë që u bë realitet, dhe tashmë është kthyer në traditë! Ajo që më jep kurajo për të vazhduar në këtë rrugë është se kemi arritur të tërheqim vëmendjen për Gjirokastrën atëherë kur askush nuk kishte kurajo të bënte tetë orë rrugë për të shkuar atje. Shikoni sot se sa koncerte, aktivitete, organizime po ndodhin në Gjirokastër! Sigurisht, në dhjetë vjet edhe infrastruktura është përmirësuar. Shikoni ndjeshmërinë e kryetares së bashkisë për të gjallëruar jetën kulturore të qytetit. Gjatë këtyre viteve jemi përpjekur të sensibilizojmë publikun duke sjellë emra të mëdhenj të muzikës, që kanë interpretuar në kalanë e Gjirokastrës, në Berat, Shkodër, Tiranë. Edhe pse ata vinin nga skenat evropiane të operave apo filarmonive, asnjëherë në koncertet tona nuk ka munguar tabani popullor, polifonia shqiptare, nuk kanë munguar fyejt e Gramshit, apo lahuta e malësisë. Një tjetër qëllim i festivalit për të krijuar ura lidhëse mes kulturave, është përmbushur kësisoj.

 

– Ju jeni shprehur se festivali ka pasur një vëmendje nga ambasadat e huaja, por kjo mbështetje ka munguar nga Ministria e Kulturës. Në gjykimin tuaj, ato festivale që tashmë kanë një traditë, çfarë mbështetje duhet të kenë nga ministria?

Pikësëpari, Ministria e Kulturës nuk është e detyruar që të mbështesë me fonde çdo organizatë apo iniciativë kulturore që i troket në derë. Dhe drejtuesit e festivaleve ku dhe unë bëj pjesë, nuk duhet ta shohin mbijetesën e projektit të tyre tek ministria. Unë problemin e shikoj gjetiu, tek strategjitë që duhet të ketë ministria për projektet artistike që kanë krijuar traditë përsa i përket organizimit në promovimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë së Shqipërisë. Cila është arsyeja që këto aktivitete i kanë mbijetuar kohës? Ministria duhej të krijonte një axhendë vjetore të aktiviteteve periodikë që organizohen në vend dhe t’i mbështesë ato në mënyrë të qëndrueshme, jo vetëm financiarisht po me mënyra të ndryshme për të bërë të mundur vazhdimësinë e aktorëve të qëndrueshëm kulturorë. Nëse një projekt mbart një mesazh, i përgjigjet kësaj apo asaj nevoje që ka kultura, hyn në një program të caktuar, projekti do eci pavarësisht “burokratëve të kulturës”. Festivali ynë është i ndërtuar mbi bashkëpunimet që organizata “Argjiro” ka me përfaqësitë e huaja në Shqipëri. Falë programeve të ndryshme evropiane dhe ndërkombëtare që ajo aplikon, dhe mbi të gjitha falë një aleance të vyer me pushtetin lokal, sidomos me qytetet Shkodër, Berat dhe Gjirokastër.

– Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen për aplikime të projekteve për 2017, të cilat gjithmonë janë shoqëruar me kritika të artistëve dhe drejtuesve të shoqatave të ndryshme të artit dhe kulturës. Pse kaq shumë kritika sipas jush?

Fondi i Ministrisë së Kulturës për projekte, që sapo është çelur për vitin 2017-të lipsej të ishte një fond për mbështetjen e iniciativave artistike dhe turizmin kulturor, dhe një mundësi për organizatat, shoqatat kulturore dhe artistët që të realizojnë projektet e tyre, por jo gjithnjë praktika e ndjekur nga ministria shkon në shpërndarjen e drejtë të këtij fondi. Së pari ky konkurrim pa kritere, pa transparencë dhe mbi të gjitha pa strategji, nuk mund të kontribuojë në mbështetjen e aktorëve kulturorë. Në organizimin e këtij konkursi mungon kryekëput transparenca, cilët janë anëtarët e bordit që vlerësojnë projektet që do të dorëzohen, mbi ç’kritere bëhet vlerësimi? Pasi ti kemi dhënë përgjigje këtyre pyetjeve atëherë mund të shpresojmë së paku në një shpërndarje sipas meritave të fondit.

– Edhe pse nga ministria flitet për jetën kulturore sot kemi dhe institucione që janë me buxhete të pakta, me ndërtesa me probleme, kam parasysh këtu teatrot, etj. Sa ju shqetëson kjo gjendje e institucioneve të artit?

Dhe për këtë pyetje, sytë do t’i ktheja sërish tek vizioni, tek strategjia dhe tek prioritetet që ka ministria. Në lidhje me teatrot, sigurisht që buxheti është një zë i rëndësishëm, dhe të tërë i kthejnë sytë nga shteti, po unë do t’i ktheja sytë tek menaxhimi i biletave dhe tek sponsorizimet. Ka qenë një betejë e madhe dikur, që të arrihej një marrëveshje me Ministrinë e Financave që biletat e teatrit t’i mbeten atij për nevojat e tij, gjë që do të përmirësonte arkën e teatrit pa rënduar ministrinë, dhe do të krijonte një frymë konkurrence se cilat janë shfaqjet më të mira që sjellin më shumë publik. Diçka është arritur me Ligjin e ri për Artin, po ka ende nevojë që të gjitha biletat e shitjeve t’i shkojnë teatrit në buxhetin e tij. Ndërsa për sa i përket sponsorizimeve private duhet që Ministria e Kulturës të nxisë ligjin e sponsorizimit në mënyrë që të gjithë kompanitë private, jo vetëm ato të lojërave të fatit, t’u ulet nga tatimet shuma e sponsorizimit.

– Në këto tre vite, sa është bërë për ju në ndihmë të artit dhe kulturës?

Kurrë nuk është e mjaftueshme mbështetja publike për artin dhe për kulturën. Arti dhe kultura janë pjesë e pandarë e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, madje do të thoja janë esencialë, sepse janë vektorë të identitetit, të kohezionit social dhe të rritjes ekonomike të një vendi.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Comment

*