IN MEMORIAM PËR PROFESORIN REXHEP HOXHA

Adil Fetahu

Lajmi se ndërroi jete poeti, shkrimtari e profesori ynë i dashur, Rexhep Hoxha, preku dhe piklloi zemrat, jo vetëm të familjarëve, farefisit, kolegëve e miqëve të shumtë të të ndjerit, por edhe të mijëra ish-nxënësve dhe ish-studentëve të tij, e të kushedi sa e sa mijëra tjerë lexuesve të veprave të profesorit e shkrimtarit të vegjëlisë.

Rexhep Hoxha ishte shkrimtar klasik, naimian i Kosovës, por me dyzet librat e tij të botuara e ribotuara, të poezisë dhe prozës, u rritën, arsimuan dhe edukuan gjenerata e breza nxënësish e studentësh shqiptarë të Kosovës dhe jashtë saj, Ishte shkrimtari i parë dhe më i përfaqësuar në literaturën shkollore shqipe për shqiptarët jashtë shtetit amë. Motivet në poezinë dhe prozën e tij ishin edukata, njerëzia, burrëria, morali, modestia, përditëshmëria, virtytet, veset, shqetësimet, brengat, mllefi poetik dhe artistik. Fliste dhe shkruante me gjuhën e zemrës dhe zjarrin e shpirtit, me një zë origjinal në krijimtari. Ishe shkrimtar me rrënjë të thella e trup të palakueshëm. E thoshte troç atë që mendonte. Kërkonte nga krijuesit dhe nga lexusit ruajtjen e shëndetit moral e njerëzor. Ishte i pakompromis në dëmkosjen e fodullëkut dhe antivlerave në krijimtari. Çdo varg i poezisë së tij ishte me ndjenja për njerëzit, për moralin, karakterin, dashurinë ndaj atdheut dhe ndaj kombit.

Si shumica e shqiparëve të Kosovës, gjatë luftës çlirimtare (1999), edhe Rexhep Hoxha, i ndjekur nga forcat serbe, u detyrua të largohet nga Kosova dhe pas qëndrimit disa ditë në Maqedoni, degdiset në Zelandën e Re. Me dhembjen e madhe për atdheun dhe njerëzit që kishte lënë, atje shkruan një përmbledhje me poezi, të titulluar “Hëna e Zelandës së Re”. Është kjo një Përmbledhje poezishë ndër ma të dhembshmet për fatin e shqiptarëve të Kosovës. Në vargjet e poezive, në atë Përmbledhje, autori shkruan për fshatrat, qytetet, arat, fushat, malet e ndezura flake, shtëpitë e djegura shkrumb, bashkë me njerëzit brënda; flet për gjendjen e llahtarshme të krimeve serbe ndaj shqiparëve, por “i këndon” edhe luftës heroike dhe lirisë së Kosovës. Poezitë e asaj Përmbledhje lexohën me ëndje, pavarësisht se lexuesi ndjen dhembje dhe e kaplojnë emocione. Fatin e poetit Rexhep Hoxha, të statusit të refugjatit të degdisur përtej detrave dhe oqeaneve , kanë përjetuar mbi 900 mijë shqiptarë të Kosovës, në vitin 1999, por vuajtjet dhe përjetimet tragjike, askush nuk mund t’i rrëfejë si poeti, që është mjeshtër i skalitjes së fjalës së shkruar,siç ishte profesori Rexhep Hoxha.

Rexhep Hoxha shkoi në amshim. La pas vete një familje bujare, të edukuar me edukatën që e deshi aq shumë. La vepra të çmuara. Tani që ndërroi jetë dhe kaloi në përjetësi, u prehtë në paqe dhe pastë mëshirën dhe shpërblimin e Zotit. Këto që la pas vete, janë ngushëllimi më i mirë për familjen dhe për ne që e deshëm e që s’e kemi më fizikisht në mesin tonë, por që do ta kujtojmë përherë dhe me shumë dashuri dhe respekt.

One Response to “IN MEMORIAM PËR PROFESORIN REXHEP HOXHA”

Read below or add a comment...

  1. Sejdi Veseli says:

    Qoftë i përjetshëm kujtimi për të Madhin, Profesor Rexhep Qosja!

Comment

*