Imam Tahir Kukaj, një nga 100 personalitetet më të fuqishme, në Staten Island

Ruben Avxhiu

Një nga klerikët më të njohur shqiptaro-amerikanë është përfshirë në listën e 100 njerëzve më me ndikim në Staten Island (Stejtën Ajllënd), Nju Jork.
Imam Tahir Kukaj u rendit i 60-i në listën e 100 personaliteteve, të përgatitur nga “City & State” (Shteti dhe Qyteti), e përjavshmja më e rëndësishme politike për jetën e pushtetit lokal në Nju Jork dhe Pensilvenia.
Ndikimi i shqiptaro-amerikanëve në jetën e Nju Jorkut është rritur shumë, sidomos, në dy-tre dekadat e fundit, po ky mund të jetë rasti i parë që një prej tyre është përfshirë në listat e njerëzve më me pushtet.
Imami Kukaj është rritur si figurë bashkë me suksesin e Qendrës Shqiptare e Islamike të Kulturës,ë në Staten Island, ku ka marrë jetë një shkollë e mirë për fëmijët, një qendër e rëndësishme komunitare dhe një xhami për besimtarët myslimanë, kryesisht shqiptarë po edhe të kombësive të tjera.
Mirëpo, përveç kësaj, kleriku i njohur shqiptar ka një veprimtari gati dy dekadash të bashkëpunimit ndërfetar. Në 11 shtator 2011, pata rastin ta ndjek personalisht, kur në Sinagogën e Parkut Lindor, nga më të njohurat në Manhattan, bashkë me Rabain e shquar Arthur Shnajer mbajtën një meshë ndërfetare me rastin e 10-vjetorit të sulmit terrorist mbi Kullat Binjake.
Qendra Kulturore në Staten Island është bërë shpesh vatër koordinimi mes komuniteteve fetare të krishtera, myslimane, hebreje etj për të inkurajuar rritjen e tolerancës ndërfetare e ndërracore, në Staten Island e më tej. Në shumë nga këto veprimtari janë afruar me interes, kuriozitet e përkrahje Policia e Qytetit, FBI dhe agjensi të tjera të sigurisë që shpesh janë angazhuar me komunitetin mysliman mbarëamerikan për të luftuar terrorizmin po edhe rastet e diskriminimit ndaj myslimanëve.
Plot një vit më parë, ndërsa po zinte fill transporti urban me tragete, një nismë e mbështetur fort nga kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill deBlasio, Imam Kukaj u përzgjodh nga bashkia për të bërë bekimin e një prej linjave të trageteve që lidhin qytezat e Nju Jorkut me Manhattanin.
Në 2015, u zgjodh në Këshillin e Klerikëve në Nju Jork, që mbledh figurat më të njohura të fesë në metropolin e madh botëror.
Këto janë vetëm pak nga rastet e panumërta kur është angazhuar me ligjërata, pjesëmarrje në iftare e konferenca zyrtare të Bashkisë, veprimtare komunitare e ndërkomunitare.
“Udhëheqësi ndërfetar Dr. Tahir Kukiqi ka një karrierë të tërë në ndërtimin e urave mes njerëzve të feve dhe etnive të ndryshme”, shkruhet në motivacionin e ‘City & State’. “I lindur në Kosovë, ai erdhi në këtë qytet në 2002 për të drejtuar Shkollën Islamike Mirazh, ku është edhe udhëheqës i studimeve islamike si dhe Qendrën Shqiptare e Islamike të Kulturës ku shërben si zv-president. Një nga programet më premtuese të imamit është Projekti 15-vjeçar, një ditë e përvitshme dialogu mes katolikëve dhe myslimanëve që mbyllet me një darkë”.
Listën e 100 personaliteteve më të fuqishme në Staten Island e kryeson kryebashkiaku aktual Jimmy Oddo, i vetmi republikan, mes 5 kryebashkiakëve të qytezave njujorkeze, po megjithatë përsëri më i afërti me kryebashkiakun demokrat Bill de Blasio.
Staten Island është e vetmja nga pesë qytezat që përbëjnë Qytetin e Nju Jorkut, ku republikanët kanë shumicën. Pa votat e këtij ishulli, ku ka edhe një përqendrim të madh shqiptarësh, nuk do të kishin nisur karrierën e tyre politike figura të qytetit, si kryebashkiakët Rudy Giuliani dhe Michael Bloomberg.
“City & State” ka hartuar lista të ngjashme dhe për qytezat e tjera si dhe për Qytetin e Nju Jorkut në tërësi.
“Përpara se të jetë një vlerësim personal për mua, është një vlerësim real për mbarë komunitetin shqiptar, në përgjithësi në Nju Jork dhe për Qendrën Islame Kulturore Shqiptare, në Staten Island”, tha me modesti Imam Kukaj për gazetën “Illyria” lidhur me përfshirjen e tij në listën e njerëzve më me ndikim.
“Lavdi Zotit për mirësitë e Tij, faleminderit Qendres Islame Kulturore Shqiptare, Komunitetit Shqiptar dhe Komunitetit Amerikan Musliman për përkrahjen e tyre të përhershme”, tha ai. “Dëshiroj të falenderoj dy figura të mëdha të Komunitetit tonë shqiptar, njëkohësisht themelues të QIKSH për përkrahjen e tyre maksimale, Dr. Dhulkarnein Vardar dhe Ferid Bedrolli”. (Ruben Avxhiu)

 

Me gazetarin Tom Wrobleski nga “Staten Island Advance”.

Me bashkëpunëtorin e ngushtë, Ferid Bedrolli (anash) dhe Rabain Mendy Mirocznik.

Me anëtaren e Këshillit Bashkiak Debbi Rose dhe Peshkopin Dr. Victor Braun.

Nga e majta, Imam Kukaj, kryebashkiaku i Staten Island, Jimmy Oddo dhe Senatorja e Shtetit Diane Savino.

Çertifikatë Mirënjohjeje nga Zyra e Prokurorit të Staten Island.

Imam Kukaj u përzgjodh nga bashkia për të bërë bekimin e një prej linjave të trageteve që lidhin qytezat e Nju Jorkut me Manhattanin.

One Response to “Imam Tahir Kukaj, një nga 100 personalitetet më të fuqishme, në Staten Island”

Read below or add a comment...

  1. Sali Bollati says:

    Shume I Nderuari Imam Tahir Kukaj eshte Personifikim I Vertete I Respektit Reciprok Nderfetar Shqiptar.
    Vlen edhe si KRENARI per ne Shqiptaret(pa komunista)

Comment

*