“Impeachment” tjetër kundër Trumpit?

Uashington, 11 janar 2021 – Shumica e demokratëve dhe të paktën një republikan kanë kërkuar që sot të fillojë procesi i largimit të Trumpit nga posti i presidentit. Ai fajësohet për nxitje dhune në Kongres.

Kongresmeni i Kalifornisë Ted Lieu ka thënë se ai shpreson që zëvendëspresidenti Mike Pence t’i referohet Amendametit të 25-të ose që demokratët të nisin procedurën për largimin (impeachment) e presidentit Donald Trump nga posti i tij, për shkak të nxitjes së dhunës në Kongres. Kjo procedurë pritet të fillojë sot, të hënën  (11.01. 2021), bëjnë të ditur qarqet politike në Uashington.

“Të gjithë ne, përfshirë edhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, rekomandojmë që Donald Trump thjesht të bëjë gjënë më të duhur, që të japë dorëheqje, ose që zëvendëspresidenti Mike Pence të tregojë vërtet se ka bosht kurrizor politik, të paktën për vete dhe familjen e tij, dhe të kërkojë aplikimin e Amandamentit 25,” tha Lieu për CNN.

Amandamenti 25 mund të përdoret në qoftë se presidenti i SHBA-së nuk është në gjendje të kryejë detyrën e tij zyrtare.

“Nëse asgjë nga këto gjëra nuk ndodh deri të hënën, atëherë ne do të kërkojmë aplikimin e rregullit për impeachment ndaj presidentit, i cili duhet të fajësohet për nxitje të dhunës dhe kryengritjes. Në këtë mënyrë ne do të krijojmë hapësirën për votimin e këtij vendimi”, shtoi Lieu.

Lieu ka postuar të shtunën në Twitter një mesazh ku thuhet se kjo iniciativë i ka 180 mbështetës, të cilët kërkojnë largimin e Trumpit nga posti i presidentit. Ai është i bindur se “ka edhe republikanë që do ta votojnë këtë nismë”. Lieu tha se ata janë duke biseduar me disa republikanë për të sponsorizuar këtë rezolutë.

Senatori republikan i Pensilvanisë Pat Toomey ka thënë se ai beson se Trump ka bërë “shkelje të mëdha”, por ao9 nuk ka thënë qartë nëse do të votonte për shkarkimin e Trumpit nga posti i presidentit.

“Unë mendoj se presidenti ka bërë shkelje që kërkojnë trajtim, por nuk e di se çfarë do të paraqitet të hënën në Senat, nëse paraqitet ndonjë ide”, ka deklaruar Toomey për televizionin amerikan Fox News.

Presidenti i zgjedhur demokrat Joe Biden nuk është pozicionuar ende ndaj këtyre nismave për largimin eventual të Trumpit nga posti i presidentit. Ai tha se Kongresi është ai që duhet të vendosë.

Dhuna në Kongres

Trumpi, i cili duhet të largohet nga zyra e presidentit me 20 janar, është kritikuar ashpër për shkak të dhunës në Kongresin amerikan, të mërkurën.

Trump akuzohet për nxitje të dhunës. Para shumë njerëzve në “National Mall”, përpara Kapitolit, ai tha se do t’i shoqëronte ata që do të shkonin në Kapitol. Prej humbjes në zgjedhjet e 3 nëntorit,

Trumpi ka insistuar se zgjedhjet janë manipuluar dhe janë vjedhur nga demokratët. Ai nuk e ka pranuar humbjen asnjëherë, ndonëse ka dështuar me ankesat e tij para gjykatave, kurse Biden e ka marrë zyrtarisht mbështetjen e të gjitha institucioneve.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, i ka thënë televizionit amerikan CBS se “personi (Trumpi) që drejton ekzekutivin është presidenti më i çmendur dhe më i rrezikshëm i Shteteve të Bashkuara”.

Trumpi e ka mbijetuar politikisht një “impeachment” të mëparshëm, ku akuzohej për shpërdorim të detyrës dhe për pengim të punës së Kongresit. Asokohe, këtë nismë e kanë pamundësuar republikanët, sepse për largimin nga detyra të një presidenti kërkohet shumica prej dy të tretave. Disa demokratë thonë se tani e kanë mbështetjen e duhur për largimin e menjëhershëm të Trumpit nga posti i tij.

(DW)

Comment

*